Protestat në Tiranë u bënë pjesë e debatit sot në Komisionin e Ekonomisë, ku deputeti socialist Erion Braçe kërkoi ndëshkimin e personave që kanë shkaktuar dëme në biznese dhe infrastrukturën publike. Demokrati Igli Cara e kundërshtoi, duke akuzuar mazhorancën për standarde të dyfishta dhe duke kërkuar dëmshpërblim edhe për protestuesit e lënduar gjatë ndërhyrjeve të policisë.
Braçe tha se protesta është një e drejtë e garantuar, por nuk mund të ngatërrohet me dhunën ndaj bizneseve dhe pronës publike. Ai përmendi semaforët e dëmtuar në Tiranë dhe kërkoi përdorimin e fondit rezervë për riparimin e infrastrukturës, si dhe përgjegjësi ligjore për autorët e dëmeve.
“Prej një muaji, rrugët e Tiranës janë pa semaforë. Nuk mund të paguajë Bashkia për çdo gjë. A janë evidentuar ata që kanë shkaktuar dëme? Duhen futur në hullinë e ligjit dhunuesit”, tha Braçe.
Gjatë diskutimit, deputeti socialist solli në vëmendje edhe vrasjet e 21 Janarit në bulevard, duke ngritur çështjen e përgjegjësisë për dhunën e ushtruar nga shteti.
“Kanë mbajtur përgjegjësi protestuesit, por nuk kanë mbajtur përgjegjësi ata nga ana e shtetit. Qesh zotëria se e ka engledisje pasditen, por në bulevard janë vrarë njerëz me urdhër dhe nuk mban njeri përgjegjësi, sepse dhuna ngatërrohet me protestën”, u shpreh Braçe.
Nga ana tjetër, Cara akuzoi mazhorancën se merret me pasojat e protestave, por jo me arsyet që i nxjerrin qytetarët në rrugë. Ai përmendi problemet me bonusin e qirasë dhe Rindërtimin, largimin e shqiptarëve, si dhe ngriti akuza për vjedhje të fondeve publike.
“Nuk shihni shkakun, por pasojën, që është protesta. Nuk merrni masa për vjedhjen e miliarda eurove në buxhet dhe flisni për protesta. Po për dëmin shëndetësor të protestuesve, për këmbët e thyera, për syrin e Erjon Vishkullit, do të ketë akte normative për këto?”, tha deputeti demokrat.
Në debat ndërhyri edhe deputetja socialiste Milva Ekonomi, e cila tha se ligjet parashikojnë ndëshkime për personat që shkaktojnë dëme gjatë protestave. Ajo theksoi se në spitale janë trajtuar si efektivët e policisë, ashtu edhe protestuesit e lënduar, ndërsa përmendi edhe rastin e protestuesit të dëmtuar në sy, që sipas saj u dërgua për kurim në Itali me shpenzimet e shtetit.
“Spitalet tona kanë qenë të hapura për të dëmtuarit, si për policët, ashtu edhe për protestuesit. Janë trajtuar si te Trauma, ashtu edhe te Nënë Tereza. Djali që ka dëmtuar syrin shkoi në Itali me paratë dhe ndërhyrjen e shtetit. Kjo tregon që shteti mori përgjegjësi për mbrojtjen e tij, edhe pse djali ishte me vullnet të lirë me protestuesit”, deklaroi Ekonomi.
Pjesë nga diskutimi:
Igli Cara: “Të dëmshpërblehen bizneset, por edhe të dëmtuarit nga represioni i qeverisë. Pse me dy standarde, zoti Braçe? Akoma nuk keni mbyllur bonusin e qirasë dhe Rindërtimin, keni gojë edhe të flisni. Të paktën heshtni! Sot shqiptarët po largohen dhe sipas INSTAT-it ka një pakësim të frikshëm të qytetarëve. Nuk shihni shkakun, por pasojën, që është protesta. Nuk merrni masa për vjedhjen e miliarda eurove në buxhet dhe flisni për protesta. Po për dëmin shëndetësor të protestuesve, për këmbët e thyera, për syrin e Erjon Vishkullit, do të ketë akte normative për këto?”
Erion Braçe: “Protesta është një e drejtë e garantuar. Nuk mendoj që protesta është dhunë, aq më tepër ndaj bizneseve dhe infrastrukturës publike, private dhe shtetërore. Prej një muaji, rrugët e Tiranës janë pa semaforë. Nuk mund të paguajë Bashkia për çdo gjë, as ajo kompania në këtë rast. Pastrimi në qytet është jetik, nuk mund të presim përjetësisht për rikuperimin e infrastrukturës. Siç përdorni fondin rezervë në raste të tjera, duhet përdorur edhe në këtë rast. A janë evidentuar ata që kanë shkaktuar dëme? Duhen futur në hullinë e ligjit dhunuesit. Kanë mbajtur përgjegjësi protestuesit, por nuk kanë mbajtur përgjegjësi ata nga ana e shtetit. Qesh zotëria se e ka engledisje pasditen, por në bulevard janë vrarë njerëz me urdhër dhe nuk mban njeri përgjegjësi, sepse dhuna ngatërrohet me protestën.”
Milva Ekonomi: “Kemi kaluar disa ligje dhe disa ndryshime që parashikojnë se dëmtuesi duhet të penalizohet dhe të mbajë përgjegjësi për dëmin që shkakton. Regjistrat, gjobat dhe ndalimi nga policia janë instrumente që funksionojnë. Dua të shtoj që në protestat e dhunshme janë dëmtuar më shumë policë dhe protestues, ndryshe nga vendet e tjera europiane. Spitalet tona kanë qenë të hapura për të dëmtuarit, si për policët, ashtu edhe për protestuesit. Janë trajtuar si te Trauma, ashtu edhe te Nënë Tereza. Djali që ka dëmtuar syrin shkoi në Itali me paratë dhe ndërhyrjen e shtetit. Kjo tregon që shteti mori përgjegjësi për mbrojtjen e tij, edhe pse djali ishte me vullnet të lirë me protestuesit. Kur je te dhuna, duhet të tregosh kujdes, sepse dhuna është e shkëmbyeshme.”








Komente
Komento