TIRANE - Qeveria shqiptare ka ndryshuar tërësisht projektligjin për procedurat kalimtare të pronësisë, pas kritikave të Komisionit të Venecias se projektligji i hartuar në vitin 2018 ishte i paqartë dhe cenonte të drejtën e pronës. Këtë të martë është diskutuar në Komisionin e Ligjeve projektligji i ri, i cili do t’i japë zgjidhje edhe problemit të legalizimit të pronave. Drejtori i Kadastrës Artan Lame ka sqaruar se për të gjitha ato banesa që nuk mund të legalizohen, shtëpitë do të shemben ndërsa qytetari do të marrë kompensim. Po ashtu përfitojnë edhe ata që kanë ndërtuar pa leje.

“Jemi në shifrën e 180 mijë legalizime. Askush që ka një banesë nuk mund të nxirret nga banesa pa marrë një shpërblim, qoftë edhe të pjesshëm për banesën e tij. Ligji i vjetër thoshte që banesat që nuk legalizohen prishe, ligji i ri i ndan në dy kategori të mëdha. Banesat që do të përmbyllen do të vazhdojë procesi i legalizimit dhe banesat që nuk mund të realizohen për arsye të infrastrukturës apo projekteve do të përfitojnë ose banesë sociale ose kompensim por jo vlerën e plotë”, u shpreh Lame.

Drejtori i Kadastrës Lame ka sqaruar se ky projektligj synon të regjistrojë të gjitha pronat bujqësore që janë të copëzuar nga ligjet e mëparshme. Sipas tij ngërçi me pronat është krijuar nga ligjet e shumta që janë hartuar për këtë problem.

“Thelbi i ligjit është ky, të gjithë ato procese transitore ti  mbledhim në një ligj dhe ti mbyllim një orë e më parë, për të shuar të gjitha ligjet e veçanta që duke qenë të veçanta kanë krijuar gjithë kakofoninë legjislative dhe në terren, duke sjellë mbivendosje dhe duke sjellë 5 pronar për një truall. Janë rreth 1 milionë parcela toke që përfitojnë nga ky draft”, shpjegon Drejtor i Kadastrës.

Po ashtu do të bëhet regjistrimi me tapi i banesave para viteve 91. Tashmë drafti i ri harmonizon në një të vetëm të gjitha ligjet e mëparshme që trajtonin problemin e pronës. Ky projektligj u hartua në vitin 2018, por që  ngeci në parlament pasi ish pronarët e kontestuan duke qenë se nuk i kompensonte ata. Më pas drafti u kontestua edhe nga Komisioni i Venecias, dhe tashmë është i riformuluar. Në finale, ky draft synon që brenda një afati të caktuar të regjistrojë të gjitha pronat e paregjistruara në republikën e Shqipërisë.