FUSHË-ARRËZ- Izmir Duraku, shefi i Komisariatit të Fushë Arrëzit është lënë i lirë, pas ndalimit mbrëmjen e djeshme nga denoncimi i një 27-vjeçareje se e ka përdhunuar në prill të vitit 2015.

Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme që e shpallin fajtor Izmir Durakun. Ai është lënë i lirë nga policia dhe është larguar nga ambientet e paraburgimit, edhe pse mbi të mbrëmjen e djeshme rëndonte akuza e rëndë “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura". 

Mbrëmë nuk ka pasur masë për Durakun, por thjesht ndalim dhe ai ka qëndruar në paraburgim. Pritej të dilte para gjykatës, por Oficeri i Policisë Gjyqësore dhe Prokuroria e Shkodrës nuk e kanë dërguar dosjen fare në Gjykatë me arsyen se nuk ka prova. Prokuroria e ka cilësuar si të paligjshëm arrestimin dhe nuk ka prova për fajësimin e tij. Çështja është mjaftuar vetëm me përjashtimin nga policia që bëri Ardi Veliu sot si edhe dënimin e veprimit nga ana e tij.

Mbrëmjen e djeshme, 27-vjeçarja denoncoi përdhunimin e  5 viteve më parë nga Izmir Duraku. Denoncimin vajza e ka bërë në praninë e psikologut, duke sjellë që Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe i Ankesave (SHÇBA) të bëjë ndalimin e policit Izmir Duraku, ndaj të cilit thuhet se ka prova të forta kundër tij.

Në 2015-ën ajo kishte shkuar në komisariatin e Fushë Arrëzit për të denoncuar përdhunimin që i kishin bërë disa punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër, por aty Shefi i Komisariatit Fushë Arrëz, Izmir Duraku e ka përdhunuar në ambientet e Komisariatit.

Izmir Duraku është në radhët e policisë prej vitit 2000, ndërsa një vit e gjysmë më parë u dërgua nga specialist krimesh në Shkodër në shef komisariati në Fushë Arrëz. Vajza është marrë në mbrojtje nga një organizatë jo fitimprurëse duke u strehuar në një qendër sociale.

Kujtojmë se Izmir Duraku u akuzua edhe tre vite më parë nga mbesa e shkrimtarit Martin Camaj, Vera Camaj, e cila denoncoi në media se shkoi të kërkonte ndihmë në Komisariatin e Policisë së Fushë-Arrëzit, pasi ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj, por ai i kishte kërkuar favore seksuale për t'i dhënë urdhrin e mbrojtjes.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishte sot në Shkodër ku inspektoi doganën e Hotit ka reaguar për arrestimin e shefit të komisariatit me akuzën e përdhunimit duke e cilësuar sjelljen e zyrtarit të policisë si gjest të ulët dhe kriminal.