FUSHË-ARRËZ- Marshimi për të denoncuar abuzimet seksuale që u bën ditët e fundit në vendin tonë, duket se i ka dhënë forcë një vajze në Fushë-Arrëz, për të denocuar një shef komisariati që e kishte përdhunuar. Pas këtij denoncimi, fshihet një ngjarje shumë e rëndë dhe tronditëse, e cila është regjistruar 5 vite më parë, në prill të 2015.

Vajza 27-vjeçe ka shkuar në polici për të denoncuar përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2015 nga punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër, por aty vetëm zgjidhje nuk mori. Shefi i Komisariatit Fushë Arrëz, Izmir Duraku e ka përdhunuar në ambientet e Komisariatit.

Denoncimin, vajza e ka bërë ditën e premte në praninë e psikologut, duke bërë që Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe i Ankesave (SHÇBA) të bëjë ndalimin e policit Izmir Duraku, ndaj të cilit thuhet se ka prova të forta kundër tij. Ndaj tij, rëndon akuza për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura". 

Izmir Duraku është në radhët e policisë prej vitit 2000, ndërsa një vit e gjysmë më parë u dërgua nga specialist krimesh në Shkodër në shef komisariati në Fushë Arrëz, por tashmë është përjashtuar nga radhët e policisë së shtetit me urdhër të drejtorit të përgjithshëm Ardi Veliu. Vajza është marrë në mbrojtje nga një organizatë jo fitimprurëse duke u strehuar në një qendër sociale.

Akoma më shumë skandaloz e bën faktin, që i njëjti drejtues policie, pra Izmir Duraku u akuzua edhe tre vite më parë nga mbesa e shkrimtarit Martin Camaj, Vera Camaj, e cila denoncoi asokohe në media se shkoi të kërkonte ndihmë në Komisariatin e Policisë së Fushë-Arrëzit, pasi ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj dhe nuk i kishin dhënë urdhrin e mbrojtjes, por u përball me Izmir Durakun, të cilin e denoncoi publikisht se i kishte kërkuar favore seksuale për t'i dhënë urdhrin e mbrojtjes.

Njoftimi i plotë i policisë
"Sonte ne mbrëmje, Drejtoria e Hetimit e SHÇBA-së, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka ndaluar shefin e Stacionit Policor Fushe Arrez, i dyshuar për marrëdhënie seksuale me dhune. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur ne vitin 2015, por është kallëzuar se fundmi nga vajza, në prani te një psikologu.

Bazuar ne provat e mbledhura, ka dyshime te forta se ne muajin prill 2015, ajo eshte ngacmuar seksualisht nga nje punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyre Specialist i Hetimit te Krimeve ne DVP Shkoder. Shtetasja kishte shkuar për të denoncuar per përdhunimin që i kishin bërë disa persona ne 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës ne Shkodër.

SHÇBA ndaloi I.D., me detyre aktuale Shef i Postës se Policisë ne Fushë Arrëz, ne DVP Shkoder, i dyshuar për veprën penale “Marredhënie seksuale me dhunë me të rritura". Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për hetime të metejshme. Nderkohe autoritetet shteterore dhe organizata jo fitimprurese kane marre ne mbrojtje shtetasen duke e strehuar dhe duke u perkujdesur, ne nje Qender Sociale.

Duke perfituar nga ky komunikim publik, SHÇBA i ben thirrje çdokujt qe eshte dhunuar apo ndihet nen presion, te denoncojne menjehere prane Policise se Shtetit apo Prokurorise, si dhe prane SHÇBA nese evidentojne shkelje te punonjesve te Policise, ne numrin 0800 90 90, duke garantuar anonimat dhe reagim te shpejte", njofton policia.