SHBA- Një vajzë 13 vjeçare me aftësi të kufizuara ka humbur jetën, pasi është lënë në makinë për 5 orë në mes të diellit në Colleton Country, në Carolinën e Jugut SHBA. Nëna e vajzës Rita Pangalangan 49 vjeç dhe i dashuri i saj Larry King 41 vjeç, janë akuzuar për vdekjen e saj.
Ngjarja ka ndodhur në 5 gusht rreth orës 11:00 kur e ëma e vajzës bashkë me të dashurin parkuan makinën dhe e lanë 13 vjeçaren brenda në makinë. Ata kishin shkuar të merrnin çelësat rezervë e më pas do të ktheheshin. Të dy janë kthyer rreth orës 16:15, kanë hapur makinën, kanë marrë vogëlushen dhe pasi nuk kanë ndjerë frymëmarrjen e saj kanë njoftuar ambulancën. Pasi ka mbërritur ambulanca, mjekët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, sepse vajza kishte vdekur.
Temperatura shumë e lartë ka qenë fatale për vajzën. Të mërkurën pas rezultateve të autopsisë Pangalangan dhe King janë arrestuar me akuzën e vrasjes. "Të gjithë në rrethin shkollor të Colleton County jemi shumë të pikëlluar nga vdekja e Cristina Pangalangan, një studente e klasës së tetë në shkollën e mesme të Colleton County. Cristina me të vërtetë shijonte duke kaluar kohë me shokët e saj të klasës dhe donte të merrte vëmendjen. Ajo kishte një buzëqeshje për të gjithë të rriturit në shkollë që kanë punuar me të dhe mësuesit e saj e përshkruanin atë si një studente shumë të motivuar. Ajo do të mungojë për të gjithë ata që e njohën ", kanë thënë disa nga shokët e Kristinës.

Komente

