PRISHTINË - Nisma për Kosovën do të vazhdojë të zhvillohet e vetme në skenën politike, si një alternativë për qytetarët e Kosovës që janë të zhgënjyer dhe të manipuluar nga qeverisja e viteve të fundit.
Në një intervistë për KosovaPress, lideri i "Nisma për Kosovën" Fatmir Limaj, në prag të 1-vjetorit të themelimit të këtij subjekti politik, ka shpalosur synimet e subjektit që ai drejton.
Ai thotë se Nisma do të jetë zëri i të gjithë qytetarëve të pambrojtur dhe do të punojë për ta çliruar shtetin nga kapja që i është bërë nga disa individë dhe grupe njerëzish.
Lideri i 'Nisma për Kosovën', Fatmir Limaj, thotë se subjekti që ai drejton u formua në një situatë tejet të vështirë, pasi vetëm pak muaj pas themelimit, ende i pakonsoliduar mirë në terren, i është dashur që të përballet me zgjedhjet nacionale.
Në 1-vjetorin e themelimit, ai vlerëson se "Nisma" është kthyer në një faktor të rëndësishëm në skenën politike.
Limaj tha se Nisma tashmë ka arritur objektivin e saj, duke qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Limaj thekson vendosmërinë që Nisma për Kosovën të vazhdojë dhe të zhvillohet e vetme në skenën politike, por pa përjashtuar mundësinë që gjatë rrugëtimit të saj të bashkëpunojë me subjektet të tjera politike, për tema që janë në interes të vendit dhe të qytetarëve.
Kreu i Nisma-s ka folur edhe për rolin që ka subjekti që ai drejton në Kuvendin e Kosovës. Sipas Limajt, sot është një opozitë shumë e zëshme dhe me kualitet më të mirë se sa ka qenë opozita e kaluar, pavarësisht se numrat janë më të vegjël se sa që kanë qenë në legjislacionin e kaluar.
Një rol të rëndësishëm në këtë opozitë të fortë, sipas Limajt, ka luajtur Nisma për Kosovën, e cila është ofruar dhe ka bashkëpunuar me subjektet e tjera politike opozitare për temat që janë në interes të vendit dhe qytetarëve të Kosovës.
Nisma për Kosovën në vitet e ardhshme ka dy synime kryesore, shtrirjen e strukturave të saj në gjithë territorin e Kosovës dhe vazhdimin e rolit të saj në Kuvendin e Kosovës.
Nisma për Kosovën u themelua më 28 shkurt 2014, kur dy ish zyrtarët e lartë të PDK-së, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, vendosën t'i ndajnë rrugët nga Partia Demokratike e Kosovës ku kontribuan për një kohë të gjatë./ATSH/