Lind “Lëvizja për Demokraci”
në PS, Blushi ia beson Lakrorit

Lind “Lëvizja për Demokraci”<br />në PS, Blushi ia beson Lakrorit
TIRANË - Grupi i Ben Blushit ka formësuar lëvizjen e re brenda Partisë Socialiste. Ajo quhet “Lëvizja për Demokraci në Partinë e Socialistëve” dhe mbështetësit e Blushit ja kanë besuar drejtimin e saj Maqo Lakrorit. Rexhep Meidani, Maqo Lakrori, Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Namik Kopliku, Ndre Legisi, Petrit Ago dhe Suzana Hakrama janë themeluesit e kësaj nisme, e cila po sot ka shpërndarë edhe platformën e saj.

Në të saktësohet se shpallja e platformës është vetëm hapi i parë dhe do të vijohet më pas me takime të hapura direkte në mbarë vendin si dhe në rrjetet sociale. Ajo që bie në sy është që kjo platforme është hartuar që në datën 20 shkurt ndërsa është bërë publike vetëm sot. Lëvizja ka shpallur 10 objektivat e saj që në thelb ngjasojnë me 10 propozimet për ndryshime statutore të Ben Blushit të publikuara pak ditë më parë, si: Funksionimi demokratik i PSSH; Mbrojtja e identitetit dhe vlerave të PS, të përcaktuara nga Statuti dhe Programi i saj; Fuqizimin e institucioneve shtetërore demokratike etj..

Po ashtu propozohen disa ndryshime statutore siç janë mos mbajtja më shumë se 2 mandate nga funksionarët e partisë dhe dekriminalizimi i saj. Lëvizja kërkon që të përcaktohen instrumentet, rregullat që do të bëjnë të mundur zbatimin e parimit të demokracisë funksionale, ku anëtarësia do të mundë të realizojë mocione mosbesimi ndaj organeve drejtuesi, si asambleja e kongresi. "Lëvizja për Demokraci" për Ben Blushin erdhi si rrjedhojë e situatës aktuale në PS, për një qasje demokratike. Pavarësisht se fraksionet ndalohen me statut, Blushi tha se do të vazhdojë të flasë përsa kohë s'ka zgjedhje në PS.

"Është një grup anëtarësh të Asamblesë që kanë propozuar disa ndryshime në statut dhe ka një qasje demokratike për atë që po ndodh. Fraksionet nuk janë të legalizuara por arsyeja për të folur nuk ka reshtur. Rilindja dhe PD janë të djathta. Unë jam futur në një parti të majtë dhe ajo duhet të respektojë statutin e vet dhe thelbin e ekzistencës së vet që është e majtë dhe punon për barazi”, deklaroi Blushi. Ai i bëri këto momente gjatë punimeve të Asamblesë, ku kundërshtoi propozimin e Ramës për referendum. "Propozimi për të shkuar në referendum është marrëzi dhe me këtë Edi Rama kërkon të marrë një mandat të përhershëm në krye të Partisë Socialiste".

Blushi tha se, përmes referendumit, kryetari i PS, Edi Rama kërkon të marrë një mandat të përhershëm. "Kjo e sotmja për të shkuar në referendum është marrëzi. Referendumi nuk bëhet për njerëz, por për çështje dhe këtu ndryshon. Zgjedhjet bëhen për njerëz, ndërsa referendumet bëhen për çështje. Kush është çështja këtu? Rama kërkon të marrë me referendum për mandat të përhershëm. Kërkon të shkohet pa zbatuar statutin në fuqi.

Do të kthehet në barsoletë kjo në këto 25 vjet. Nuk duhet të zbatojmë statutin në fuqi, por atë që s'ka hyrë në fuqi. Cila është pyetja që iu drejtohet anëtarëve të PS? T'i jepet Ramës mandati i përhershëm? Të mos ketë zgjedhje për kryetarin e PS? Është marrëzia e një njeriu që kërkon të shkojë në zgjedhje pa kandidat, që Edi Rama të konkurrojë përballë Edi Ramës", u shpreh Blushi. Sipas tij, Rama pranoi gabimet, por nuk kërkoi korrigjimin e tyre.
 
Lëvizja për Demokraci në PS
Rexhep Meidani
Maqo Lakrori
Ben Blushi
Mimoza Hafizi
Namik Kopliku
Ndre Legisi
Petrit Ago
Suzana Hakrama

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

5 vjet nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit me 51 viktima, Braçe: Nuk kisha parë aq shumë jetë të humbura në një agim

5 vjet nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit me 51 viktima, Braçe: Nuk kisha parë aq shumë jetë të humbura në një agim