Lind Shqiptarja.com
Qosja: Bëni një gazetë të lirë

Lind Shqiptarja.com<br />Qosja: Bëni një gazetë të lirë
Mediave shqiptare po u shtohet edhe një gazetë: po u shtohet Shqiptarja. Numri i mediave shqiptare – i gazetave, i televizioneve dhe i radiove sot është i madh, shumë i madh, por është i vogël, shqetësueshëm i vogël numri i mediave të pavarura, vërtet të pavarura.
Për arsye të leverdive të ndryshme, të privilegjeve të ndryshme, të promovimeve të ndryshme politike e shoqërore; për arsye se ishin dhe vazhdojnë të jenë të shantazhuara - disa; për arsye se ishin dhe vazhdojnë të jenë të kërcënuara – disa të tjera; për arsye se janë të blera prej tajkunëve të regjimit – disa të treta, këto media janë kthyer në daulle të qeverisë, në daulle të grupeve të ndryshme a në daulle të anëve të ndryshme të interesit. Ato kanë shkelur dhe vazhdojnë të shkelin standardet profesionale dhe parimet elementare etike të profesionit të gazetarisë. Ato janë bërë media të tabloidi(oti)zuara, banale, që prodhojnë gënjeshtra, shpifje, mosdurim, urrejtje në jetën kombëtare. Ato janë bërë media që në thelb cenojnë interesat e përgjithshme shqiptare sot.
Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numrit të saj të parë, unë dua të uroj një gazetë të pavarur: një gazetë që nuk do t’i shërbejë kësaj a asaj partie, këtij a atij klani, kësaj a asaj krahine, kësaj a asaj feje, këtij a atij sekti. Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numrit të saj të parë, unë dua të uroj një gazetë, vërtet, të pavarur: një gazetë që do t’u shërbejë gjithë qytetarëve të Shqipërisë, gjithë popullit shqiptar.
Stafi i Shqiptares, i pajisur me përvojë të madhe në gazetarinë dhe në publicistikën e sotme shqiptare, është premtimi se Shqiptarja do të jetë, vërtet, e tillë: gazetë e pavarur, në të cilën do të mendohet vetëm për interesat e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë pa kurrfarë dallimi, të gjithë popullit shqiptar pa dallime partie, krahine a feje.
Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numrit të saj të parë, unë dua të uroj gazetën, e cila në çdo kohë dhe në të gjitha kushtet, pa iu nënshtruar shantazheve a kërcënimeve të mundshme, do të paraqesë dhe do të mbrojë të vërtetën, dhe vetëm të vërtetën. Në jetën politike, shoqërore, kulturore, artistike, shkencore shqiptare sot prodhohen shumë, shumë gënjeshtra e mashtrime. Regjisorët e këtyre gënjeshtrave dhe mashtrimeve gjenden në partitë dhe në Qeverinë shqiptare, kurse kryesit e punëve të tyre të gënjeshtërta dhe mashtruese në ministritë dhe në institucionet e ndryshme shtetërore, politike, kulturore, shkencore. Shqiptarët në përgjithësi sot jetojnë të rrethuar prej gënjeshtrash dhe me gënjeshtra, që po helmojnë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, ndërmjet subjekteve të ndryshme politike, ndërmjet shtresave të ndryshme shoqërore. E kuptueshme: me gënjeshtra dhe nga gënjeshtrat njerëzit vetëm sa ndahen e përçahen. Është interes kombëtar, prandaj, që të bëhet betejë mendore e politike kundër këtyre gënjeshtrave, mashtrimeve e prodhuesve të tyre dhe të bëhet betejë mendore e politike kundër tyre me vetëdijen se vetëm me të vërteta i shërbehet afrimit e mirëkuptimit të njerëzve, përparimit të përgjithshëm shoqëror.
Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numrit të saj të parë, unë dua të uroj gazetën, e cila gjithnjë, pavarësisht prej shantazheve a kërcënimeve të mundshme, që ndodh t’i bëhen, do të paraqesë dhe do të mbrojë të drejtën. Janë të shumta dhe janë të shumëllojshme padrejtësitë në jetën shqiptare sot. Pushteti shqiptar më tepër dhe më vrazhdë se kurrë në historinë e shtetit shqiptar po bën padrejtësi. Partishmëritë, nepotizmat, miqësitë, krahinorizmat, janë bërë shkaku i gjithë këtyre padrejtësive, të shënuara në botë vetëm në periudhën e kapitalizmit të egër fillestar. Të vegjlit janë të shpërfillur dhe të përbuzur, kurse të mëdhenjtë – të servilizuar. Pasuria kombëtare është përqendruar dhe po përqendrohet në duart e një numri të vogël të njerëzve: të zyrtarëve politikë dhe të tajkunëve që u shërbejnë. Aftësia, dija, dhuntia, merita nuk e përcaktojnë fatin shoqëror të vetjes! Beteja mendore dhe politike kundër padrejtësive në jetën shoqërore shqiptare sot është betejë për paqen shoqërore, madje për ardhmërinë e popullit shqiptar.
Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numrit të saj të parë, unë dua të uroj gazetën e cila në çdo kohë e në të gjitha kushtet do të mbrojë standardet dhe vlerat demokratike. Demokracia, standardet dhe vlerat demokratike evropiane janë fjalët dhe togfjalëshat më të shpeshtë në gjuhën e sotme politike partiake shqiptare. Me to shpesh herë mbulohen përmbajtje jodemokratike, anakronike a reaksionare, vlera të rreme e kundërvlera. Le t’i përjashtojë Shqiptarja gënjeshtrat e tilla prej fjalorit të kryeministrit të Shqipërisë, le t’i përjashtojë Shqiptarja fjalët dhe frazat demokracia, vlerat evropiane, standardet demokratike, integrimi evropian, liberalizimi i vizave, qytetërimi evropian prej fjalorit politik të kryeministrit të Shqipërisë dhe të kryesve të punëve të tij dhe do të shohë se para syve të shqiptarëve në përgjithësi do të dalë një komunist, në të vërtetë një stalinist, i cili me asgjë, bash me asgjë, nuk i shëmbëllen politikanit a shtetarit evropian, i cili doemos nderon sovranitetin e popullit, i cili doemos nderon dinjitetin e kundërshtarëve politikë, i cili doemos zbaton standardet demokratike, i cili doemos realizon vlera evropiane me qeverinë e tij. Është interes kombëtar, prandaj, që të bëhet betejë mendore dhe politike kundër këtyre stalinistëve që vazhdojnë të mbahen në pushtet e të masakrojnë demokracinë në jetën shqiptare sot.
Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numrit të saj të parë, unë dua të uroj gazetën e cila do të paraqesë pa ngurrim dhe do të bëjë betejën pa ngurrim kundër të gjitha rasteve të racizmit fetar, kur e kur edhe racor në jetën shqiptare sot. Le t’i shikojnë dhe le t’i dëgjojnë kujdesshëm gazetarët e gazetaret e Shqiptares paraqitjet zyrtare e jozyrtare të disa pushtetarëve shqiptarë; le t’i lexojnë shkrimet a librat e disa publicistëve shqiptarë; le t’i lexojnë shkrimet në një varg sajtesh të autorëve të ndryshëm me emra të vërtetë a të rremë e do të shohin se racizmi fetar që shprehu kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë para pak ditësh është vetëm një rast, si më i dukshëm, në morinë e rasteve të tilla. Beteja politike dhe mendore kundër racizmit fetar do të duhej të ishte aq më e vendosur dhe aq më e pakursyer sepse ky racizëm nuk është as gjuhë, as sjellje e njerëzve të rëndomtë, nuk është as gjuhë, as sjellje e popullit, por e ”elitës” së tij politike e kulturore, i predikuar në radhë të parë për shkak të interesave që pandehin se u sjell atyre në përpjekjet për karrierë sa më të suksesshme në fushën në të cilën veprojnë, për promovime sa më të dukshme ndërkombëtare!
Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numri të saj të parë, e cila, si marr vesh, do të ketë edhe shtojcën javore kulturore me titullin shumë tregues dhe shumë detyrues, Rilindësi, unë dua të uroj gazetën, e cila jo vetëm se do të botohet në gjuhën standarde, por edhe do të bëjë betejë mendore, shkencore dhe politike për mbrojtjen e kësaj gjuhe prej atyre që po bëjnë përpjekje më të sofistikuara a më të vrazhda për cenimin, madje, për rrënimin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar ajo. Shqiptarja do të duhej ta bëjë këtë betejë mendore, shkencore dhe politike për gjuhën standarde duke i përkujtuar shumë shpesh kundërshtarët e saj se ajo është ndërtuar si gjuhë e njësuar, le të theksohet, si gjuhë e njësuar kombëtare, në të cilën është i përmbajtur i gjithë zhvillimi dhe e gjithë pasuria e të dy dialekteve kryesore shqiptare. Shqiptarja do të duhej ta bëjë këtë betejë mendore, shkencore dhe politike për gjuhën standarde duke i përkujtuar ata – kundërshtarët e saj, se gjuhët standarde krijohen jo vetëm për arsye shkencore, jo vetëm për arsye kulturore, por, më shumë se për to, për arsye politike: që të bashkojnë pjesëtarët e një Kombi. Shqiptarja do të duhej të bëjë këtë betejë mendore, shkencore dhe politike për gjuhën e njësuar kombëtare duke i përkujtuar, shumë shpesh, kundërshtarët e saj se asnjë popull në Ballkan, asnjë popull në Evropë, sot nuk e humb kohën historike me debate pseudoshkencore dhe pseudokulturore se cili dialekt është dashur të bëhet bazë e gjuhës së bërë standarde, nuk e humb kohën historike me përpjekje krahinore për rrënimin e gjuhës standarde, që në thelb mund të sendërtohen vetëm me cenime të rënda të përbashkësisë kombëtare, me përçarje kombëtare!
Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numrit të saj të parë, unë dëshiroj të uroj gazetën, e cila do ta tregojë konkretisht në faqet e saj dhe, njëkohësisht, do të bëjë betejën mendore e politike për krijimin dhe funksionimin e hapësirës së përbashkët kulturore shqiptare. Nuk është e vështirë të shihet se përpara njëzet, tridhjetë a dyzet vjetësh bëheshin shumë më tepër përpjekje për krijimin e kësaj hapësire se ç’po bëhen sot. Nuk është e vështirë të shihet se ndaj hapësirës së përbashkët kulturore kombëtare më tepër mënjanësi po tregohet në Shqipërinë shtetërore sesa në Kosovë. Le të jepen vetëm dy shembuj që, pavarësisht pse nuk janë aq të rëndësishëm, prapë tregojnë shumë. Televizioni Top-Channel, njëri prej televizioneve më të mira e më të shikuara shqiptare sot, në spicën e vitrinës së librave, që e jep të dielave në lajmet kryesore të orës 19 e 30 minuta, paraqet portretet e një numri të shkrimtarëve të Shqipërisë, por asnjë të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës a të Maqedonisë! Në Tiranë, po jo edhe në Prishtinë, sot ndodh të përpilohen antologji të poezisë a të tregimit shqip në gjuhë të huaja vetëm me autorë nga Shqipëria shtetërore. Kjo do të thotë se drejtuesit e Televizionit Top-Channel dhe autorët e këtyre antologjive letërsi shqipe quajnë vetëm letërsinë që krijohet në Shqipërinë shtetërore. A ka nevojë të theksohet se trajtimi i këtillë i letërsisë shqipe është i gabuar nga pikëpamja metodologjike e shkencore dhe i dëmshëm nga pikëpamja politike dhe kombëtare. Në Kosovë një ndarje e tillë e letërsisë shqipe nuk mund të ndodhë në asnjë institucion kulturor dhe në asnjë televizion – publik apo privat.
Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numrit të saj të parë, unë dua të uroj gazetën, e cila do të predikojë dhe do të mbrojë idenë e bashkimit kombëtar shqiptar, domethënë idenë e bashkimit të Shqipërisë dhe të Kosovës. Le të mos harrojë stafi i kësaj gazete se ideja e bashkimit shqiptar është ideja politike dhe historike që e ka lëvizur, që e ka çuar përpara deri te çlirimi i Kosovës, historinë shqiptare. Dhe, le të mos harrojë stafi i kësaj gazete se numri i kundërshtarëve të kësaj ideje, numri i kundërshtarëve të bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës, fatkeqësisht, po vjen duke u rritur. ”Arsye” për shtimin fatkeq të numrit të këtyre kundërshtarëve të idesë më të rëndësishme kombëtare në historinë shqiptare po fabrikohen në Shqipërinë shtetërore dhe po fabrikohen në Kosovë; disa prej këtyre “arsyeve” janë të përbashkëta, në Shqipëri e në Kosovë, kurse disa janë të veçanta. Por, si “ arsyet” e përbashkëta ashtu edhe ato të veçantat në të vërtetë janë ”arsye” të feudalëve politikë e kulturorë të cilët: ose dëshirojnë më shumë të jenë të parët në fshat se të dytët a të tretët në qytet, ose ardhmërinë historike të popullit shqiptar e mendojnë ashtu siç mendojnë ata që mund të shohin vetëm deri te kthesa e parë. Shqiptarja do t’u shërbejë historikisht interesave kombëtare sa duke e predikuar idenë e bashkimit shqiptar aq duke e komprometuar ideologjinë e këtyre feudalëve.
Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numrit të saj të parë, unë dua të uroj gazetën, e cila do të kultivojë dhe do të bëjë betejën mendore dhe politike për sistemin e vlerave, në të cilin do të jenë të përmbajtura vlerat mendore, kulturore, etike të traditës kombëtare shqiptare dhe vlerat moderne mendore, kulturore dhe etike botërore. Jetojmë në kohë pa sistem vlerash; jetojmë në kohë në të cilën edhe vlerat më të rëndësishme, më frytdhënëse historike kombëtare, po shpërfillen; jetojmë në kohë në të cilën prej qytetërimit dhe kulturës bashkëkohore botërore më shpesh se vlera po merren prodhime të subkulturës, që po ndikojnë shfytyrueshëm edhe në vlerat kombëtare. Në jetën tonë politike e shoqërore, në radhët e para kanë dalë shumë injorantë, shumë njerëz të paskrupuj, të cilët kanë shumë ndikim politik, kulturor, në të vërtetë pseudokulturor dhe shoqëror në përgjithësi. Beteja mendore, kulturore dhe politike kundër këtij ndikimi shfytyrues, beteja mendore dhe kulturore kundër vlerave të rrejshme në të vërtetë është betejë për krijimin e sistemit të vlerave, pa të cilin ne do të vazhdojmë të shohim dhe do të vazhdojmë të dëgjojmë çka po shohim e çka po dëgjojmë shumëkund në jetën shqiptare, madje, edhe në Kuvendin e Shqipërisë e, kur e kur, edhe në Kuvendin e Kosovës!
Duke e uruar Shqiptaren me rastin e botimit të numrit të saj të parë, dua të uroj gazetën, e cila do të bëjë betejën mendore dhe politike edhe kundër mbeturinave të realizmit socialist në gjuhën politike, në manifestimet e ndryshme politike e kulturore, në filmat e ndryshëm dokumentarë e artistikë, posaçërisht dokumentarë, në botimet e ndryshme letrare e shkencore, në gazetari dhe në publicistikë. Ç’ishte realizmi socialist? Falsifikim i realitetit! Paraqitje bardhë e zi e njëmendësisë. Glorifikim i të pavërtetës. Propagandim i mashtrimit. Do parë disa filma të sotëm dokumentarë dhe artistikë; do parë disa manifestime politike e kulturore; do lexuar disa vepra letrare, shkencore e publicistike; do lexuar disa artikuj në gazeta për t’u bindur sesa të përshtrira janë në jetën, në krijimtarinë, në politikën tonë mentalitetet , përmbajtjet, falsifikimet ala socrealiste! Beteja mendore dhe politike kundër tyre është betejë për të vërtetat e për vlerat politike, shoqërore, artistike, dokumentare, historike, shkencore në jetën tonë kombëtare.
Beteja mendore, politike dhe morale për vlerat e lartshënuara, në njërën anë, dhe kundër shfytyrimit e shfytyruesve të tyre, në anën tjetër, në të vërtetë është betejë për vetëdijesimin e popullit shqiptar që t’u përgjigjet në mënyrat përkatëse politike, shkencore, kulturore në përgjithësi, sfidave bashkëkohore. Ne kemi sot një elitë intelektuale me një numër pjesëtarësh të saj të përçarë partiakisht e me një numër tjetër të saj të heshtur, por ne nuk kemi ende një elitë intelektuale-demokratike-morale. Beteja mendore dhe politike për krijimin e kësaj elite është betejë për ardhmërinë shqiptare të liruar prej autoritarizmit, primitivizmit, dogmatizmit, tribalizmit, provincializmit; është betejë për qytetarinë dhe për demokracinë.
Beteja mendore dhe politike për krijimin e kësaj elite, si ndërtuese e gjedhes kritike kulturore, në të vërtetë është betejë për shndërrimin e demokracisë sonë të sotme rurale në demokraci moderne e kjo domethënë është betejë për evropianizimin tonë të vërtetë.
E uroj Shqiptaren që ta bëjë sa më suksesshëm, sa më krijueshëm, këtë betejë, që nuk është e lehtë dhe që nuk është e shkurtër. Dhe, do ta bëjë vetëm në qoftë se do të jetë gazetë, vërtet, e pavarur.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Skandali te Onkologjiku, mjekja Dollenberg: Shokuese, bluzat e bardha s’mund të bëjnë pazar me pacientët me kancer

Skandali te Onkologjiku, mjekja Dollenberg: Shokuese, bluzat e bardha s’mund të bëjnë pazar me pacientët me kancer