I lindur me membranë në zemër që pengonte qarkullimin e gjakut një bebe 2 muaj e gjysmë kthehet plotësisht i shëruar në shtëpi pas ndërhyrjes kardiokirurgjikale në QSUT ku i mbijetoi 10 arresteve kardiake.

Rast unik dhe një mrekulli thonë mjekët që i qëndruan 24 orë mbi kokën e vogëlushit për 3 javë.

“Fëmija ishte në gjendje shumë të rëndë, ishte i nxirë, rënkonte, mezi dëgjohej pulsi, mezi reagonte. Pas analizave u zbulua se kishte një defekt të lindur të zemrës. Iu nënshtrua menjëherë ndërhyhrjes kirugjikale të membranës. Nga ana kardiake dhe neurologjike fëmija konsiderohet i shëndetshëm”, tha dr. Numila Kuneshka.

Ndërkohë kardiokirurgu Altin Veshti tha se ishte një rast unik, sepse fëmija erdhi në gjendje të rënduar.

“Është futur në sallën e operacionit nga mua bashkë me asistenten time dr. Fiorba Mana. Operacioni nuk zgjati shumë, por dëmet e shkaktuara ishin të mëdha. Mbi 10 herë zemra e tij ka pësuar arrest kardiak dhe ne mbi 10 herë me anë të masazheve e kemi risjellë në jetë. Sot ky fëmijë pas tre javësh bëhet gati për të shkuar në shtëpi. Është një patologji shumë e rrallë. Gjatë gjithë jetës jam ndeshur me dy raste të tilla, që kanë rezultuar dy ndërhyrje të suksesshme”, u shpreh kardiokirurgu Altin Veshti.