TIRANE- Vitin e ri akademik studentët do ta kenë të qartë se çfarë universiteti do të ndjekin dhe se sa i përmbush kushtet e duhura, kjo pasi në tetor do të bëhet shpallja dhe renditja cilësisë së tyre. Agjencia britanike që ka marrë përsipër akreditimin dhe vlerësimin e shkollave të larta, do të bëjë publik renditjen e universiteteve dhe pikët e tyre. Ministria e Arsimit Lindita Nikolla deklaron se ky proces do të bëjë ndarjen mes universiteteve cilësore dhe atyre që nuk plotësojnë standardet për të qëndruar në treg.

“Ato universitete të cilat do të kalojnë këtë kufi, nënkuptimin e cilësisë për çdo student do të jenë ata të cilët do të zhvillojnë aktivitetin e tyre. të tjerëve do t;iu lihet kohë për të përmirësuar punën, kurse për të tjerët që nuk sigurojnë parametrat për të ofruar diploma cilësore, të përshtatshme me tregun e punës në Shqipëri dhe atë evropian, nuk do të jenë pjesë e gënjeshtrës së madhe dhe e këtij inflacioni me diploma që nuk ofrojnë asnjë gjë” ka pohuar Nikolla. Sipas saj, arsimi i lartë do t’i nënshtrohet një reforme të thellë që si synim kryesor ka cilësinë e diplomave dhe ndarjen e shkollës nga biznesi.

Kjo e fundit vlen për 45 universitet private që sot në këmbim të pagesës së studentit, garantojnë diplomën. Për ministren Nikolla këto institucione nuk do të kenë fonde nga buxheti i shtetit nëse nuk funksionojnë vetëm si shkolla dhe jo biznese. Hartimi i ligjit të ri për arsimin e lartë i është besuar një komisioni të posaçëm, të ngritur nga ministria e Arsimit. Nëntë profesorë të shquar të fushave të ndryshme, njëherësh drejtues në universitetet publike, private dhe jashtë vendit do të hartojnë draftin për ndryshimet në arsimin e lartë, standardet që duhet të plotësojnë universitetet për të vijuar funksionimin, cilësinë e stafeve të profesorëve, diplomave por dhe skemën e re të financimit të tyre.

Kjo reformë pritet të marrë kohë, megjithatë brenda këtij mandati qeveria e majtë siguron se do të këtë gati ligjin e ri për arsimin e lartë, i cili do të bëjë ndarjen mes universiteteve që duhet të jenë në treg dhe atyre që nuk duhet të punojnë më si të tillë.


Shkrimi u publikua sot (07.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)