Qindra besimtarë kanë kremtuar meshën e vigjiljes së Krishtlindjes në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër. Mesha solemne u drejtua nga Giovanni Peragine, i cili u ndal jo vetëm te rëndësia shpirtërore e Krishtlindjes, por përcolli edhe një mesazh të fortë për gjithë shoqërinë.
Arqipeshkvi theksoi se, ndërsa rrugët, sheshet dhe shtëpitë janë të ndriçuara nga dritat festive, ekziston rreziku që vetë kuptimi i Krishtlindjes të errësohet, nëse ajo mbetet vetëm një festë sipërfaqësore. Ai bëri thirrje që Krishtlindja të ndriçojë edhe shpirtin, duke nxitur harmoni, solidaritet dhe dashuri mes njerëzve.
Sipas tij, kjo festë e rëndësishme për besimtarët nuk duhet të kufizohet vetëm në simbole dhe zbukurime, por të shoqërohet me veprime konkrete të mira dhe përmirësim të secilit në jetën e përditshme.
“Kjo është thirrja e Krishtlindjes dhe ky është mesazhi që Jezusi përcjell me lindjen e Tij”, u shpreh Arqipeshkvi.
Në përfundim, Giovanni Peragine u bëri thirrje katolikëve të Shkodrës që të jenë shembull për shoqërinë, në një realitet të shënuar jo vetëm nga varfëria materiale, por edhe nga ajo morale.
Lajmi kryesor:
Gëzuar Krishtlindjen! Besimtarët lutje e mesazhe në meshë! Kryepeshkopi Joan: Bota ka nevojë për dritën e Krishtit! Dodaj: Ecim me shpresë përballë çdo zhgënjimi










