Një zhvillim interesant vjen nga futbolli spanjoll, ku Lionel Messi ka blerë klubin e nivelit së pestë UE Cornella, duke hyrë zyrtarisht në botën e menaxhimit dhe pronësisë së skuadrave.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi katalanas, i cili theksoi se kjo lëvizje është pjesë e një strategjie për zhvillimin e talenteve vendase dhe forcimin e futbollit në rajon. Sipas deklaratës, investimi i Messit lidhet ngushtë me historinë dhe lidhjen e tij të fortë me Barcelonën dhe rajonin e Katalonjës.

Fituesi i Kupës së Botës 2022 me Argjentinën, i cili ka shkëlqyer për vite me radhë te Barcelona përpara se të luante me Paris Saint Germain dhe Inter Miamin, po synon tashmë një rol të ri jashtë fushës së blertë.

Sipas gazetës spanjolle “La Razon”, Messi ka shpenzuar rreth 2 milionë euro për blerjen e UE Cornella. “Ardhja e Leo Messit shënon fillimin e një epoke të re në historinë e klubit, që synon nxitjen e rritjes sportive dhe institucionale, forcimin e themeleve të tij dhe vazhdimin e investimeve në talente", thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Tetë herë fituesi i “Topit të Artë” vjen nga një tjetër sukses, pasi udhëhoqi Inter Miamin drejt trofeut të parë në MLS sezonin e kaluar, duke treguar ndikimin e tij të vazhdueshëm në futboll, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

UE Cornella është pjesë e nivelit të pestë në futbollin spanjoll dhe ndodhet pranë play-off-it për t'u promovuar më sipër.