Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Madrid të Spanjës, ku do të zhvillojë takime me udhëheqës ndërkombëtarë për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe koordinimin e hapave të ardhshëm drejt paqes.

Gjatë vizitës, Zelenskyy pritet të takohet me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, ndërsa në fokus të bisedimeve do të jetë sigurimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore, veçanërisht në prag të dimrit, kur Ukraina përballet me sulmet e vazhdueshme ajrore ruse.

Presidenti ukrainas bëri të ditur gjithashtu se në ditët në vijim do të zhvillojë kontakte me zyrtarët amerikanë, përpara bisedimeve të planifikuara trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Abu Dhabi.

“Në ditët në vijim, janë planifikuar edhe kontakte me palën amerikane”. Ne po koordinohemi me partnerët tanë për të arritur rezultate të prekshme në çështjet e sigurisë dhe hapat e ardhshëm drejt paqes.”-shkroi Zelensky.

I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, ka njoftuar se delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë do të mblidhen në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor, me ndërmjetësimin e SHBA-së. Bisedimet pritet të përqendrohen në përfundimin e luftës në Ukrainë, garancitë e sigurisë pas luftës dhe uljen e tensioneve mes palëve.

Para mbërritjes në Spanjë, Zelenskyy zhvilloi takime në Gjermani, ndërsa vizita në Madrid shihet si pjesë e përpjekjeve të Kievit për të siguruar mbështetje të mëtejshme ndërkombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.