Liqeni i Fierzës është ndër atraksionet ende të pashfrytëzuara të turizmit malor në shqipëri.
Lundrimi mes malesh nga Kukesi ne drejtim të hidrocentralit më të madhe shoqërohet me pamje unike që veç bukurive natyrore të dhurojnë qetësinë dhe çlirimin pas ditëve intensive të punës.
Brigjet rreth liqenit në të dy anët e tij ofrojnë atë Shqipërin autentike larg ndërtimeve të stilit modern që prishin imazhet natyrore të zonave të tilla.
Ndër veçoritë që ofron liqeni i Fierzës është dhe Ishulli i Lejlekëve, një ndër ishujt dhe gadishujt që përshkojnë hapësiren ujore mes malesh.
“Shtëpia” e qindra lejlekëve ofron pamjet magjepsësee që jo shpesh syri i njeriut mund t’i shikojë nga afër.
“Lejlekët kanë ardhur nga qetësia që ka ky vend këtu, nuk i trazon kush. Vijnë njerëzit për të gjuajtur këtu, nuk i lejojmë“, thotë Nuredin Kataroshi.
Bujaria e banorëve në të dy anët e liqenit është mbresëlënëse. Nuredin Kataroshi është ndër banorët që ka zgjedhur të jetojë në vendlindje përkundër vështirësive. Dëshiron të zhvillojë turizmin, por thotë se duhet që infrastruktura të jetë më e përmirësuar dhe shteti t‘i japë një dorë edhe banorëve që ende jetojnë përreth liqenit të Fierzës atje në thellësitë e veriut shqiptar.
“Ka pamje të bukura, gryka, ishuj, kodrat afër bregut. Vijnë flenë me çadra ikin, vijnë me varka të vogla. Ata vetë shërbejnë. Mua më njihet vetëm 300 metra tokë, asnjë pjesë toke tjetër. Është shfrytëzuar vetëm për shtetin. Qeveria e quan fshat turistik. Çdo gjë këtu e kam bërë me shpenzimet e mia. Nuk jam dorëzuar dhe vazhdoj të qëndroj“, thotë Kataroshi.
Mehmet Dervishi nga fshati Blerim i Fushë Arrëzit është ndër të rinjtë që ka zgjedhur të jetojë në vendlindje. Ushtron profesionin e varkëtarit. Thotë se edhe në liqenin e Fierzës i cili deri tani nuk është shfrytëzuar, kanë filluar të frekuentojnë turistë, kryesisht ata të huaj.
“Vijnë turistë, sidomos verës. Është mrekulli. Edhe për ne që i shohim çdo ditë në qarkullim, ndezin zjarre“, thotë ai.
Liqeni i Fierzes, fatkeqësisht ende i pashfrytëzuar për turizëm, ka çfarë ofron për vizitorët në një lundrim mahnitës që zgjat në të gjithë gjatësinë e tij për afro 4 orë mes emocionesh që dhuron kjo hapësirë deri tani e shfrytëzua për energji dhe peshkim.
Komente










