Lira turke shënon rënie të madhe pas fitores së presidentit Erdogan

Lira turke shënon rënie të madhe pas fitores së presidentit Erdogan

Presidenti amerikan Joe Biden e ka uruar homologun turk, Rexhep Tajip Erdogan për fitoren në balotazhin e së dielës në Turqi. Erdogan siguroi edhe një mandat pesë vjeçar duke fituar ndaj kandidatit të opozitës së bashkuar, Kemal Kilicdaroglu. Presidenti Erdogan duhet të përballet me inflacionin në rritje që ka nxitur një krizë të kostos së jetesës. Kundërshtari i tij kishte kërkuar të ndryshonte prirjet gjithnjë e më autoritare të Erdogan, duke premtuar se do t'u kthehej normave demokratike. Por në fund, votuesit zgjodhën njeriun që ata e shohin si një udhëheqës të fortë.

Pasi rezultatet i dhanë atij 52% të votave në balotazhin e së dielës, krahasuar me 48% për rivalin e tij, Kemal Kilicdaroglu, Erdogan mbajti dy fjalime falenderuese, një në Stamboll dhe një në Ankara

“Askush nuk ka humbur sot. Të 85 milionë turqit fituan. Si kërkesë e përgjegjësisë që na ka dhënë kombi ynë, ne nuk jemi të ofenduar, të inatosur apo të zemëruar me askënd. Tani është koha të lëmë mënjanë të gjitha debatet dhe konfliktet e fushatës zgjedhore dhe të bashkohemi rreth synimeve dhe ëndrrave tona kombëtare”, tha presidenti turk, Erdogan.

Pas konfirmimit të fitores së zotit Erdogan, Lira turke shënoi rënie rekord ndaj dollarit amerikan të hënën mirëpo bursa turke tregoi shifra në rritje. Lira turke ka rënë me rreth 7% që nga fillimi i vitit dhe ka humbur më shumë se 90% të vlerës së saj gjatë dekadës së fundit. Banorët e Stambollit megjithatë u shprehën optimist.

“Unë mendoj se kursi i këmbimit do të rritet më tej nga ky moment. Nuk mund të them një numër të saktë, por mendoj se do të jetë shumë më i lartë se shifra aktuale deri në fund të vitit”, thotë banori i Stambollit, Omer Yildiz.

“Meqenëse të gjithë ishin kaq të përqendruar te zgjedhjet, çmimet u rritën shumë, tregu ishte në vështirësi. Por falë Zotit, rezultati ndodhi ashtu siç donim, ne presim që rritja e çmimeve të ngadalësohet tani”, thotë Kenan Batur, një tjetër banor i Stambollit.

Presidenti Erdogan tani e ka të sigurtë qeverisjen deri në vitin 2028, duke siguruar edhe pesë vite të tjera si udhëheqës i një vendi në udhëkryqin e Evropës dhe Azisë që luan rol kyç në NATO. Tani ai duhet të përballet me inflacionin në rritje që ka nxitur një krizë të kostos së jetesës dhe vazhdimin e rindërtimeve në zonën e goditur nga tërmeti që shkaktoi vdekjen e mbi 50,000 njerëzve. Kandidati i opozitës Kilicdaroglu ishte zotuar të kthejë Turqinë në demokracinë parlamentare dhe të lirojë të burgosurit e njohur politikë.

“Tani kam një kërkesë për ju, për fëmijët tuaj, për pensionistët, për nënat dhe baballarët tanë, për vëllezërit tanë fermerë dhe tregtarë, mbështesni luftën për demokraci”, tha zoti Kilicdaroglu.

Erdogan dhe media pro-qeveritare e portretizuan zotin Kilicdaroglu, i cili kishte mbështetjen e partisë pro-kurde, si bashkëpunëtor të “terroristëve”. Ai tha se vendi ka nevojë për një udhëheqës të fortë për t'iu kundërvënë aleatëve perëndimorë të Turqisë dhe për tu përballur me sfidat e rrezikshme të rajonit që përfshin Sirinë dhe Ukrainën.

Ajo që ka rritur shqetësimin e aleatëve tradicionalë perëndimorë të Turqisë është se Erdogan ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin, pavarësisht sulmit të Rusisë në Ukrainë, një marrëdhënie që ai u zotua ta thellojë gjatë fushatës së tij zgjedhore. Presidenti turk dhe aleatët e tij gjithashtu thanë se Kilicdaroglu mbështet ata që pushtetarët i përshkruan si “devijantë” të të drejtave LGBTI. Në fjalimin e tij të fitores, zoti Erdogan përsëriti këto akuza, duke thënë se pjesëtarët e komunitetit LGBTI nuk mund të “infiltrojnë” partinë e tij në pushtet ose aleatët e saj nacionalistë./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Simone Inzaghi 'kërcënon' Milanin: Dimë si fitohet në derbi, qëndroj te Interi

Simone Inzaghi 'kërcënon' Milanin: Dimë si fitohet në derbi, qëndroj te Interi