Deri sa të bjerë në dorën e lexuesve, ky prezantim le të shërbejë si një takim i parë me këtë krijimtari të panjohur të Isuf Luzajt, i cili ndër të tjera shënon në fillim të librit: “Duke mos iu bindur asnjë shkolle, vargjet e mia u ngjajnë pak, në sipërfaqe, jo në thellësi, të gjitha shkollave, si atyre letrare, dhe atyre filozofike, sepse dituria dhe artet nuk janë monopole të askujt. Do të gjenden aty-këtu në poezitë e mia reflekte, si hije pasqyre kujtime, pa qenë ngjasime të letërsive hindu, arabe, budiste, myslimane aq sa edhe ruso-sllave, greko-latine dhe anglosaksone, porse gjithnjë origjinale - shqiptare. Ky është besimi im, sepse ky është edhe ligji i jetës: ligji i Natyrës.
Ky është ligji i Universit. Aty ku në natyrë na duket çrregull, është rregull dhe vice-versa. Ky është ligji i shpirtit të njeriut, me dhembje, pasione, gëzime, trishtime që vazhdojnë njëra-tjetrën dhe që janë po një ESENCË, ndonëse na duken kontradiktore. Psikiatria moderne e shpjegon mirë funksionin e mekanizmave të trurit në një evolucion sentimentesh që shkojnë nga gëzimi në dëshpërim; nga dhembja në paqe, nga hidhërimi në gëzim, nga ekstaza në agoni. Përtej çdo koncepti moral: së ligës dhe së mirës...”
LIRIA
Koncepte abstrakte të një Ideali multidimensional i parealizuarshëm kurrë në jetë.
1
Liria e Konfucit është asgjësimi i jetës në shërbim të një ideje abstrakte të papërkufizuar, pa ligje, pa rregulla, pa apoftegma as korrollarë, pa dimensione, pa trajta, pa shije, me qëllim iluzionar që t’i shërbejë shoqërisë njerëzore. Dhe ajo shoqëri nën atë prizëm nuk ekziston.
2
Liria e Budës është krasitja, pastrimi i ferrave dhe drizave të shpirtit, pa i zëvendësuar plagët e krasitjes me lule, pemë dhe veprim që t’i japë shije jetës. Ai njeri, me atë liri është vetëm një krijesë fiktive e imagjinatës, e pamundur të konceptohet në realitet me funksione jete.
Ai pastrim shpirtëror që duke zhdukur dëshirat e mishit e të gjakut të cilat shkaktojnë dhembjet për t’u ngjitur në sferën e NIRVANËS, e bën të pamundur prakticitetin e saj, sepse zhduk fuqinë vërvitëse (ELAN VITAL – BERGSON) për idera, ideale që krijojnë qytetërimet.
3
Liria e Sokratit qe një përpjekje guxim (trimërije) për të hedhur poshtë, si sofizmin, dhe mitologjinë foshnjore të politeizmit romantik, për të krijuar një ZOT të vetëm, porse nuk e tha nëse ky Zot do të ishte ndëgjonjës, vështronjës, mendonjës dhe komunikonjës me njerinë, me anë të lutjes dhe përgjigjes që është mrekullia që provon se lutja u dëgjua dhe u pranua. Pra, u dha ç’qe kërkuar.
Kjo liri është e konceptuarshme vetëm në abstraksion, jo në realitetin e jetës. As Platoni, as Aristoteli, as Thomai i Aquinias nuk e mbushën dot këtë boshësi që ndan ëndrrën nga realiteti.
Shërbimin e madh që bëri kjo liri qe zhdukja e frikës së njeriut nga hakmarrja e perëndive të Olimpit për të fituar një lloj indipendence mendimi e veprimi, bazuar në logjikë. Nga ana tjetër, e zhveshi ndërgjegjen nga ndjenja dhe imagjinata krijonjëse.
4
Liria e Krishtit me bazë themelore “ARBITRI I LIRË”, aftësia e njeriut të zgjedhë njërën nga të dyja: TË MIRËN apo TË LIGËN = vetëvendim.
Që koncepti i ri i lirisë, i pajisur me dashuri, vërtetësi, mëshirë e kompasion, në shërbim të një Zoti, ndëgjonjës, parës, mendonjës dhe komunikonjës me njerinë me dialogun e sinqertë në mes lutjes dhe përgjigjes, që është mrekullia.
Kjo liri është e bazuar në Besë (FOI – FAITH – FEDE) që është e pamundshme të përkufizohet me logjikën shkencore. (Spekulohet në Metafizikë, Metalogjikë që janë arte, jo shkenca arsyetimi dhe merr trajtë në Teologji).
Deri sot gjithë ç’është thënë mbi Besën qëndron në sferën e abstraksionit të spekulimit Metafizike e Mitologjike*.
5
Liria e Islamit qe FATALIZMI, i cili është një rreth i hekurt që shtrëngon, burgos dhe asgjëson imagjinatën, e cila kërkon të zbulojë misterin e jetës – ADN-në – sekretet e natyrës dhe nga Logjika që kërkon të njohë shkaqet dhe efektet e ndodhive, sa në mikrokozmos, aq edhe në makrokozmos, si dhe në krijimin e ndodhive historike. Kjo është arsyeja që ata popuj, të cilët adaptuan atë filozofi, nuk përparuan as në shkenca, as në arte. Ajo liri e vdekur konvertohet në një obsesion FATALIZMI, në të cilin njeriu është një lodër në duar të FATCAKTIMIT që në çastin kur embrioni ngjallet në barkun e nënës.
Kjo liri nuk i dha njerëzimit një mesazh ose një testament dashurie që të shprehej në të gjitha artet, as një testament për zhvillimin e kurioziteteve shkencore të popujve, aq më pak falje, kompasion e bashkim në mes popujve.
I pruri njerëzimit dhe më përpikërisht Afrikës, këmbimin e mentalitetit primitiv, shtazor, në një mentalitet njerëzor, ndonëse jo nga përparimi, por nga frika e Ferrit. Disa popuj afrikanë ishin ANTROPOFAGË – KANIBALË, hante i biri të atin të pjekur në prush, pas vdekjes. Frika e Ferrit (XHEHENEMIT) të tmerrshëm siç e përshkruajti Profeti poet, nga zjarri me katran të valuar, ku mëkatari do të digjej për shekuj të shekujve duke rrojtur i gjallë. Pruri higjienën fizike. Në Azi dhe Afrikë njerëzit vdesin nga infeksionet më vulgare. Pastrimi i trupit eliminoi epidemitë. Krijoi një KOD CIVIL (KURANI) perfekt për ato kohë, kur femra shitej e blihej në pazar të tellallit dhe rrihej e therej si kafshë nga i shoqi.
6
Liria e Revolucionit Frëng 1789 u pruri popujve mesazhin e çlirimit nga monarkitë e mykura, të pamësuara (ignjoranti), autokrate dhe gjakësore. U mësoi popujve shijen e lirisë politike (po vetëm politike, jo shpirtërore) dhe kriterin si mund ta fitojnë atë me gjak.
*SHËNIM
Në studimin tim që përmbledh shkurtimisht punën time në katedra universitare, me titullin “Ditari i Mësonjësit” jam përpjekur të përmbledh gjithë ç’është shkruar mbi këtë termë, nën prizmin tim, si interpretim e shpjegim. Mendoj që duhet të presim disa shekuj derisa popujt e planetit tonë të mund të përtypin Metafizikën dhe Metalogjikën siç përtypin sot Teknologjinë. Ka edhe një mundësi që procesi evolutiv materialist t’i largojë popujt nga kjo poezi qiellore që quhet: Zbulimi i Misterit.
Kjo qe arsyeja që për të mos e torturuar mendjen e njeriut në një tunel pa dritë dalje, Krishti shtoi: “Të lumtur ata që do të jenë të thjeshtë në shpirt, që nuk do të kërkojnë shpjegime e sqarime mbi ekzistencën e Zotit: atyre u përket Parajsa”.
Filluan të zgjohen popujt e Europës që po flinin gjumin letargjik shekullor në robëri. Mirëpo, fatkeqësisht Revolucioni Frëng falimentoi pikërisht nga ekzagjerimi i dimensioneve të tij, sepse nuk vuri cakun ekzakt ku mbaron liria dhe ku fillon detyra. Ajo liri pruri në fron perandori një korsikan, racë kaçaku që mbushi Europën me varre, si të djemve të tij dhe të djemve të botës deri në Moskë, sa më në fund, Franca mbaroi në një palestër komedie të inglizëve dhe gjermanëve dhe populli frëng mbeti më i robëruar sesa ishte përpara revolucionit të tij famëmadh.
Ajo liri, që vdiq në fillim të shekullit të 19-të pruri në shekullin e 20 diktaturat më të shëmtuara që njeh historia: nazizmin, komunizmin, me kulmin në diktaturën ruse. Diktatura naziste errësoi atmosferën me tymin e furrave krematore, ku u dogjën gjysmë të gjallë afërsisht shtatë milionë njerëz, po të besojmë statistikat franko-gjermane.
Diktatura marksiste, nxënësja e lirisë frënge, i dha njerëzimit shembullin më të përgjakshëm e të turpshëm që kurrë s’pati parë historia: 219 fusha përqendrimi; punë të detyruar ku 45 deri 50 milionë rusë punuan e vdiqën gjatë 70 vjetëve tortura. Statistikat ruse të vitit 1995 tregojnë me numra të saktë që në ato fusha përqendrimi kaluan afërsisht 70 milionë frymorë, brez pas brezi, që nga krijimi i tyre me STALININ dhe mbylljen e tyre me GORBAÇOVIN.
Kjo liri e popujve pa klasa ndezi zjarre rreth e qark planetit, deri në atdheun tënë të vogël.
Sociologët, statistikët dhe shkrimtarët e shpirtit të popujve mendojnë që në gjithë planetin kanë vdekur në luftëra deri në ditët e sotme afërsisht 110 milionë frymorë dhe në fusha përqendrimi (në Kinë 408 fusha) jetojnë si kafshë të lidhur për huri afërsisht 18 milionë frymorë që punojnë 12-14 orë në ditë dhe që vdesin përpara moshës 50 vjeç; deri sot 1996.
7
Liria demokratike Euro-Amerikane 1945-1995, është relative dhe me fizionomi të ndryshme, sipas popujve dhe idiosinkrazisë së tyre.
Demokracia sanksone amerikane është shumë relative në kuptimin filozofik: është liria kapitaliste shfrytëzonjëse e popullit injorant. Në këtë xhungël (braziliane antropofage) popujsh, racash, ngjyrash, besimesh e gjuhësh të ndryshme filozofia e lirisë, sipas meje, mund të përkufizohet kështu: Zoti është dollari. Feja është nëpunësia. Kisha është Banka. Kush nuk ka dollarë, s’ka Zot që ta shpëtojë, kush nuk punon, nuk ka Fe ose Besim që ta ngushëllojë. Kush nuk viziton Bankën çdo muaj, nuk ka kishë ku të falet për të adhururar Zotin dollar.
Liria gjermane, frënge, angleze e këtyre 50 vjetëve të fundit nuk dha tjetër përfundim veçse një disiplinë pune me sakrifica të mëdha për popullin e paditur, i cili jeton vetëm që të mbushë barkun me bukë. Sundon kapitalizmi pak më ateist se ky amerikani i veriut. Kjo liri deri më sot nuk ka arritur asnjë traguard të vërtetë e konkret, që është lumturia e të gjithë popullit.
Liria italiane, trashëgimtare e veseve fashiste me ngjyrë të kuqe, të rrymtë, të verdhë ose të bardhë në vend të ngjyrës së zezë. Pas një euforie false të pasluftës, pruri degjenerimin më të turpshëm të botës në jetën shoqërore: vdiq koncepti i nderit, si i burrit, dhe i femrës. Nuk mund të jetë i ndershëm një seks pa bashkëpunimin e çekut. Në jetën fetare pruri një liberalizëm ekstrem të mbëshehur nën praktikën e ceremonisë së 70.000 kishave, që u transformuan në qendra prozilitiste politike për të justifikuar degjenerimin seksual.
Sipas statistikave të zyrave civile, fetare, gazetare dhe postindare politike, në Italinë e sotme vetëm në fshatra të vegjël ekziston koncepti i nderit – monogamisë. Në qytetet e mëdha e të mesme, në 72 qendra pune vetëm 2 deri 5 për qind të familjeve jetojnë në harmoni të sinqertë, 95 deri në 98 për qind e mbajnë harmoninë familjare sipërfaqësore, sa për sy e faqe, të mbështetura në një poligami ateiste liberale të neveritshme. Prindërit nuk janë të sigurt të jenë prindër biologjikë të pjelljes së tyre.
Në pikëpamje morali dhe Etike, Italia ka zbritur në shkallën e fundit. Oficerë policie në bashkëpunim me drogistë, kapitalistët e mëdhenj në bashkëpunim me MAFIAN; qeveritarë e shtetistë: kusarët më të mëdhenj të Historisë së botës: Presidentë republike kusarë të thesarit të shtetit (LEONE); kryetarë qeverie kusarë të buxhetit të shtetit (KRAKSI), ministra, trupi diplomatik... kusarë të përditshëm, siç e tha juristi DI PIETRO, po të jemi të sinqertë, 90 për qind e qeveritarëve duhet të vdesin në burgje.
Liria dhe demokracia e popujve latino-amerikanë, duke filluar nga Poli i Jugut me Argjentinën, për të mbaruar në Meksikë, është aq e ulët, aq e turpshme, saqë është e neveritshme ta analizosh; vetëm po e përmbledh me pak fjalë. Që më 1950 deri më 1996, në të 20 republikat latino-amerikane nuk ka qeverisur asnjë President që të mos ketë vjedhur, duke filluar nga Peroni me 1057 kilogramë flori...
Duke lënë mënjanë mistrecët e tjerë latino-amerikanë: kusarë, të degjeneruar, hipokritë, demagogë, tradhtarë të popujve të tyre, nxitohem të përfundoj këtë panoramë të shëmtuar me dy kubanë: Batista, kusari më i pamasë në historinë e këtyre popujve, dhe Kastroja, përbindëshi pakidermë i popullit të tij, që pa u ngopur me krime, tortura dhe tirani arriti në shkallën më të ulët të njeriut-bishë: rivalëve të tij në burgje u injektoi mikrobin e SIDA-s, të cilët vdiqën e po vdesin me dhembje të tmerrshme, saqë ulurimat e tyre, tha një gazetar amerikan, dëgjohen disa metra larg burgjeve.
Ky ua kaloi si Hitlerit dhe Stalinit.
Më vjen neveri kur mendoj që e kam pasur nxënës në Fakultetin e Drejtësisë në Buenos Aires si këtë bishë dhe Çe Guevarën e çmendur...
Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)