Nga e hëna e 13 majit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Shtetit do të ndërhyjnë në rrugët kombëtare në një aksion masiv për të liruar hapësirat e zaptuara, kryesisht në anë të rrugëve.

Ky aksion, i cili do të nisë në akset Tiranë-Durrës dhe Durrës-Rrogozhinë, synon heqjen e çdo tabele reklame të paligjshme, vendeve ku depozitohen materiale apo edhe ndërtime pa leje, kryesisht kioska, apo mure rrethues, që pengojnë fushëpamjen dhe rrezikojnë sigurinë e shoferëve. Pas pastrimit, në një fazë të dytë, këto zona do të shndërrohen në korridore të gjelbra, me mbjellje pemësh dhe dekor urban

Këtë të premte, drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita, priti në një takim organizativ kreun e ARSH-së, Ami Kozeli.

Prej kohësh bizneset janë njoftuar t’i heqin vetë materialet e paligjshme dhe me ndërhyrjen, pritet të ketë masa nga gjobë deri në ndjekje penale.