Licencimi i rreth 700 stomatologëve në Shqipëri vitin e fundit (prill 2025-prill 2026) është bërë me një vulë të paligjshme. Një hetim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arritur në konkluzionin se vula që aktualisht përdoret nga Presidenti i Urdhrit të Stomatologut, Almiro Gurakuqi, është nxjerrë nga strukturat e Policisë së Shtetit në kundërshtim me procedurat ligjore (ligjin e vitit 1993 dhe një urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë i vitit 2023).
Por çfarë ka ndodhur?!
Situata duket shumë e paqartë. Historia nis në vitin 2023. Në nëntor të atij viti, kreu i atëhershëm i Urdhrit të Stomatologëve Nikoll Deda u pezullua nga detyra me vendim gjykate pasi u akuzua se kishte kryer abuzime të shumta financiare dhe punësime të paligjshme. Ai ishte zgjedhur Presidenti i parë i Urdhrit të Stomatologut në vitin 2015 dhe ishte rizgjedhur në vitin 2020 për mandatin e dytë dhe të fundit 5-vjeçar. Në nëntor 2024 çështja në ngarkim të Dedës çohet për gjykim dhe ai vazhdonte i pezulluar, ndërkohë që ishte marrë edhe masa e sigurisë arrest me burg.

Nikoll Deda
Më 9 prill 2025, Almiro Gurakuqi, në atë kohë Presidenti Rajonal në Tiranë i Urdhrit të Stomatologut i kërkon Policisë së Shtetit pajisjen me një vulë të re për zyrën kombëtare të USSH. Ai argumentonte se Nikoll Deda vijonte të ishte i pezulluar nga detyra me vendim gjykate dhe se ndaj tij ishte caktuar masa e sigurimit (Arrest me burg); Zv/Presidentja e USSH kishte dhënë dorëheqjen pasi edhe ajo vazhdonte në ndjekje penale, Sekretari i Përgjithshëm ishte shkarkuar nga detyra, zyra e USSH ishte e bllokuar dhe vula origjinale nuk gjendet. Për këtë arsye kërkonte zëvendësimin e vulës.

Almiro Gurakuqi
Përmes një procedure, ende të paqarte nga policia, pasi Gurakuqi nuk e kishte tagrin të kërkonte vulë për institucionin, del një tjetër vulë për të njëjtin ent më datë 18 prill. Por 3 ditë më herët, më 15 prill 2025, Almiro Gurakuqi thërret zgjedhje dhe merr pozicionin e Presidentit të Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë.
9 muaj më vonë, bëhet një tjetër proces zgjedhor në USSH dhe në dhjetor 2025 njoftohet se Arben Muçaj është zgjedhur President. Muçaj së bashku me ish Presidentin Nikoll Deda, nuk e njohin si president Almiro Gurakuqin dhe e konsiderojnë si uzurpues të postit dhe të zyrave.

Arben Mucaj
Më 29 janar 2026, Deda i nis një shkresë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, shkresë të cilën e vulos me vulën e vjetër, ku i kërkon verifikimin e procedurave të nxjerrjes së vulës së re. AMP pasi bëri verifikimet, doli në përfundimin se procedurat nuk ishin respektuar dhe më datë 2 prill njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë të marrë masa ndaj shkelësve, të ndalë paligjshmërinë dhe të rregulloja procedurat që ngjarja të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
AMP i thotë Dedajt, i cili tashmë ka marrë një shkresë si përfaqësues legjitim i Muçajt (presidentit të zgjedhur në dhjetor 2025) se nuk është ai autoriteti që mund ta nxjerrë jashtë funksionit vulën e dalë nga kjo procedurë por e këshillon t’i drejtohet vetë policisë së Shtetit, ashtu siç edhe e orienton që të bëjë kallëzim në prokurori për “përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore”.
I kontaktuar nga Report Tv Nikoll Deda konfirmoi se padia është bërë që më 3 prill, ndërsa janë në kontakt me strukturat e policisë për vendimmarrjen. Do të jenë autoritetet që do të vendosin përfundimisht se cila vulë është në fuqi

Pergjigjja e AMP për Nikoll Dedën
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente








