Lirimi i Naser Gashit, Artan Hoxha: Trafikanti e ka çarë disa herë kufirin Shqipëri-Kosovë

Pak ditë më parë gazeta Shqiptarja.com denoncoi skandalin e lirimit të të shumë kërkuarit Naser Gashi nga policia e Kukësit, i cili ishte i dënuar nga Krimet e Rënda në mungesë për trafik droge. Gazetari i Report Tv, Artan Hoxha i ftuar në emisionin '45 Minuta' në Report Tv deklaron se Gashi u zbulua nga pala kosovare në kufi, ndërsa e ka kaluar edhe disa herë të tjera kufirin pa u pikasur.

'Historia ka nisur që në 17 tetor të vitit të kaluar. Gjatë kontrollit që ka bërë pala kosovare, ka pasur dyshime dhe ka kaluar në kontrollin e dytë dhe personi që u paraqit me mbiemrin Sajmir Bulo ishte një person i kërkuar me emrin Naser Gashi. Ndalimi është bërë nga Policia e Kosovës, pasi ka një pajisje që nuk e ka shteti jonë. Ajo pajisje identifikon që në momentin e parë nëse një dokument është i falsifikuar. Në rastin konkret policia e Kosovës e çoi në komisariatin e Kukësit. Naser Gashi e ka kaluar edhe herë të tjetra kontrollin Shqipëri-Kosovë, pa u pikasur, pasi ka dalë që pasaporta e tij është regjistruar.

Ai mbante emrin Sajmir Bulo, por pas shenjave të gishtave u identifikua si Naser Gashi. Pasaporta është e rregullt, të dhënat janë të falsifikuara. Nuk është ndërhyrë në pasaportë, por te të dhënat. Kjo ka bërë që ta çajë disa herë kufirin Shqipëri-Kosovë. Menjëherë pas ndalimit duhet të ishte njoftuar Drejtoria e Policisë së Tiranës në mënyrë që të fillonin veprimet për ta marrë. Materialet i shkuan prokurores dhe ajo atë ditë ka pasur 13 procese për të paraqitur masën e sigurisë.

Në urdhrin që prokurorja ka firmosur, thotë që ky shtetas gjatë kontrollit është zbuluar se ka identitet të rremë, por gjatë kontrollit në TIMS, rezulton se ky shtetas është në kërkim dhe me kartelë të kuqe i dënuar nga Krimet e Rënda. Prokurorja thotë se nuk ka pasur dokumentin me gjurmët e gishtave, por në vendim thotë se dyshimet janë se është Naser Gashi. Atëherë, thotë ajo, nga krahasimi i gjurmëve të gishtave thotë se i përkasin Naser Gashit. Policia gjyqësore ia ka referuar prokurores për falsifikim dhe në këto kushte bëhet lirimi i menjëhershëm i Naser Gashit.

Policia e Kukësit nuk duhet ta lironte, por t' ia vinte në dispozicion të Policisë së Tiranës. Prokurorja thotë se policia e Kukësit të njoftonte policinë e Tiranës për të vuajtur dënimin. Por, urdhri i prokurores nuk ka shkuar në rrugë zyrtare, por dorazi dhe është dërguar në komisariatin e policisë dorazi dhe është bërë lirimi i Gashit. Ka pasur një urgjencë nuk gjen...duket se diçka ka çaluar. Mund të ketë paguar, mund të kenë qenë të paaftë, ka disa mundësi. Prokurorja në vendimin e vet thotë se kam urdhëruar lirimin për akuzën e falsifikimit, ndërsa policia e Kukësit duhet të njoftonte Tiranën" thotë Hoxha.

Artan Hoxha thotë se prej tre muajsh kanë nisur dy hetime për rastin, por ende nuk ka asnjë përgjegjës për këtë cështje, ndërsa shton se në momentin që është firmosur procesverbali i lirimit të Gashit, inspektori nuk ka qenë fare i pranishëm. "Ngjarja është bërë publike në 23 tetor, nga ai moment drejtori i hetimit në Policinë e Kukësi Shkëlqim Pepkolaj është vënë në dijeni dhe pyetur dhe ata i thonë se është zbatuar urdhri i prokurores. Ai ka thënë se ky njeri nuk duhet të ishte liruar pa u vendosur unë në dijeni dhe në atë moment ka pasur një problematikë, mes drejtorit, shefit të komisariatit dhe nën drejtorit.

Pasi ka dyshime se salla operative nuk e ka njoftuar Tiranës, por nga hetimet rezulton se është lajmëruar. Kur drejtori i hetimit filloi procedurat, gjeti shkeljet. Prokurorja ka thënë pse e keni liruar? Pasi, ka thënë ajo unë kam thënë lirim për akuzën e falsifikimit. Prokurorja ka nisur një procedim në ngarkim të policisë së Kukësit për shpërdorim detyre duke i shpëtuar dënimit. Ky është hetimi i parë.

Prokurorja thotë se akuza e falsifikimit ka qenë e gabuar. Por thotë se jam përgjigjur vetëm për këtë akuzë dhe për akuzën tjetër duhet ta merrte Tirana dhe se nuk ishte kompetencë e imja. Tani kemi hetim nga prokuroria e Kukësit dhe një nga Krimet e Rënda pas kallëzimit të nëndrejtorit të Policisë së Kukësit. Pasi kanë kaluar më shumë se tre muaj, prokurores i është hequr cështja dhe i ka kaluar prokurores së rrethit dhe nga ai moment nuk janë bërë veprime. Naser Gashi është person i njohur në Kosovë dhe Shqipëri shkak të dënimit. U firmos procesverbali i lirimit te Naser Gashit pa qenë fare aty inspektori" deklaroi ai. 

Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet ndaj drejtuesve të Policisë së Qarkut Kukës,lidhur me rastin e lirimit të çuditshëm të kosovarit të shpallur në kërkim për trafik droge Naser Gashi. Skandali u denoncua nga Shqiptarja.com dhe Report Tv pak ditë më parë. Hetimet kanë filluar pas një kallëzimi të depozituar në këtë prokurori nga zv/drejtori i hetimit në Kukës Shkëlqim Pepkolaj, i cili akuzonte zinxhirin komandues të drejtorisë së Policisë Kukës, se kishte kryer veprime të rënda për sa i përket trajtimit të rastit të arrestimit të të dënuarit me 7.4 vite burgim Naser Gashi. Policia arriti deri aty sa fshiu emrin e Naser Gashit nga cdo komunikatë.

Gazetari Artan Hoxha gjatë intervistës ka folur edhe për dosjen hetimore '339' që po heton trafikun e kokainës dhe heroinës. "Për herë të parë na dalin të dhëna nga hetimet që kemi nuancat e një karteli të krimit të organizuar, 5 grupe që bashkëpunojnë me njëri tjetrin nga veriu në jug, që janë të specializuar për në trafikun e kokainës, heroinës dhe kanabisit dhe që kanë aktivitet në tre kontinente në Azi, Europë dhe Amerikë dhe që kanë aktivitet në 10 shtete; Turqi, Kolumbi, Britani, Gjermani, Norvegji, Holandë, Itali dhe Kosovë. Shtrirja është masive dhe numri i personave të përfshirë është shumë i madh. Pesë grupet nuk janë kapur. Unë kam një listë emrash, që mesa di ndaj tyre nuk ka asnjë masë sigurie. Kjo dosje nuk mund të flejë në sirtar" tha ai.

Duke iu referuar dosjes 339/1, disa nga përgjimet e së cilës janë publikuar në media dhe ku përmendet emri i kryetarit të bashkisë Durrës Vangjush Dako gazetari Artan Hoxha tha se nëse ka prova prokuroria duhet të veprojë dhe kjo cështje të mos përfundojë në një zhurmë mediatike dhe politike. "Dako ka pranuar se ka folur, i ka paraprirë kësaj historie. Kush e pengon prokurorinë që të veprojë nëse ka prova për Dakon, nëse nuk ka kush është tjetër? Unë e di se aty ka shumë funksionarë" tha ai.  Programi në shqip i Zërit të Amerikës transmetoi një ditë më parë disa përgjime që hidhnin dritë mbi blerjen e votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër (Lexo këtu).

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja