Pas shkarkimit të pesë punonjësve dhe arrestimin e juristit, Devis Hoxha, sot Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka shkarkuar drejtorin e burgut të Shën Kollit, Kant Ndoji.
 
Shkarkimi ka ardhur për shkak të neglizhimit në kryerjen e detyrës. Ndërkohë Kant Ndoji në një deklaratë për mediat ka pohuar se shkarkimi i tij është i padrejtë dhe se se ai nuk ka kryer asnjë shkelje. Ndoji është shprehur se do ta ndjekë këtë cështje në rrugë ligjore.
 
Dy ditë më parë, nga burgu i Shën Kollit u lirua i kërkuari prej 10 vitesh nga Interpol-i dhe drejtësia e Kosovës, Shaip Zukaj

zukaj

(Shtetasi kosovar, Shaip Zukaj, i liruar tre ditë më parë në burgun e Shën Kollit)

Zukaj, shtetas kosovar, është ekstraduar pak kohë më parë nga Belgjika në Tiranë për llogari të një dënimi të dhënë nga Gjykata e Lezhës ku ai ishte i përfshirë në një krim.
 
Pasi ka kryer këtë dënim, Zukaj duhej ekstraduar për llogari të një dënimi në Kosovë, por kjo s'ka ndodhur dhe pak ditë më parë ai është liruar.

Për këtë rast është paraqitur dhe një notë proteste nga policia e Kosovës dhe pritet që Prokuroria e Lezhës të hedhë dritë mbi këtë rast, ku një i kërkuar lirohet nga burgu.
 
Pala Kosovare kish paraqitur një kërkesë për ekstradimin e tij dhe ky ekstradim ishte miratuar, por kjo vetëm në letra pasi në realitet ndodhi e kundërta.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com