Lirimi, ligji nuk e lejon Haki
Çakon të rikthehet në polici 

Lirimi, ligji nuk e lejon Haki<br />Çakon të rikthehet në polici <br>
Dje është liruar nga detyra e kreut të Policisë së Shtetit Haki Çako. Pozicioni i drejtuesit të Policisë së Shtetit tashmë i është besuar Rebani Jaupaj, i cili do qëndrojë i komanduar në këtë post, deri në emërimin e një drejtuesi tjetër nga ministrit i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Personi më tepër i nominuar për të qënë në krye të Policisë së Shtetit është Ardi Veliu, i cili aktualisht drejton policinë e Tiranës. Vendimi për lirimin nga posti i drejtimit të organizatës së Policisë, është marrë pas një takimi konsultativ mes ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe drejtorit Çako.

Ministri Xhafaj, vlerësoi kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e Çakos në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit. Ai ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme. “Me propozim të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako”-thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.

Ligji e largon përfundimisht
Vetë Haki Çako nuk ka pranuar të japë një koment lidhur me lirimin e tij nga kjo detyrë, duke e lënë mister nëse do vijojë të qëndrojë mes radhëve të policisë apo të emërohet diku tjetër, jashtë kësaj strukture. Kjo pasi në nenin 15 të ligjit për “Policinë e Shtetit” drejtori i policisë pas lirimit nga detyra nuk mund të jetë më pjesë e policisë. “…drejtori i Policisë së Shtetit, pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyrë, nuk rikthehet në strukturat e Policisë së Shtetit. Në interes të shërbimit të rendit dhe sigurisë publike ai mund të kryejë funksione të tjera këshillimore ose pedagogjike. Pas përfundimit të mandatit, ish-Drejtori i Policisë së Shtetit gëzon trajtim të veçantë, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave…”-thuhet në ligjin për Policinë e Shtetit.

 

Dinamikë të shpejtë pune
Në njoftimin e ministrisë thuhet se realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune.

“Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit. Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit”.

Emërimi e hetimi për “Imsi Catcher”
Haki Çako u emërua në pozicionin e drejtorit 2 vite më parë, në 16 Prill 2015 në vendin e Artan Didit. Karriera e Çakos mori ngritje pas operacionit antidrogë në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, ku Çako në këtë kohë ushtronte detyrën e drejtorit të këtij qarku. Gjatë ushtrimit të detyrës, një vit më parë prokuroria e Tiranës kërkoi pezullimin e Çakos nga detyra, për shkak të futjes në territorin Shqiptar të një paisje përgjuese, “Imsi Catcher”, të cilën policia e përdorte pa autorizim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe SHISH.

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë për të pezulluar Çakon nga detyra, por ish-kreu i Policisë së Shtetit qëndroi vetëm 1 javë i pezulluar pasi e riktheu në detyrë gjykata e Apelit Tiranë. Momentalisht çështja ndaj Haki Çakos dhe dy oficerëve të tjerë të Grupit të Operacionales janë në hetim nga prokuroria e kryeqytetit për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Shpërthejnë protestat në Gjermani pas sulmit terrorist, qytetarët kërkojnë dëbimin e refugjatëve: Emigracioni vret

Shpërthejnë protestat në Gjermani pas sulmit terrorist, qytetarët kërkojnë dëbimin e refugjatëve: Emigracioni vret