TIRANË - Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka liruar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Bashkim Shehu. Lajmi është konfirmuar nga vetë Ministria e Brendshme, por edhe nga vetë Shehu.

Ky i fundit deklaroi për televizionin A1 Report, se ka qenë ai që ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Drejtorit të SHKB-së. Sipas Shehut, sapo Saimir Tahiri ka marrë zyrtarisht detyrën e Ministrit të Brendshëm, i ka deklaruar se postin e drejtorit të SHKB-së e ka të lirë, pasi do të jepte dorëheqjen.

Ky variant u konfirmua zyrtarisht edhe nga Ministria e Brendshme, duke mohuar shkarkimin e Shehut nga detyra, por lirimin e tij, pas dorëheqjes.
Në vend të tij është emëruar Arben Skendo, një ish-zyrtar policie deri në vitin 2005.

Drejtori i SHKB-së, Bashkim Shehu, është liruar nga kjo detyrë pas 1 vit e 3 muaj shërbimi. Shehu u emërua në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të SHKB me 31 Qershor 2012, në vend të Astrit Halilit, ndërsa më parë ka ushtruar funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
 
Lajmi fillimisht u publikua në orën 23.05 minuta të datës 18.09.2013 dhe u përditësua sot në orën 09.35 minuta

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)