Lirohet pa akuza gruaja iraniane që u zhvesh në shenjë proteste

Lirohet pa akuza gruaja iraniane që u zhvesh në shenjë proteste

Pamje e marrë nga videot që shfaqnin gruan iraniane të zhveshur në publik jashtë një universiteti në Teheran

Asnjë akuzë nuk është ngritur kundër gruas iraniane e cila është zhveshur përgjatë një proteste jashtë një universiteti në Teheran, ka thënë një zëdhënës i gjyqësorit, duke shtuar se ajo është liruar nga spitali dhe i është dorëzuar familjes.

“Duke marrë parasysh se ajo është dërguar në spital dhe është vërtetuar që është e sëmurë, ajo i është dorëzuar familjes që po kujdeset për të”, ka thënë zëdhënësi i gjyqësorit, Asghar Jahangir, në një konferencë për media më 19 nëntor.

Ai ka thënë se “nuk është iniciuar asnjë rast gjyqësor ndaj studentes”.

Nuk është bërë e qartë nëse rasti është mbyllur përfundimisht.

Gruaja është identifikuar si Ahoo Bahari, studente e departamentit të shkencave dhe kërkimit në Universitetin Teheren Azad.

Ajo është zhveshur në publik më 3 nëntor, si shenjë proteste para objektit të universitetit, dhe më pas është arrestuar.

Ende nuk dihen shkaqet e zhveshjes së saj, mirëpo dëshmitarët kanë thënë se ajo është ngacmuar nga zyrtarë të sigurimit të universitetit për atë që ajo ka pasur të veshur.

Në një video janë parë zyrtarë policorë duke e futur gruan dhunshëm në një makinë.

Mediat iraniane kanë raportuar më vonë se ajo vuan nga sëmundje mendore dhe që është dërguar në një spital të psikiatrisë.

Pamjet e publikuara kanë rritur shqetësimet për sigurinë e gruas dhe për të kanë reaguar organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, të cilat kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të gruas.

Amnesty International ka thënë se ka publikuar edhe më herët të dhëna se si autoritetet iraniane kanë shtypur protestuesit me arsyetimet se kanë “çrregullime mendore”, që kanë nevojë për “trajtim”.

Grupet për të drejta të njeriut dhe aktivistët iranianë kanë kritikuar shpesh Qeverinë konservative të këtij shteti mysliman për sulme ndaj protestuesve, sidomos ndaj atyre që sfidojnë rregullin për veshjet e grave në publik.

Ligjet e reja që janë miratuar parashohin dënime me burgim për gratë dhe vajzat që shkelin kodin e veshjes.

Ligjet e reja janë miratuar pas protestave masive të grave, të nxitura nga vdekja e gruas iraniane, Mahsa Amini, sa ka qenë në mbajtje policore, me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë