Liroi Florenc Çapjan, gjyqtari i përgjigjet policisë me vendim: Nuk ka prova, ish-polici (që u vra në Itali) ndryshoi dëshminë brenda në gjyq

TIRANË -  “Prokuroria Shqiptare ka vendosur dy herë në 2006 dhe 2007 pushimin e ndjekjes penale ndaj Florec Çapjas për tentativën e vrasjes së ish-policit rrugor Fadil Mema dhe për pasojë ky i pandehur nuk mund të gjykohet, pa pasur prova të reja në dosj”. Ky është argumenti kryesor që gjyqtari paraprak Tomor Kullolli, përdori për të pushuar çështjen penale kundër Florenc Çapjas, i akuzuar për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Me këtë argument gjyqtari Kullolli, i përgjigjet prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, e cila një ditë pas vendimit për pushimin e dosjes, reagoi duke shfaqur zhgënjimin e thellë për këtë vendimmarrje duke paralajmëruar apelimin e vendimit. "Lidhur me këtë ngjarje nga ana e organit të akuzës nuk rezulton asnjë provë indirekte se autor i ngjarjes është i pandehuri Florenc Çapja. Po ashtu dhe asnjë provë shkencore që të provojë se Florenc Çapja, ka qenë atë ditë në vendngjarje”, - thotë gjyqtari Kullolli.

 “Shqiptarja.com” zbardh të plotë vendimin e seancës paraprake, me anën e të cilit, gjyqtari i Elbasanit Kullolli, vendosi të mos kalojë për gjykim dosjen e prokurorisë dhe për pasojë solli lirimin e menjëhershëm nga qelia të Florenc Çapjas. Në vendimin prej 44 faqe, ku në vetëm 5 faqe gjyqtari Kullolli futet në argumentim, ai kapet pas deklaratës që i ndjeri Fadil Mema, ka dhënë në seancën gjyqësore të sigurimit të dëshmisë, ku në fakt ka ndryshuar thëniet e tij, dhe ka mbajtur qëndrim mohues në gjykatë, për autorin Florenc Çapja.

Në fakt ky qëndrim i Fadil Memës, ka ardhur si rezultat i presioneve të vazhdueshme por dhe faljes që kanë kërkuar burrat e fisit Çapja në Elbasan. "Fadil Mema fillimisht ka deklaruar se e kishte qëlluar Florenc Çapja, por në seancën gjyqësore, aty ku dhe merren provat, Mema ka thënë se nuk është Florenc, autori që e ka qëlluar në 30 janar 2006. Kjo rrethanë faktike është pohuar dhe nga Ardiani, kunati i Fadilit, i cili ka qenë i pranishëm në vendngjarje”, - thotë gjyqtari Kullolli.

Fadil Memës iu bë atentat në 2006-ën ku mbeti i plagosur, ngjarje për të cilën procedohej Florenc Çapja, ndërsa në vitin 2016 ai mbeti i vrarë në Itali, ngjarje për të cilën nuk ka procedim në Shqipëri.

Më tej ky gjyqtar argumenton se edhe pse Fadil Mema disa muaj më vonë ka mbajtur qëndrim tjetër, duke treguar se ishte qëlluar nga Florenc Çapja, por kishte gënjyer në gjykatë për shkak të presioneve dhe faljes së Çapajve, sërish prokuroria ka nisur hetimet dhe pas një viti në nëntor të 2007 ka vendosur mbylljen e hetimeve. “Për gjykatën lindja pyetja: Cilat janë provat me të cilat provohet fakti se autor i ngjarjes së datës 30 janar 2006 ku është qëlluar me armë Fadil Mema, është i pandehuri Florec Çapja? Organi i prokurorisë e ka filluar dhe e ka pushuar dy herë këtë procedim penal ndaj Florec Çapja dhe tashmë pothuajse me të njëjtat prova kërkon që kjo çështje të kalojë për gjykim”, - argumenton gjyqtari.

Gjithmonë sipas këtij gjyqtari, gjykata në seancën paraprake vlerëson nëse ka prova të reja dhe të mjaftueshme për dërgimin për gjykim të dosjes. Por në rastin konkret duhet të ketë prova të reja dhe jo ato për të cilat janë shqyrtuar nga prokuroria dhe është vendosur pushimi i çështjes.

Sipas prokurorisë së Elbasanit, provat e reja të përmendura në këtë dosje janë akt-ekspertimi i datës 26 dhjetor 2018 si dhe deklarimet e marra të vëllait, djalit dhe familjarëve të tjerë të viktimës Fadil Mema, të cilët kanë treguar se çfarë ka ndodhur për plagosjen në 2006 dhe vrasjen e Fadilit në 2015 në Itali.

Por gjykata nga ana tjetër i vlerëson këto prova të ardhura në mënyrë indirekte, pasi asnjë nga familjarët nuk ka qenë në vendngjarje, dhe ato informacione që kanë rrëfyer ia ka deklaruar Fadil Mema gjatë komunikimeve spontane në shtëpi. Mandej në vendimin e pushimit, gjyqtari Kullolli fut dhe një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë, i cili mban datën 20 qershor 2013. Sipas këtij vendimi unifikues, thotë gjyqtari Kullolli, “në analizë të veprimeve të marra deri në fazën e hetimeve paraprake nga prokurori, vendimi i pushimit të çështjes i jep fund fazës së hetimeve paraprake, duke mbyllur çështjen pa dërguar në gjykatë , çka nënkupton se çdo veprim hetimor i ndërmarrë pas vendimit të pushimit, nga ana e prokurorisë, nuk mund të përdoret në lidhje me të njëjtin fakt penale dhe kundër të njëjtit person, për të cilin është vendosur pushimi i hetimeve”. Pavarësisht vendimit të pushimit, tashmë prokuroria e ka apeluar çështjen dhe pritet që në ditët në vijim, gjykata e Apelit Durrës të shqyrtojë këtë kërkesë.

Vendimi i Gjykatës së Elbasanit për lirimin e Florenc Çapjes

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigranti: 23/12/2019 13:50

    Sbehet me Shqiperia kur vrasesi kriminel ha buke me gjyqtarin e drejtesise dhe ndajne parate mbi gjakun e babait te atyre femijeve jetim...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë