Plot 26 ditë udhëtime jashtë vendit kanë shërbyer për kryeparlamentaren Topalli për takime të shumta me qëllimin e përfaqësimit të vendit tonë në organizata të ndryshme, forcimin e bashkëpunimit ekonomik, por jo vetëm, si dhe për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga vendet që ende nuk e kanë realizuar një proces të tillë. Për gjithë këto ditë jashtë Shqipërisë, nuk ekziston një faturë financiare se sa kushton qëndrimi i kryeparlamentares Topalli dhe stafit të saj në këto udhëtime të stërgjatura që ajo ka bërë dhe bën jashtë vendit.
Nga gjithë axhenda e saj që pati për vitin që po lëmë pas, rezulton se shkurti ishte dhe muaji, ku kryeparlamentarja qëndroi vetëm 4 ditë në tokën shqiptare, pasi pjesën tjetër e kaloi me vizita jashtë Shqipërisë. Brenda 11 ditëve nga muaji shkurt, Topalli pati për itinerar këtë linjë ajrore: Tiranë-Athinë-Abu Dabi-Xhakarta-Stamboll-Tiranë-Berlin-Tiranë-Stamboll-Bejrut. Mungesa e madhe e kryetares së Parlamentit, në muajin shkurt në vendin tonë u denoncua edhe nga ana e Partisë Socialiste, si një neglizhencë e madhe që po i bëhej situatës së vështirë ekonomike dhe varfësisë që kishte mbërthyer shumë njerëz në komunat e thella malore për shkak dhe kushteve të këqija të motit.
Për vitin që lamë pas, Topalli vizitoi me misionin si kryeparlamentare plot 12 shtete në të gjithë globin, ku përfaqësoi Shqipërinë si dhe loboi për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë që vizitat që kanë zgjatur më shumë ditë janë pikërisht ato të realizuara në Liban, Indonezi me nga katër ditë dhe më pas vizita tre ditore në Gjermani. Por përveç këtyre tre shteteve, përmenden dhe shtetet e tjera, ku Topalli është ndalur gjatë vitit që po kalon. Bëhet fjalë për vizitat e realizuara nga kreu i Kuvendit në Maqedoni, Japoni, Slloveni, Monako, Francë, Austri, Strasburg, Kosovë etj.
1-4 shkurt në Indonezi
Turi i udhëtimeve për kryeparlamentaren Topalli nisi më datë 1 shkurt të vitit që po lëmë pas, me një vizitë katër ditore në Indonezi, e para vizitë kjo e një politikani të lartë nga Shqipëria. Në këtë vizitë Topalli promovoi Shqipërinë si dhe loboi për njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Në këtë vizitë, e cila ishte me ftesë të homologut indonezian, Topalli qëndroi plotë 4 ditë, ku pati axhendë të gjerë takimesh me drejtues të lartë të Indonezisë. Kryetarja e Kuvendit, Topalli shfrytëzoi vizitën e saj në Indonezi për t'u takuar me Kryetarin e Parlamentit të Arabisë Saudite, i cili pak kohë më parë bëri një vizitë në Shqipëri, si dhe Kryetarin e Parlamentit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ajo zhvilloi një takim me Kryetaren e Parlamentit të Pakistanit, një mike e kahershme e saj. Takime të veçanta, Topalli bëri dhe me Kryetarin e Asamblesë së Turqisë, Xhemil Çiçek, i cili i tha zonjës Topalli se e pret atë si një mike e Turqisë. Po ashtu, Kryetarja e Kuvendit pati një takim me kryetarin e Parlamentit të Katarit, i cili pranoi me kënaqësi ftesën për të ardhur në Tiranë, jo vetëm në interes të shkëmbimeve parlamentare, por edhe me synimin për të eksploruar mundësitë për të pasur një prezencë më të madhe të biznesit dhe investitorëve te Fondit Financiar të Katarit në Shqipëri. Të gjitha takimet janë zhvilluar në kuadër të takimit të vendeve anëtare të Konferencës Islamike që mbahej në Xhakarta. Ku u kërkua bashkëpunim mes vendeve anëtare dhe njohja e shtetit të ri të Kosovës nga ana e qeverive të këtyre vendeve.
8-10 shkurt 2012, në Gjermani
Mjaftuan vetëm 7 ditë në Shqipëri, që kryeparlamentarja të nisej për një udhëtim 3 ditor në Gjermani. Më 8 shkurt kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, e ftuar në Fondacionin Konrad Adenauer, promovon Shqipërinë dhe fton biznesin gjerman të rrisë investimet e tij në Shqipëri. Ky udhëtim erdhi pas ftesës nga Kryetari i Bundestagut gjerman Norbert Lamert. Gjatë kësaj vizite tre ditore, Topalli u takua edhe ministren e shtetit të Gjermanisë, Cornelia Pieper si dhe me anëtarët e komisionit për çështjet e BE-së dhe të komisionit të ekonomisë në Bundestagun gjerman. Ndërkohë që në 9 shkurt ajo realizoi takime me përfaqësues të bordit drejtues të Dhomës Gjermane të Tregtisë, ku ftoi investitorët gjermanë të investojnë në vendin tonë. Po në këtë datë, Topalli u takua me kryetarin e Parlamentit të Landit të Berlinit, Ralf VVieland.
12-15, në Liban
Vetëm pas katër ditësh nga përfundimi i vizitës së punës në Gjermani, Topalli niset në datën 13 shkurt për vizitë 4 ditore në Liban, ku u takua me krerë më të lartë drejtues të këtij shteti. Në takimin me kryetarin e Parlamentit të Libanit, Nabih Berri, dy homologët folën për marrëdhënie më të afërta mes dy parlamenteve, përmes shkëmbimit të vizitave mes delegacionesh parlamentare e deputetësh, si për shmangien e taksimit të dyfishtë, për transportin ajror e detar, për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve, etj. Në vizitën e parë e këtij niveli të lartë politik në këto 20 vite, Topalli gjatë takimit me Presidentin e Libanit, Michel Sleiman, kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës.
4-5 prill në Maqedoni
Vetëm pas pak ditësh kryeparlamentarja Topalli do të nisej për një vizitë pune në Maqedoni, ku mori dhe titullin "Qytetare Nderi" në Komunën e Çairit. Pas shumë takimesh, ajo mbajti një fjalim të gjatë në Parlamentin e Maqedonisë, ku kryefjala ishte reforma, bashkëpunimi, integrimi mes dy vendeve. Ditën e dytë të vizitës së saj në Maqedoni, Topalli takoi Kryeministrin Nikola Gruevski, ku shprehu mbështetjen e vendit tonë në anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Ndërkohë që në datën 5 prill kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takoi edhe Presidentin e Maqedonisë, George Ivanov, ku folën për një angazhim të përbashkët për një rajon, pjesë të familjes evropiane.
17-18 prill, Japoni
Pas 12 ditësh nga vizita në Maqedoni, pikërisht në 17 prill, Topalli niset për një tjetër vizite pune jashtë Shqipërisë, drejt Japonisë. Në ditën e parë të vizitës disa ditore, Topalli u takua me Zv/guvernatorin e Prefekturës së Miagit, Masahiro VVako dhe Kryetaren e Bashkisë së Sendait, Emiko Okujama, ku shprehu interesin për shkëmbime vizitash mes dy vendeve, si në nivelin politik, atë parlamentar, biznesin etj. Në ditën e dytë të vizitës, në 18 prill kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takoi Zv/Ministrin Parlamentar të MPJ së Japonisë, Takujiro Hamada. Po këtë ditë, kryeparlamentarja pritet në takim nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Takahiro Yokomichi.
8-9 maj, Slloveni
Në datën 8 maj, Topalli niset për një vizitë dyditore në Slloveni, ku pritet nga Kryetari i Parlamentit, Gregor Virant. Kryeparlamentarja arriti që të marrë mbështetjen e Sllovenisë për mbështetjen në integrimin në Bashkimin Europian. Në datën 9 maj, Jozefina Topalli takohet me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk, nga ku kreu më i lartë i shtetit të Sllovenisë e konsideroi Shqipërinë, një kandidate kredibël me zhvillim ekonomik pozitiv. Ndërkohë që në po të njëjtën ditë Topalli takohet dhe me kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansa, ku diskutuan për progresin e Shqipërisë për në BE. Më datë 5 korrik kryeparlamentarja Topalli merr pjesë në Sesionin e 21-të të përvitshëm të Asamblesë parlamentare të OSBE në Monako, me temë "OSBE: Rrajoni në ndryshim", nga ku mori dhe ftesën për organizmin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë.
25-26 gusht Austri
Pas më shumë se një muaj, kryeparlamentarja Topalli niset më datën 25 gusht të vitit që po lëmë pas, në Austri, një vizitë kjo dy ditore ku u takua me 8 gratë kryetare të Parlamenteve në Europë të mbledhura në qytetin e Vjenës. Presidenti Fisher, si një nga personalitetet që ka vizituar Shqipërinë, që në momentet e para të demokracisë në Shqipëri, në postin e Kryetarit të Parlamentit Austriak, i bëri të ditur Kryetares Jozefina Topalli se i ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, si dhe vuri në dukje progresin pozitiv të vendit tonë.
20-21 shtator Strasburg
Më 20 shtator kryeparlamentarja jonë udhëton drejt Strasburgut, nga ku u prit nga Presidenti i Asamblesë së Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon. Në këtë vizitë të veçantë për përfaqësimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, Jozefina Topalli çeli punimet e Konferencës së Strasburgut, ku u hap në të njëjtën kohë dhe ekspozita mbi Shqipërinë, kjo në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në datën 21 shtator Topalli realizoi në Strasburg disa takime të tjera, të rëndësishme për mbështetjen e Shqipërisë në BE. Në shumë takime intensive me Kryetarët e Parlamenteve të vendeve të KiE, Topalli loboi për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryetarja e Kuvendit njohu homologët e saj me zhvill¬imet politike dhe ekonomike në Shqipëri.
4 tetor, Kosovë
Fillimi i muajit tetor e gjeti kryeparlamentaren Jozefina Topalli, në Kosovë, e ftuar mes grave lidere të botës, në Samitit Ndërkombëtar të Gruas "Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Gruas". Kryeparlamentarja Topalli ishte në panelin e hapjes së këtij Samiti, së bashku me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-sekretaren e shtetit të Amerikës, Madeleine Albright.
9 tetor, 2012
Mjaftuan vetëm 4 ditë qëndrimi në tokën shqiptare për kryeparlamentaren Topalli, pasi në datën 9 tetor ajo niset për një vizitë në Strasburg. Këtë herë e ftuar në Forumin Botëror për Demokraci, në Këshillin e Europës, Strasburg. Jozefina Topalli, si përfaqësuese e Shqipërisë, e cila mbajti presidencën e radhës së KiE, ishte në panelin drejtues në sesionin me temë "Demokracia dhe Globalizmi", sesion që u kryesua nga Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquiçhio.
5 dhjetor, Francë
Rrugëtimi i gjatë i fluturimeve për kryeparlamentaren Jozefina Topalli për gjithë vitin që po lëmë pas, përfundon në Francë. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, në datën 5 dhjetor pati disa takime pune në Seantin francez dhe në Asamblenë Parlamentare të Francës. Kryetarja e Kuvendit kërkoi mbështetjen franceze për Shqipërinë në procesin e integrimit. Deri në fund të muajit dhjetor, nuk dihet nëse në axhendën e kryeparlamentares është përfshirë ndonjë udhëtim jashtë vendit.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com
(eç/shqiptarja.com)