ATHINE- Deputetët grekë kanë votuar pro propozimit për të hetuar ish-ministrin e Financave, Jorgos Papaconstantinou. Ai akuzohet se ka hequr nga e ashtuquajtura "Lista Lagarde", të afërmit e tij.

Ndërkohë parlamenti votoi kundër hetimit të ish ministrit të financave Evangelos Venizelos dhe dy ish- kryeministrave Lucas Papademos dhe George Papandreou. Kohët e fundit Ish- ministra dhe zyrtarë të lartë të administratës greke janë akuzuar se kanë keqpërdorur të dhënat për evazionin fiskal.

Skandali shpërtheu kur në vitin 2010 u dha qeverisë greke një kopje e të ashtuquajturës “Lista Lagarde” në atë kohë ministre e Financave të Francës, e që tashmë drejton FMN-në. "Lista Lagarde" përmbante emrat e më shumë se 2 mijë qytetarëve grekë të cilët kanë llogari bankare në Zvicër dhe që dyshohet të mos kenë paguar taksat mbi këto të ardhura. Në listën e 2010-s gjatë qëverisjes së PASOK-ut, thuhet se ka pësuar ndryshime shumë të mëdha, me emra politikanësh nga i gjithë spektri politik grek dhe biznesmenësh, të cilët janë fshirë dhe në periudhën e krizës greke.

Por Partia Socialiste kishte deklaruar se kishte humbur listën Lagardë të 2010 dhe sipas analistëve thonë se e gjithë kjo situatë ka krijuar një triller politik ku ministra të nivelit të lartë akuzohen për mashtrim e evazion fiskal. Ndërkohë në dhjetorin e kaluar lista origjinale u dërgua në Drejtorinë e Luftës kundër Krimit Ekonomik për të vërtetuar dyshimet mbi korrupsionin që qëndrojnë në zemër të telasheve të vendit helen.

Redaksia online
(lç/sg/shqiptarja.com)