Klomentina Drini, Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Vaut të Dejës, në një lidhje me ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv ka shprehur vendosmërinë e saj për të vazhduar garën, edhe pse paraditen e sotme 30 kandidatët e listës së PD për Këshillin Bashkiak shprehën mbështetjen për kandidatin e Berishës Zef Hila. Në intervistën me gazetarin Nertil Agalliu, Drini thotë se nuk e tremb presioni politik.
“Unë jam duke bërë fushatë. Nuk jam e befasuar nga deklaratat që po bën i pari i listës së Këshillit, Gjon Marku. E dimë të gjithë se cc’ka bërë ai në kreye të Bashkisë. Asnjë gozhdë nuk ka ngulur që ta hasnim. Këto janë qëndrime të varura nga kulti i individit. Gjithsecili mban qëndrim e tij. Unë jam zyrtarisht në garë për PD-në. Nuk tërhiqem pavarësisht presionit politik. I bëj edhe një thirrje që ‘burri që është burrë nuk fshihet pas gishtit’”, ka deklaruar Drini.
Ajo shprehet se kandidatët e listës që kanë firmosur janë shumica anëtarë të familjes së kryetarit të degës.
“Listat janë anëtarë të familjes së kryetarit të partisë të degës, Gentian Ndoj. Nuk jam pyetur për ato lista. Ka edhe njerëz që janë burrë e grua aty. Shikoni listën e firmosur ndaj meje. Gentiana Ndoj është gruaja e Gentian Ndojit, kryetarit. Edhe një çift tjetër gjithashtu. Ata janë familjarë të afërm. Lista është bërë pa përfaqësuar demokratët e vërtetë”, vijoi Klomentina Drina.
Ajo nënvizon edhe një herë se do ta fitojë Bashkinë e Vau të Dejës.
“Unë nuk i kam problem këto deklaratat, thjesht ata po më faktorizojnë dhe i falënderoj shumë. Nuk do të ndalem, edhe sikur të jetë gjëja e fundit që bëj në jetë. Po të mos kishin frikë nuk do të dilnin me kështu deklaratash. Unë jam këtu për të gjithë qytetarët e ndershëm të Vaut të Dejës. Unë do ta fitoj atë bashki për Partinë Demokratike të Shqipërisë”, u shpreh ndër të tjera në intervistën për Report Tv Klomentina Drini, Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Vaut të Dejës.