KOSOVE- Marrëveshja e koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-Nisma me Vetëvendosjen ka bërë që Lista Serbe të rishikojë pozicionin që do të marrë në senacën e 18 shtatorit.

Kreu i kësaj partie, Aleksandër Jabllanoviç tha sot për mediat kosovare se takimi i sotëm me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj do të përcaktojë shumë gjëra, ndër ta edhe marrëdhënien me vetë koalicionin. Jabllanoviç ka thënë se nëse Blloku e do përkrahjen e Listës Serbe, atëherë nuk duhet t’ia lërë udhëheqjen e bisedimeve me Beogradin në dorë të Vetëvendosjes. 

“Nëse dialogu do të udhëhiqet nga koalicioni LDK-AAK-Nisma, Lista Serbe do të përkrahë këtë koalicion, në të kundërtën nëse dialogun e udhëheq Vetëvendosja, atëherë ne do të shtrojmë këtë çështje në organet e partisë për të parë se si të veprohet më tutje.” tha Jabllanoviç

Aktualisht, të dyja blloqet më të mëdha politike në vend, PDK me minoritetet nga njëra anë, dhe koalicioni LDK-AAK-Nisma me Vetëvendosjen nga ana tjetër, shpresojnë në votën e Listës Serbe në seancën që pritet të mbahet të enjten.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)