PRISHTINË, 11 Shkurt/ATSH/.- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviç, deklaroi se ende nuk është vendosur për hapat e mëtejshëm të përfaqësuesve të Listës Srpska lidhur me pjesëmarrjen në qeverinë e Kosovës.
Stojanoviç tha për Radio Televizionin e Serbisë se "po të varej vetëm nga ne vendimi, ne do ta merrnim shumë më lehtë dhe shumë më shpejt. Por, për shkak të kompleksitetit dhe të përgjegjësisë ndaj njerëzve, duhet që ta masim mirë çdo hap. Në të vërtetë, ne nuk e kemi zgjidhjen më të mirë, ne zgjedhim ndërmjet të keqes më të vogël".
Stojanoviç ka vlerësuar se marrëveshja për gjyqësorin e arritur të martën në Bruksel ndërmjet Prishtinës e Beogradit, është zgjidhja më e mirë e mundshme në rrethanat e tanishme, bën të ditur Koha.net.
Ai tha se pret që tema kryesore e bisedimeve të ardhshme ndërmjet dy qeverive të jetë Asociacioni serb i komunave, i cili sipas tij është esencialisht i rëndësishëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Lista Srpska ka thënë se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së Kosovës pas shkarkimit të ministrit për Kthim e Komunitete, Aleksandar Jabllanoviç.
Pas protestave të opozitës, Isa Mustafa e shkarkoi Jabllanoviçin nga ky post më 3 shkurt. /KosovaPress/./k.s/