Propozimi i opozitës parlamentare për të shkuar në votim me lista të hapura dhe zgjedhja e Partisë Socialiste për të pranuar këtë kërkesë duke eliminuar koalicionet parazgjedhore, të cilat do të bënin teknikisht të papraktikueshme veprimet e votës me preferenca, do të thotë që në fakt të pranohet propozimi i ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim. Siç konfirmohet edhe nga shumë liderë politikë  edhe të opozitës, në muajin maj ambasadorja amerikane kishte sygjeruar në Këshillin politik të Reformës Zgjedhore adoptimin e sistemit danez. “Ambasadorja amerikane ka sjellë një propozim për sistemin danez. Unë nuk besoj që ambasadorja amerikane ka sjellë thjesht për të konsumuar një ide, por sepse ka gjykuar se është një sistem që vlen nga pikëpamja e përfaqësimit dhe klimës politike në Shqipëri”, ka deklaruar  Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane.

Modeli danez është sistem proporcional rajonal me preferenca per çdo kandidat. Preferenca nënkupton që listat bëhen nga partia dhe renditen sipas partisë, por qytetarët mund të votojnë perveç partisë edhe emrin e kandidatit të tyre të preferuar, kështu në fund, kandidatët që do të shkojnë në parlament do të zgjidhen nga zgjedhësit përmes numrit të votave të fituara të drejtëpërdrejtë dhe jo nga kryetarët e partive përmes pozicionit të emrit në listë. Edhe në Danimarkë nuk ekzistojnë koalicione parazgjedhore. Natyrisht partia që merr numrin më të lartë të lartë të votave do të ketë të drejtën të krijojë nëse dëshiron një koalicion pas zgjedhor për të drejtuar qeverinë e re.  

Praktikisht sistemi danez i sygjeruar nga Yuri Kim është identik me sistemin me të cilin do të votohet në Shqipëri në 2021 nëse kuvendi do ta votojë këtë projekt: proporcional rajonal siç është bërë deri tani, por seleksionim kandidatësh përmes preferencave të shprehura në listat e hapura dhe pa koalicione parazgjedhore. Cila parti do të rreshtohet kundër këtij propozimi të cilin edhe Shtetet e Bashkuara  ua sygjeruan të gjitha forcave politike si model ideal dhe demokratik? E vështirë edhe që ta kundërshtojnë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, që nuk mund të konsiderojnë propozimin amerikan të dëmshëm për Shqipërinë dhe as modelin e përdorur në Danimarkë si pak demokratik, pasi bazohet në dy parime themelore: populli zgjedh dhe partia më e votuar qeveris.