Në kryeqytet i gjeje në krye të më të votuarve të Partisë Demokratike në procesin e primareve por në listën e Berishës për deputetë më 11 maj Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti, Hysen Kadiu dhe  Grigels Muçollari nuk e gjejnë asnjëri emrin mes të sigurtëve të Qarkut Tiranë, të mbushur me besnikë dhe aleatë të liderit.

Më i votuari prej të gjithë Hysen Kadiu u detyrua të tërhiqej nga gara duke folur për shkelje fjale, ndërsa 3 të tjerët do të përballen edhe me njëri-tjetrin e me emra të fuqishëm si Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi në kryeqytet për të marrë ndonjë mandat që aleanca opozitare mund ta kapë në kryeqytet.

E njëjta panoramë thuajse në të gjitha qarqet e tjera, ku shumica e fituesve të primareve ose nuk e kanë parë veten fare në lista, ose janë hedhur në ‘ringun’ e listave të hapura, duke pasur mundësi të vogla për të qenë deputetët e ardhshëm.

Rasti më flagrant, ai i Dashnor Sulës në Elbasan. Deputeti mori më shumë vota se të gjithë mes 22 kandidatëve në primaret e një prej qarqeve më të rëndësishëm të vendit por vetëm pak orë para mbylljes së listave mori vesh që nuk do të ishte fare kandidat. Tha se i kishte dërguar mesazh Berishës por as përgjigje nuk kishte marrë, ndërsa në fund pas 20 viteve deputet i demokratëve vendosi t’i bashkohej një tjetër force politike, Shqipëria Bëhet për të kërkuar vota kundër PD-së në Elbasan.

Qarkun e Dibrës Ilir Krosi doli i pari me 578 vota në primaret e PD, teksa rivalja e tij Denisa Vata kishte vetëm 362 vota. Por ndryshe nga Vata që u fut në listën e mbyllur si deputete gati e sigurt, fituesi i primareve nuk e pa veten në asnjërën prej listave, as në atë të hapur.

Një situatë “copy paste” përsëritet në Qarkun e Korçës, ku Fidel Kreka i renditur i treti mes 18 kandidatëve por nga Berisha u përjashtua nga lista e mbyllur, edhe me Spahon që doli i dyti i cili nuk siguroi dot një vend mes 3 kandidatëve të listës së mbyllur.

Qarkun e Vlorës Manjola Nikollo ishte ndër më të votuarat nga demokratët në primare, por as emri i saj nuk është fare në listat e firmosura nga Berisha, ku në listë të mbyllur është aleati i grekëve të PBDNJ, Vangjel Dule.

Një tjetër grua, në një tjetër qark, është lënë jashtë listave, edhe pse rezultoi fituese në primaret e 1 marsit. Elisabeta  Rredhi ishte gruaja më e votuar nga anëtarët e PD në Fier por kjo nuk mjaftoi, dhe në listat e PD ajo nuk është as në listën e hapur, teksa brenda mandateve të sigurt Partia e Lirisë së Ilir Metës ka dërguar Brunilda Haxhiun.

Pra, publikimi i listave nga Partia Demokratike me 186 emrat për 11 majin, faktoi atë ishte paralajmëruar më herët, se si një proces i brendshëm vote, i nisur si një akt demokracie të zhvlerësohet totalisht.