TIRANE - Kreu socialist zgjodhi 1 Majin të prezantojë dy emrat e rinj si Musa Ulqini dhe Mimoza Hafizi në listën e kandidateve për deputetë. Musa Ulqini kandidon për deputet në Elbasan, ndërsa Mimoza Hafizi kandidon në Shkodër.


Duke i vlerësuar për punën e tyre Rama tha sot në mesditë, se kandidatët të cilët në listat e 2009 nuk arritën të ishin pjesë e saj nuk e braktisën Partinë Socialiste por përkundrazi kontribuan gjatë këtyre viteve për të.

"Unë jam shumë i kënaqur, që në këtë ditë të veçantë të prezantoj dy pjesëtar të rinj të Skuadrës sonë Kombëtare të Rilindjes, por që vijnë nga një rrugëtim i kahershëm politik dhe nga një fazë e jetës politike me lëkundje për shkak të zgjedhjeve të bëra në vitin 2009. Megjithatë, dua ta nënvizoj që përfshirja në Skuadrën Kombëtare të Rilindjes e Musa Ulqinit nuk është thjesht reflektimi im, për një socialist 24 karat, siç është Musai me të cilin na njohu politika dhe na bëri miq, siç rrallë herë ndodh të të bëjë politika, miq të vërtetë. Politika na ndau përkohësisht, për disa kohë, kur Musai nuk u përfshi në listën e sigurt të vitit 2009. Ky është edhe momenti për të nënvizuar, konkretisht, respektin për kontributin e një pjesëtari të kësaj familjeje politike, që pavarësisht se në atë kohë u ndje i ngrënë në hakun e vet, nuk u kuturis në rrugën e mllefit, në emër të egoizmit, të sedrës apo interesit vetjak, po pavarësisht ndarjes me mua në këndvështrime me modesti vazhdoi të kontribuojë në Partinë Socialiste në komunitetin ku jeton. Por ende më shumë se kaq, sepse lista e deputetëve nuk ndërtohet si stenda e një muzeu apo si kapitulli i një historie për të shkruar historinë."- tha Rama duke prezantuar Ulqinin.

"Nga ana tjetër profesoresha Mimoza Hafizi, gjithashtu, nuk u përfshi në listën e vitit 2009, edhe pse ishte anëtare e kryesisë së Partisë Socialiste. Zgjodhi të qëndrojë në Partinë Socialiste dhe jo me mllef, por me arsyet e veta m’u kundërvu mua publikisht brenda forumit të partisë pa shkelur asnjëherë etikën. Por, ende më e rëndësishme se kjo pa e lënë asnjëherë bosh vendin në Asamblenë Kombëtare në raport me njerëzit e kësaj familjeje politike, në raport me detyrën e saj dhe detyrimin përkarshi kësaj familjeje politike. Pa e shfrytëzuar, asnjëherë, statusin si anëtare e kryesisë për të promovuar një axhendë personale."- tha Rama për Mimoza Hafizin.

Rama i vlerësoi si vlera të shtuara përfshirjen në skuadrën e rilindjes të Musa Ulqinit dhe të Mimoza Hafizit.

"Duke u nisur nga cilësia etike me të cilën këta dy bashkëpunëtorë, dy miq, dy kolegë, kanë përshkruar një rrugëtim ku krahas vështirësisë së përgjithshme të të gjithëve ne si opozitë, u është dashur të përballojnë dhe vështirësinë të të ndjerit në një moment të caktuar të jetës së tyre politike jo mirë për shkak të një zgjedhjeje të bërë, është momenti për t’ju thënë të gjithëve se;
Në këtë familje politike ne jemi të gjithë bashkë. Jemi të gjithë të gatshëm të bëjmë betejën tonë të përbashkët. Po ashtu të përballojmë me dinjitetin më të madh dhe betejat tona të brendshme, kur këto beteja nisen nga qëllimi i mirë.

Ndërsa vet kandidatët shprehën vlerësimin për mundësinë që kryesocialisti Rama u dha për tu angazhuar ,kësaj here në një forme tjetër.

“Në këtë transformim historik të vendit tonë, kam detyrimin për një përfaqësim sa më dinjitoz të këtij qyteti në Parlamentin shqiptar."- tha Hafizi.

“Besoj se në këtë ndryshim PS është e gatshme të marrë përsipër qeverisjen bashkë me koalicionin e saj."- tha Ulqini.

Duke ju referuar profesionit të profesorësh Mimosa Hafizi e cila vjen nga shkencat e natyrës Rama tha me ironi se vendit nuk i kanë ardhur gjithmonë të mira nga njerëz të kësaj fushe duke shigjetuar deputetin e përjashtuar të Partisë Socialiste Kastriot Islami.

Musa Ulqini u rikthye në PS pas një ftese që lideri i opozitës i bëri për tu riangazhuar në fushatë , si njeriu që kish drejtuar për tre herë rrjesht fushatat e Ramës në zgjedhjet vendore. Mimosa Hafizi ka qenë deri ne 2011 anëtare e kryesisë në Partinë Socialiste .Hafizi është diplomuar ne fakultetin e shkencave te natyrës për fizikë ndërsa sot ajo është edhe shefe departamenti pranë këtij fakulteti

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)