Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ndodhet në Lituani ku është pritur në takim nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Jashtëm Remigijus Motuzas.

Hoxha shkruan se gjatë takimit u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit ndërparlamentar me qëllim avancimin e qëllimeve të përbashkëta. Ndër të tjera Lituania dhe njëherë konfirmon mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndër të tjera u diskutua për rritjen e sigurisë dhe për forcimin e unitetit të NATO-s si dhe për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Postimi i Ministrit Ferit Hoxha

Vilnius - Kënaqësi të takohem me Remigijus Motuzas, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme të Lituanisë.

Ne ramë dakord për rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit të zgjeruar ndërparlamentar si instrumente të vlefshme për avancimin e objektivave tona të përbashkëta, duke përfshirë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, ku i jemi mirënjohës Lituanisë për mbështetjen e saj të vazhdueshme.

Në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks, dy vendet tona mbeten të bashkuara fort për forcimin e unitetit të #NATO-s, ruajtjen e sigurisë euroatlantike dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.

Agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për arkitekturën e sigurisë së Evropës. Në këtë moment kritik, uniteti, solidariteti dhe bashkëpunimi i ngushtë midis Aleatëve dhe partnerëve janë më thelbësore se kurrë për të mbrojtur vetë parimet mbi të cilat paqja dhe stabiliteti në kontinentin tonë janë ndërtuar prej kohësh.