TIRANË – Ministri i Jashtëm i Lituanisë, z.Linas Linkevicius, në kuadër të mbajtjes së Presidencës së radhës të BE-së dhe Ministri i Jashtëm i Rumanisë, z.Titus Corlatean, në kuadër të kryesimit të radhës së Nismës së Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) kanë vlerësuar sot në Tiranë, arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE dhe janë shprehur se Shqipëria ka arritur progres, është në rrugën e duhur për të marrë statusin e vendit kandidat, pavarësisht reformave që ende duhet të vazhdojnë.

Dy diplomatët, pasi janë takuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme me z. Ditmir Bushati për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, bashkëpunimin rajonal dhe veçanërisht atë në kuadër të SEECP kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp.
 
Lidhur me integrimin e vendit në BE, ministri Bushati theksoi në fjalën e tij se “ne do të konsolidojmë refomat e qeverisë paraardhëse dhe do të vazhdojmë reformat atje ku ato nuk janë përmbushur.”

Ndërsa, ministri i Jashtëm i Rumanisë Linkevicius tha: “ Ne e mbështesim shumë programin qeveritar që pikë të parë ka integrimin europian dhe evropianizimin e Shqipërisë. Ne po ashtu vlerësojmë shumë transferimin demokratik të pushtetit.
 
Së fundi, në cilësinë e kryesisë së SEECP-it ne do ta mbështesim Shqipërisë nëpërmjet aktiviteve që kanë të bëjnë me forcimin e së drejtës; ndërkohë mirëpresim në Bukuresht një konferencë që ka qëllim luftën kundër korrupsionin dhe sekuestrimin e pasurive të fituara nga aktivitete kriminale. Një bashkëpunim ndërmjet vendeve të rajonit do të përshpejtojë përpjekjet e tyre drejt BE-së,"- theksoi kreu i diplomacisë rumune.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë Corlatean nga ana e tij tha se “Shqipëria ka arritur progres dhe është në rrugën e duhur për të marrë statusin kandidat. Është mirë të identifikohen arritjen e vendit, por ka ende reforma, ka ende punë për t’u bërë.”

bushati
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)