FT/ Partizani 0-3 Tirana (Falaje 19', Patsatsia 32' (p), Tabekou 74')

TIRANË - Një derbi për të shëruar plagët. Kështu ishte parë dhe kështu rezultoi për Tiranën, që merr fitoren e parë sezonale në raundin e gjashtë të Superligës. Kjo është hera e parë që Tirana fiton dy derbi radhazi me tre gola diferencë kundër Partizanit.

Skuadra bardheblu mposhti 0-3 Partizanin në derbin numër 206-të dhe 'vesh' sërish bardheblu kryeqytetin. Njësoj si në ndeshjen e fundit të 7 prillit 2025, fituar 3-0 nga Tirana, edhe këtë të premte ishin bardheblutë që reaguan në momentin që iu duhej më shumë, teksa nga ana tjetër Partizani u pa i shpërfytyruar në fushë, duke pësur 11 gola në këtë fillim sezoni dhe humbjen e katërt radhazi.

Ndeshja nisi e qetë për dy skuadrat, me kujdesin që ishte i dukshëm. Mirëpo në minutën e 19-të një mosmarrëveshje në prapavijën e Partizanit solli golin e parë të sfidës. Soler, me një pasim të gjatë nga mesi i fushës, bëri që mbrojtja e kuqe dhe portieri Alban Hoxha mos kuptoheshin, aty ku Falaje me kokë nuk gaboi dhe zhbllokoi sfidën.

13 minuta më vonë ishte Marku që gaboi në ndërhyrjen në zonë në dëm të Patsatsia, duke 'i dhuruar' Tiranës një penallti. Nga 11 metra, Patsatsia nuk gaboi dhe shënoi golin e dytë. Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, teksa ra në sy dëmtimi i Hoxhës dhe Prekës te Partizani, të cilët u zëvendësuan në nisje të fraksionit të dytë.

Edhe gjatë vijimit të lojës Partizani nuk pati forcë të reagonte dhe Tirana shënoi golin e tretë. Në minutën e 74-t, Ismajli pasoi për Tabekou dhe ky i fundit nuk gaboi përballë Qirkos, duke 'vulosur' tri pikët.

Vijimi i sfidës pa një Tiranë që kontrolloi lojën dhe një Partizan pa ide dhe forcë fizike në këmbë. Me rezultatin 0-3 Tirana fiton derbin dhe merr tri pikët e para këtë sezon.

Me pesë pikë, Tirana ngjitet në vendin e tetë, duke lënë Partizanin në vendin e nëntë me katër pikë. Të dyja skuadrat ndodhen në zonën e ftohtë, ndërsa trajneri Mladen Milinkovic duket se është në prag të shkarkimit te Partizani, kjo pasi ekipi i tij në gjashtë takime ka shënuar vetëm tre gola dhe ka pësuar 11-të.

7 mijë ishin tifozët e pranishëm sot në 'Air Albania' për të ndjekur këtë duel.

Komentet më të rëndësishme të ndeshjes:

90+3' Mbyllet 0-3 ndeshja në 'Air Albania'. Tirana merr fitoren e parë sezonale.

90' Tre minuta shtesë.

81' Altin Bytyçi ndëshkohet me karton të verdhë te Partizani, pas një ndërhyrje të gabuar në dëm të Tabekou në hyrje të zonës.

74' GOOL! Ismajli pason për Tabekou, me këtë të fundit që shënon golin e dytë për Tiranën këtë sezon.

63' Victor Da Silva futet në fushë, Milinkovic largon Koten te Partizani.

60' Abah merr vendin e Fernandez te Tirana.

46' Nis pjesa e dytë. Partizani largon Hoxhën e dëmtuar dhe vendin e tij e merr Qirko, jashtë edhe Preka, në fushë Bytyçi.

45+2' Mbyllet 0-2 pjesa e parë.

45' Dy minuta shtesë në fundin e pjesës së parë.

41' Skuka merr vendin e Qokthit te Partizani.

33' Pas golit të dytë, pati disa përplasje në fushë mes futbollistëve. Tafas u ndëshkua me karton të verdhë.

32' GOOL! Patsatsia fiton penallti te Tirana pas ndërhyrjes së gabuar të Markut. Vetë Patsatsia nuk gabon nga 11 metra, me Tiranën që shënon folin e dytë.

25' Marku i Partizanit dhe Fernandez i Tiranës ndëshkohen me karton të verdhë pas një dueli në fushë. Faull për Tiranën.

19' GOOL! Soler hedh një top në zonën e Partizanit nga mesi i fushës. Mbrojtja e Partizanit dhe portieri Hoxha nuk kuptohet si duhen dhe Falaje me kokë e dërgon topin në rrjetë. Tirana merr avantazhin.

17' Minuta të qeta, skuadrat mbrojnë mirë duke patur frikën e pësimit të golit,

12' Haxhiu kroson nga këndi te Tirana, shokët e tij të ekipit nuk shfrytëzojnë rastin.

1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga Tirana.

Formacionet zyrtare:

Partizani: Hoxha, Preka, Janjeva, Marku, Atanaskoski, Ismaili, Kote, Hjumen, Garsia, Qokthi, Bintsouka Trajner: Mladen Milinkovic

Tirana: Tafas, Valerianos, Lleshi, Soler, Vera, Fernandez, Haxhiu, Falaje, Vogli, Patsatsia, Tabekou Trajner: Roberto Bordin

Gjyqtar: Eldorian Hamitaj

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:56
Fitorja në derbin me Partizanin, Refik Halili 'zgjidh qesen'! 20 mijë euro premio për futbollistët e Tiranës

20 mijë euro premio do marrin futbollistët e Tiranës pas fitores 0-3 në derbin kundër Partizanit. Ka qenë presidenti i bardhebluve, Refik Halili, i cili fill pas fërshëllimës finale të arbitrit, ka zbritur në dhomat e zhveshjes të 'Air Albanias' dhe ka komplimetuar të tijtë për këto tri pikë në një moment jo shumë të mirë për ekipin.

"Urime të gjithëve, ia dolëm të fitonim dhe të vinim këtu me durim. Kemi edhe tre ndeshje të rëndësishme për të mbyllur fazën e parë. Tani, ajo që ju po prisni, kemi vendosur që për këtë fitore të japim një premio prej 20 mijë eurosh. Testi ynë si klub janë tri ndeshjet e radhës. Faleminderit të gjithëve", tha Halili mes të tjerash, teksa nuk munguan duartrokitjet e futbollistëve dhe stafit.

Ora 21:42
Humbja në derbi trondit Partizanin, Milinkovic 'mediton' largimin: Do flas me klubin

1759412841_GJK3936.jpg

Katër humbje radhazi, 11 gola të pësuar dhe vetëm tre të shënuar për vendin e parafundit në renditje me katër pikë të grumbulluara. Këto janë statistikat e Partizanit të Mladen Milinkovic në gjashtë javët e para të sezonit, teksa humbja 0-3 në derbin kundër Tiranës mund të sjellë fundin e aventurës së tij me 'Demat'.

Pas humbjes, trajneri serbo-boshnjak po 'mediton' largimin, duke pranuar se asgjë e mirë nuk po ndodh dhe se do diskutojë me klubin për të ardhmen.

"Kjo është një situatë që na ndodh javë pas jave, nuk është mirë për askënd. Kam shumë mungesa, por këto nuk janë justifikime. Do flas me bordin drejtues për të ardhmen", tha mes të tjerash Milinkovic për Rtsh Sport.

Ora 19:13
FOTO/ Koreografitë e derbit, 'Guerrils' dhe 'Fanatics' ndezin atmosferën

Koreografia e tifozëve të Partizanit

Edhe pse jo në numrin që jemi mësuar t'i shohim gjithmonë, 'Ultras Guerrils' të Partizanit dhe 'Tirona Fanatics' të Tiranës i kanë kushtuar rëndësi koreografisë në derbi, duke shpalosur banderolat para duelit. Afro 7 mijë tifozë janë sot në 'Air Albania' për derbin e kryeqytetit.

Koreografia e tifozëve të Tiranës
Ora 18:22
Tifozët 'braktisin' ndeshjen Partizani - Tirana, ultrasit të ndarë: Ky derbi është i vakët

 

Diçka më shumë se 5 mijë tifozë priten sot për derbin numër 206 në histori mes Partizanit dhe Tiranës. Fakti i dhimbshëm është se ndër vite ky duel ka filluar të tërheqë më pak tifozë, teksa sot pritet që atmosfera mos jetë e njëjtë me atë që jemi mësuar më parë.

Për gazetarin Ernest Koçi të Report Tv, disa tifozë janë të ndarë për rezultatin, duke pranuar se këtë herë dy duel është i vakët.

"Derbi i vakët, por sot e shoh me rivalitet nga të dyja palët. Them se do jetë spektakolare. Çdo derbi ka qenë shumë i bukur, i ndjek. Them se sot Partizani fiton 2-0", tha tifozi i Partizanit.

Një tifoz i vogël i Tiranës u duk se nuk i njihte futbollistët, për shkak të shumë ndryshimeve merkaton e verës që lamë pas.

"Do e fitojmë sot me Partizanin, edhe pse jemi në vendin e fundit. Do kthehemi ku na takon, edhe Partizani është dobët. Më pëlqen Soler në mesfushë. Sot fiton Tirana 2-1", tha tifozi i vogël për Report Tv.

Ora 17:42
'Tirona Fanatics' marshojnë në stadium për derbin kundër Partizanit (VIDEO)

Të grumbulluar në sheshin 'Skënderbej' në kryeqytet dhe të shoqëruar gjatë gjithë rrugës nga policia, tifozët ultras të Tiranës, 'Tirona Fanatics' kanë marshuar për në stadiumin 'Air Albania'. Të shumtë dhe të zhurmshëm, ata kanë bllokuar për pak kohë kalimin e mjeteve, ndërsa policia më herët ka bërë me dije edhe planin e masave për këtë duel.

Partizanit - Tirana luhet sot në orën 19:00 në 'Air Albania' dhe vlen për raundin e gjashtë në Superligë.