Andorra la Vella - Pas stërvitjes dy ditore në Barcelonë me grupin e plotë, kombëtarja kuqezi e futbollit mbërriti mesditën e të mërkurës në Andorra, aty ku nesër në orën 20:45 luhet sfida që vlen për raundin e parafundit kualifikues në Grupin K të Kupës së Botës 2026.
Nga stadiumi "Encamp" ku do luhet ndeshja, përpara mediave dolën trajneri Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti. Dyshja cekën rëndësinë e këtij dueli, që për tanët mund të jetë deçiziv. Një fitore e Shqipërisë në Andorra, kombinuar me humbjen e Serbisë në Angli, do bënte që Kombëtarja kuqezi zyrtarisht të ishte në play-off e Kupës së Botës 2026 si e dyta e grupit, për të kërkuar një biletë në finalet që zhvillohen verën që vjen në Amerikën e Veriut.
Sylvinho: "Rivalët - Trajneri i Andorrës ka shumë kohë aty dhe e njeh ekipin, luan shumë mirë dhe merr maksimumin në mbrojtje. Në Tiranë patëm vështirësi kundër tyre deri te goli i parë (fituam 3-0). Andorra vuri në vështirësi edhe Serbinë në pjesën e parë, luajnë në çdo centimetër të fushës. Nesër duam të fitojmë dhe shpresojmë t'ia dalim.
Analiza e rivalëve dhe shanset e Shqipërisë për një vend në fazën finale të Kupës së Botës?
Po rritemi shumë si ekip dhe Federatë. Ndërkohë që ne rritemi, punojnë edhe të tjerët. Diferencat në futboll janë më të vogla. Kur luan jashtë është më e vështirë. Kur luajmë brenda, shifrat thonë që kemi rezultate më të mira. Jemi afër play-off dhe kemi një moment që Kombëtarja nuk e ka pasur kurrë në histori. Ta shfrytëzojmë dhe nesër të bëjmë më të mirën për tri pikët.
Si luan nesër Shqipëria?
Ekipi do jetë i njëjtë për shpirtin e garës dhe menaxhimin e dhomave të zhveshjes. Mund të ketë ndryshime, por varet nga rivalët. Detyrimi për fitore ka nisur që me Letoninë, kjo është ndeshja e tretë që na duhet fitorja. Kemi ekuilibër në ekip, kemi shpirt ekipi dhe duam të marrim më të mirën.
Pak kohë për të përgatitur këtë takim, sa ndikon? Rëndësia për të përgatitur ndeshjen nga ana mentale...
Kundër Serbisë kishim më shumë kohë, por varet nga kalendari. Nuk kemi punuar shumë në fushë, kemi parë shumë video dhe kemi bërë mbledhje. Mesazhin futbollistët e kanë marrë, i kam parë të motivuar. Kemi edhe tani stërvitjen. Unë marr përgjegjësi si trajner.
Duhet të menaxhojmë një ndeshje që do jetë 90 minuta shumë e vështirë. Pjesën e parë me Serbinë, Andorra barazoi 1-1. Vendosën në vështirësi edhe Anglinë. Në letër mund të jetë e lehtë, por në fushë do ketë një vështirësi të madhe.
Me çfarë skeme do luajmë nesër, kundër një rivali që mbron?
Ne, më shumë se moduli duhet të ndryshojmë te karakteristikat e futbollistëve. Ne kemi 2-3 ditë bashkë me ekipin, kemi folur. Nuk më shqetëson moduli, rëndësi kanë cilësitë e futbollistëve në fushë, karakteristikat e tyre në fushë. Vendosja në fushë, lëvizjet në zona të ngushta. Nesër deri në drekë mund të kem vendosur se cili luan. Një 5-4-1 e Andorrës, ndryshon nga 5-3-2 i Serbisë. Mund të ketë ndryshime në ekip, jo moduli, por vlejnë karakteristikat e futbollistëve.
A mund të kemi një ekip sulmues, me Andorrën që mbron?
Ne duhet të studiojmë lojën, kemi menduar për këtë këto ditë. Kjo varet nga cilësitë, varet sesi do futemi në fushë, siç thashë më parë. Rivalët ndryshojnë. Dua një futbollist që bën mirë në hapësirat e ngushta dhe hap hapësira për shokët e ekipit. Andorra nuk pëson shumë, t'i bën gjërat shumë të vështira sepse lufton çdo centimetër, bllokon linjat. Në fushë na duhen emrat që shkojnë te goli.
A të shqetëson fakti i minutave që kanë lojtarët?
Jo, nuk jam i shqetësuar për këtë. Ne duhet të shfrytëzojmë karakteristikat e futbollistëve. Nuk dua të them emra, por kemi 2-3 futbollistë që tre vite me ne kanë shënuar dhe e dimë se kur do jenë në fushë mund të shënojnë. Fizikisht jemi shumë mirë.
Çfarë pozicioni do mbajë një trajner kur ka një konflikt mes Federatës dhe klubit? (Paralelizmi për Lamine Yamal të Barçës)
Unë kam një karrierë të gjatë. Kam qenë te Interi, Brazili, tani me Shqipërinë. Si futbollist i kam përjetuar të dyja. Kjo është si një përballje force dhe në mes janë futbollistët. Ka shumë ndeshje për t'u luajtur, të mërkurën, të dielën. Kalendari është i ngjeshur", tha Sylvinho.
Statistikat dhe renditja
Përballja e nesërme do jetë e nënta mes dy skuadrave. Gjashtë fitore ka Shqipëria, një ndeshje është mbyllur në barazim dhe një fitore ka shkuar për Andorrën. 14 gola kanë shënuar tanët, kundrejt katër të pësuarve.
Sylvinho e ka grupin e plotë dhe pa asnjë problem nga dëmtimet, teksa fill pas intervistës së sotme ekipi zbriti në fushë për stërvitjen gjenerale në stadiumin ku do luhet ndeshja.
Veç Andorrës, ndeshje e cila mund të jetë historike për tanët, Shqipëria pret Anglinë më 16 nëntor (18:00 në Tiranë), duel ky i fundit për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.
Pas gjashtë ndeshjeve, Shqipëria me 11 pikë mban vendin e dytë në grup, shtatë më pak se Anglia kryesuese që është kualifikuar dhe një më shumë se Serbia e vendit të tretë. Letonia me pesë pikë renditet e katërta, ndërsa mbyll tabelën Andorra me vetëm një pikë.
Shqipëria ka vetëm një humbje në këto kualifikuese, atë kundër Anglisë në duelin e parë hapës, ndërsa pozicioni i dytë do të thotë një vend në play-off për të kërkuar biletën e finalave të Botërorit 2026, një ëndërr për gjithë shqiptarët, pasi diçka e tillë nuk ka ndodhur në historinë e futbollit tonë.
Renditja në Grupin K kualifikues
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti foli për mediet nga Andorra, aty ku nesër Shqipëria përballet me vendasit në orën 20:45.
"Pritshmëritë janë të mëdha, keni marrë leksione nga ndeshjet e tyre kundër Anglisë dhe Serbië?
Qëllimi ynë janë tri pikët, këto na nevojiten. Kemi parë ndeshjet e tyre në shtëpi, kanë vendosur në vështirësi Anglinë dhe Serbinë, por ne do luajmë ndeshjen tonë. Ne kemi respekt për rivalin, ndeshja do jetë e vështirë, por ne na duhen tri pikët për objektivat tanë.
Kupa e Botës? Jam krenar që kam 300 ndeshje me Atalantën, ndeshja e radhës ka rëndësi. Para kemi Andorrën. Duhet të japim gjithçka për ëndrrën tonë në play-off. Besoj te mundësitë e ekipit dhe ato që futbolli të jep. Nuk e mendoja para dhjetë viteve se do isha në garë për Kupën e Botës.
Një lider që po udhëheq ekipin, çfarë ka më shumë ky ekip se ai i Euro 2024?
Kemi lojtarë me cilësi dhe emra të rinj shumë të talentuar. Sylvinho ka vështirësi për përzgjedhjen e formacionit. Kemi kualitet të rritur, por edhe grupin që bën të mundur çdo gjë dhe grupi është ai që ka rëndësi për ne.
Nesër nuk duhet të pësojmë, do shënoni si me Armeninë?
Si mbrojtës futem mos shënoj, por pse jo mes jem unë autori i golit. Kjo nuk ka rëndësi për mua, dua që të fitojë ekipi dhe të marrim një vend në play-off.
Stadiumi nesër kuqezi në Andorra, një mesazh?
Besoj si gjithmonë, kjo është një shtysë e madhe për ne dhe na japim më shumë mbështetje. Unë i falenderoj tifozët dhe ne do bëjmë maksimumin në fushë. Duam t'i bëjmë të lumtur dhe kam besim se do ia arrijmë", tha Gjimshiti.
Komente








