MEXICO CITY - Ndeshja e fazës së 1/16-ave të Kupës së Botës 2026 mes Meksikës dhe Ekuadorit filloi me një orë vonesë (04:00) për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në Mexico City.
Takimi ishte planifikuar të niste sot në orën 03:00 të mëngjesit me kohën shqiptare, por reshjet e dendura të shiut dhe alarmet për aktivitet të lartë me shkarkesa elektrike detyruan organizatorët të vononin fillimin e sfidës me një orë. Ndeshja filloi në orën 04:00 të mëngjesit me kohën shqiptare.
"Për shkak të kushteve të këqija të motit në Mexico City, përfshirë rrezikun e rrufeve pranë stadiumit, fillimi i ndeshjes është shtyrë deri në orën 20:00 sipas orës lokale (04:00 sipas orës shqiptare). Nuk janë planifikuar pushime për shkak të hidratimit gjatë ndeshjes. Siguria e të gjithë të përfshirëve është përparësia kryesore e FIFA-s. Falenderojmë të gjithë tifozët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre", njofton FIFA.
Fituesi i përballjes mes Meksikës dhe Ekuadorit do të sigurojë një vend në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, ku do të përballet me fituesin e duelit mes Anglisë dhe Republikës Demokratike të Kongos.
Formacionet zyrtare:
Meksika (4-3-3): Rangel; Sanchez, Montes, Vasquez, Gallardo; Mora, Lira, Romo; Alvarado, Raul Jimenez, Quinones
Ekuadori (4-4-2): Galindez; Franco, Ordóñez, Pacho, Hincapié; Yeboah, Caicedo, Vite, Angulo; Plata, Enner Valencia
PROTOKOLLI NË RAST TË RRUFEVE - Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (duket se FIFA po zbaton këtë protokoll edhe në Meksikë), zbatohen rregullat e Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), të cilat përcaktojnë se nëse zbulohet rrufe brenda tetë miljeve (12.8 km) nga një stadium, ndeshja duhet të ndërpritet. Të gjithë lojtarët duhet të largohen nga fusha dhe tifozët duhet të kërkojnë strehim brenda stadiumit (siç ndodhi në pushimin e ndeshjes Francë - Irak).
Një numërim mbrapsht i detyrueshëm prej 30 minutash fillon në atë pikë. Sa herë që rrufeja bie afër, numërimi rivendoset. Pas gjysmë ore, tifozët mund të kthehen në vendet e tyre dhe lojtarët mund të ngrohen shkurtimisht. Nëse një ndeshje anulohet për shkak të motit të keq, FIFA do ta vlerësojë situatën rast pas rasti. Nuk ka një afat kohor të caktuar ose kohë maksimale pritjeje për lojtarët para se të anulohet. Në thelb, përparësia kryesore është të sigurohet që të gjithë tifozët në stadium të mund të kthehen në shtëpi të sigurt.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente






