TIRANË - Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, së bashku me kapitenin Berat Gjimshiti dolën para medieve nga stadiumi "Air Albania". Të dielën (nesër) në orën 18:00 Shqipëria pret Anglinë për ndeshjen e fundit në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, me stadiumin 'Air Albania' që do ketë mbi 22 mijë tifozë, pasi të gjitha biletat janë të shitura.

Ky duel duket si 'miqësor', pasi skuadrat i kanë arritur objektivat e tyre. Anglia e ka siguruar tanimë vendin e parë dhe biletën për fazën finale të Botërorit që verën e ardhshme do zhvillohet në Amerikën e Veriut, ndërsa Shqipëria zyrtarisht mban vendin e dytë pas fitores 0-1 në Andorra dy ditë më parë, që do të thotë pjesëmarrje në fazën play-off, që të jep të drejtën e garimit për në finalet e turneut.

Më 20 nëntor kuqezinjtë do mësojnë edhe rivalin për gjysmëfinalen e play-off, për të shpresuar në një rezultat pozitiv me qëllim kalimin në finale, e më pas synimin e ëndrrës së madhe që quhet Botëror.

Trajneri Sylvinho u ndal te rivalët, mërzia e Brojës pas ndeshjes me Andorrën dhe pesë futbollistët që janë të ndëshkuar me karton të verdhë. Nëse luajnë nesër, Ajeti, Manaj, Shehu, Mitaj dhe Bajrami rrezikojnë të ndëshkohen sërish me një tjetër karton të verdhë, çka do të thoshte mungesë në gjysmëfinalen play-off në fund të marsit.

Sylvinho: "Fola me Brojën pas ndeshjes në Andorra, vetëm dhe me grupin. Është një moment që e kemi zgjidhur, ishte i zhgënjyer. Jemi në një moment shumë të mirë dhe të bukur, për vendin dhe ekipin. Jemi në play-off dhe të shijojmë ndeshjen me Anglinë. Jam shumë krenar që jam trajneri i Shqipërisë. Kam shijuar çdo ditë pune. Kur erdha këtu nuk kuptoja as gjuhën, asgjë nga kultura. Tani ndihem si në shtëpi. Anglia? Djema, po flasim për Anglinë që ka një cilësi të madhe dhe mos konfuzohemi. Ata janë në Kupën e Botës tanimë dhe janë favoritë për ta fituar eventin. Nesër është një ndeshje e madhe, kanë një trajner që më pëlqen si Tuchel. Ka futbollistët më të mirë në botë dhe luajnë në nivele të larta. Ata nuk kanë pësuar asnjë gol dhe kanë grumbulluar 21 pikë në shtatë ndeshje, duke mos humbur. Ne luajmë për herë të parë në play-off.

Kartonat e verdhë? Kemi diskutuar dhe do vendosim nesër, kemi edhe një stërvitje. Do mendojmë për në mars se kemi play-off. Do flas me stafin, është e vështirë dhe nesër do kemi një vendim", tha mes të tjerash trajneri.

Nga ana tjetër, Gjimshiti guxon duke thënë se kanë shanse t'i shënojnë Anglisë. Kapiteni veçoi forcën e sulmuesve kundërshtarë.

Gjimshiti: "Gjithë mbrojtësit në botë kanë vështrësi kundër Kane. Ne do mbrojmë dhe sulmojmë si ekip, nuk jam vetëm unë që do kujdesem për Kane. Ata kanë elementë shumë të mirë. Pse mos i shënojmë ne nesër dhe ta prishim rekordin e tyre? Kane lëviz shumë, nuk rri kurrë pranë mbrojtjes, afrohet në mesin e fushës, është i fortë dhe ka cilësi", tha kapiteni i Kombëtares.

Fill pas konferencës për mediet, trajneri Sylvinho drejtoi edhe stërvitjen gjenerale të Kombëtares në "Air Albania".

Përballjet dhe statistikat me Anglinë

Shqipëria dhe Anglia janë përballur shtatë herë më parë. Në të gjitha rastet ka fituar Anglia, ndërsa ne i kemi shënuar 'Tre Luanëve' vetëm një herë, në humbjen 1-3 në 'Qemal Stafa' më 28 mars 2001, me gol nga Altin Rraklli. Ndërkohë që Anglia na ka shënuar 21 gola.

Takimi i fundit mes skuadrave daton më 21 mars 2025, kur në Londër Anglia fitonte 2-0. Kjo është ndeshja e fundit që Shqipëria ka humbur këtë vit, teksa më pas Kombëtarja ka gjashtë fitore (pesë radhazi) dhe dy barazime. Anglia, në shtatë ndeshjet e kësaj fushate kualifikuese ka shtatë fitore. 'Tre Luanët' nuk kanë pësuar asnjë gol, duke shënuar 20-të. Misioni i Shqipërisë në "Air Albania" duket i vështirë.

Arbitrat

UEFA ka vendosur që në Tiranë të gjykojnë arbitrat nga Italia. Kryesori Marco Guida do mbështetet nga ndihmësit Giorgio Peretti, Alessio Berti dhe Simone Sozza. Në VAR do jenë Marco Di Bello dhe Valerio Marini.

Renditja në Grupin K kualifikues

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:00
Gjimshiti nuk fshihet: Para Andorrës kishim në mendje rivalët e play-off-it

Nga "Air Albania", kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti foli për mediet para ndeshjes kundër Anglisë. Shqipëria pret nesër në orën 18:00 "Tre Luanët".

"Anglia? Ne e kemi arritur play-off, por duhet të japim më të mirën në fushë për të vendosur në vështirësi një ekip të madh si Anglia. Ndeshja është e rëndësishme për ne.

Shtatë humbje kundër Anglisë, është momenti për ndryshim?

Unë mendoj ndeshje për ndeshje, nuk i shoh statistikat edhe pse kemi tetë ndeshje pa humbje dhe është mirë kur e dëgjon. Kundër Anglisë duhet të kemi gjithë "armët" në fushë për të marrë më të mirën.

Përballë Harry Kane dhe yjeve të Anglisë, sa vështirë është të përballet një ekip që nuk ka pësuar gola këtë fushatë kualifikuese?

Gjithë mbrojtësit në botë kanë vështrësi kundër Kane. Ne do mbrojmë dhe sulmojmë si ekip, nuk jam vetëm unë që do kujdesem për Kane. Ata kanë elementë shumë të mirë. Pse mos i shënojmë ne nesër dhe ta prishim rekordin e tyre? Me përqëndrim kemi shanse.

A keni menduar për rivalët e play-off?

Sigurisht, është normale. Edhe kundër Andorrës e kishim mendjen aty. Tani mendjen e kemi te Anglia. Të mësojmë nga këto skuadra që kanë kualitet të lartë. Të mbyllim ndeshjen nesër dhe të përqëndrohemi te play-off.

Është ky reparti mbrojtës më i mirë që kemi pasur?

Nuk e di, atë e gjykojnë njerëzit nga jashtë. Unë për vete nuk e di, di të them që në këtë ekip kemi shumë organizim të mirë në fushë dhe taktikisht kemi shumë kualitet të madh. Gjithë ekipi mbron dhe kjo ka rëndësi.

Si është të luash kundër emrave si Kane apo Foden?

Kane lëviz shumë, nuk rri kurrë pranë mbrojtjes, afrohet në mesin e fushës, është i fortë dhe ka cilësi. Edhe Foden ka cilësi, edhe ai lëviz shumë. Duhet t'i ndalim dhe të kemi komunikim në fushë", tha Gjimshiti.

Ora 17:49
Sylvinho: Me Brojën jam sqaruar, Anglisë i kemi përgatitur 'kurthin'! Mancini 'më bekoi' për të qenë trajner

Nesër në orën 18:00 Shqipëria pret Anglinë në "Air Albania" për ndeshjen e fundit në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Kuqezinjtë janë zyrtarisht në play-off për herë të parë në histori, ndërsa Anglia e ka siguruar Kupën e Botës me shtatë fitore dhe asnjë gol të pësuar.

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka folur para ndeshjes. Ai tha se Broja ishte i mërzitur me veten pas fitores 0-1 në Andorra, por ata kanë folur dhe janë sqaruar. Sylvinho la të kuptohej se nesër mund të kemi shumë lëvizje në formacion, pasi Ajeti, Manaj, Shehu, Mitaj dhe Bajrami kanë nga një karton të verdhë dhe një tjetër nesër do të thoshte mungesë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të play-off-it.

Trajneri kujtoi edhe vitin 2009, kur Roberto Mancini (atëherë trajneri i tij te Man. City), i futi në mendje punën e trajnerit.

"Është një ndeshje për testin play-off?

Djema, po flasim për Anglinë që ka një cilësi të madhe dhe mos konfuzohemi. Ata janë në Kupën e Botës tanimë dhe janë favoritë për ta fituar eventin. Nesër është një ndeshje e madhe, kanë një trajner që më pëlqen si Tuchel. Ka futbollistët më të mirë në botë dhe luajnë në nivele të larta. Ata nuk kanë pësuar asnjë gol dhe kanë grumbulluar 21 pikë në shtatë ndeshje, duke mos humbur. Ne luajmë për herë të parë në play-off.

Festa mikse në dhomat e zhveshjes dhe dëshpërimi i Brojës. Keni folur me të?

Pyetje e mirë. Ishte një ndeshje e vështirë. Andorra është një ekip shumë i fortë në shtëpi, edhe Anglia i mposhti 0-1. Fola me Brojën pas ndeshjes, vetëm dhe me grupin. Është një moment që e kemi zgjidhur, ishte i zhgënjyer. Jemi në një moment shumë të mirë dhe të bukur, për vendin dhe ekipin. Jemi në play-off dhe të shijojmë ndeshjen.

Shkuat në Europian dhe tani jeni në play-off, përfshi edhe fitoren në Serbi. Ndiheni i përmbushur nga ky ekip?

Po. Jam shumë krenar që jam trajneri i Shqipërisë. Kam shijuar çdo ditë. Kur erdha këtu nuk kuptoja as gjuhën, asgjë nga kultura. Tani ndihem si në shtëpi. Nuk është e lehtë të bindësh lojtarët të luajnë siç ti do. Kemi bërë një punë të mirë. Jam krenar për lojtarët e mi.

Broja prej disa kohësh nuk luan mirë dhe ju e lini në formacion. A mos ndoshta pozicioni i tij në krahun e djathtë nuk është i duhuri?

E dëgjova me vëmendje pyetjen. Ai ka bërë disa ndeshje të mira me ne. Kundër Serbisë ai bëri një paraqitje shumë të mirë. Kur flasim për një ekip duhet të kemi balancë. Na duhet balancë në pjesën pas dhe para. Ne kemi 25 futbollistë. Për mua roli i Brojës nuk është problem, ndonjëherë mund të kemi ndeshje të mira dhe ndonjëherë jo. Fokusi ndonjëherë nuk është vetëm te një emër, por te ekipi si i gjithë. Kemi emra të tjerë, Uzuni mund të luajë në disa role. Do provojmë.

Anglia nuk ka pësuar ende, çfarë do të thotë për ju? Çfarë ndodhi me Brojën?

Po flasim për Anglinë që ka një ekip shumë të fortë me trajner shumë të mirë, ndaj nuk pësojnë. Kanë një ekip të shkëlqyer. Anglia ka një ekip të zgjuar, bëjnë gjërat siç duhet dhe kjo është pse nuk kanë pësuar, sepse nuk i japin mundësi rivalëve. Anglia është ndër favoritet me Argjentinën, Brazilin, Gjermaninë dhe Spanjën për të fituar Kupën e Botës. I kemi parë në çdo ndeshje, do isha i lumtur t'i shënonim.

Broja? E nxora nga loja 12 minuta pas pjesës së dytë në ndeshjen tonë më të rëndësishme dhe ishte i mërzitur. Nuk ka problem, fola me të dhe me grupin. Gjithçka është e zgjidhur.

Ndeshja e parë e kualifikueseve kundër Anglisë (Shqipëria humbi 2-0 në Londër) dhe kjo e nesërmja, cila Angli është më e fortë?

Anglia është bërë më e fortë. Tetë muaj më parë ishte ndeshja e parë e Tuchel me ekipin. Të gjithë kanë nevojë për kohë që të aplikojnë skemën. Numrat janë të tmerrshëm, kanë shumë cilësi. Ne duam të bëjmë punën tonë, kemi përgatitur diçka dhe duam të shënojmë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka.

Çfarë ju ka sjellë puna me Shqipërinë edhe në aspektin personal?

Në 2009 kisha Mancinin si trajner te Manchester City dhe më tha 'eja këtu, të dua në staf pas një viti'. Nuk e kuptova, mbase pa diçka te unë. Një vit më vonë isha në stafin e Brazilit. Është një punë që ka shumë presion, por e shijoj shumë. Futbolli është një ndjenjë shumë e bukur kur e luan, si trajner nuk mendon vetëm për veten, por edhe për lojtarët.

Disa nga futbollistët kanë kartona të verdhë dhe rrezikojnë play-offin (Ajeti, Manaj, Shehu, Mitaj, Bajrami), do i ndërroni nesër?

Po, e vërtetë. Kemi diskutuar dhe do vendosim nesër, kemi edhe një stërvitje. Do mendojmë për në mars se kemi play-off. Do flas me stafin, është e vështirë dhe nesër do kemi një vendim", tha Sylvinho.