Sylvinho para Ligës së Kombeve: Broja jashtë edhe për pesë javë, kam besim te Abrashi! Muçit i ndodhën ndryshime, të hapur për rikthime

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka publikuar listën me 24 emrat e ftuar për dy ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve. Paraditen e kësaj të premteje, braziliani ka bërë me dije edhe "luftëtarët" që do ketë me vete kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë më 11 dhe 14 tetor, ndeshje këto që luhen të dyja në udhëtim.

Pas publikimit të listës, braziliani ka dalë përpara medieve në Tiranë. Trajneri tha se Broja do jetë jashtë edhe për pesë javë, ndërsa ka besim te Abrashi andaj e ka marrë në ekip. Sylvinho i ka cekur të gjitha temat, duke thënë se organizimi i shumëdiskutuar i Euro 2027 për U-21 mes Shqipërisë dhe Serbisë, nuk është punë për të.

"Manaj mungesë dhe Pajaziti si risi. Abrashi çfarë mund të japë më shumë?

Kemi tre lojtarë të dëmtuar. Manaj ka pësuar një lëndim me ekipin e tij, kemi folur dhe nuk duam të rrezikojmë. E njëjta gjë edhe për Medon Berishën. Keidi Bare është dëmtuar kundër Elches dhe nuk ka luajtur. Kemi qenë në kontakt me mjekun e Zaragozës.

Pajaziti? Më pëlqen dhe është rritur në fushë. Mund të na shërbejë shumë. Abrashi vjen sepse ka për të dhënë shumë. Ne kemi emra të rinj, por kemi nevojë edhe për përvojën. Nëse më duhet dikush në fushë, kam besim te Abrashi.

Sulmi, Daku i vetëm në mënyrën e lojës si '9'. Mund të konsideroheshin Çuni dhe Tuci. Mund të ishte Albion Ademi një zgjedhje, ka shënuar nëntë gola në Kinë...

Kam qenë me Tucin në Pragë. Ai është në listën e madhe, si Çuni dhe Vrioni. Kemi Seferin, Uzunin dhe Muçin. Nuk mund të luajmë shumë me vetëm një pikë referimi, më pëlqen, por jo gjithmonë do luajmë ashtu. Kemi disa emra dhe kemi gjetur zgjidhje. Daku dhe Uzuni bëjnë atë rol dhe mund t'i provojmë. Laçi mund të jetë përshtatur edhe në rolin e Asanit, besoj te mundësitë për lojtarët, jo eksperimentet. Kombëtarja është e hapur edhe për Zekën dhe Spahiun. Më parë kemi pasur edhe Muçollin, i shoh në stërvitje, jo vetëm në ndeshje. Albion Ademi? Nuk është koha e këtij lojtari.

Besim për Ernest Muçin?

Që të marr 2-3 emra, më duhet të lë dikë jashtë. Muçi është rikthyer. Duhet të kuptojmë që ai ka nevojë për kohë, pasi ndryshoi ekip dhe mënyrë jetese, duhet të përshtatet. Më vjen në mend një fjalë, durim. Lojtarët do jenë në fushë këtë fundjavë dhe do bëjmë rivleresime. Ju jeni të lumtur për Muçin, kështu jam edhe une.

Zeka dhe Spahiu një eksperiment i dështuar? Pas një viti në Pragë...

Nuk është eksperiment, është mundësi. Kombëtarja të jep mundësi, ne kemi pasur mundësi t'i shihnim për dhjetë ditë. Të dy luajnë në të djathtë, janë mëngjarashë. Kemi 45-50 lojtarë në monitorim. Kemi dy ndeshje shumë të vështira, Çekia shumë e fortë dhe fiton centimentra. Ka tranzicion të shpejtë dhe rikthehemi në Pragë. Janë shumë ndeshje të forta dhe një grup i vështirë.

Serbia dhe Shqipëria organizojnë Euro 2027 së bashku, mendimi juaj?

Unë jam trajner dhe më intereson shumë ekipi U-21. Ne kemi marrë shumë lojtarë nga U-21. Fetaj, Shpendi, Bajrami, Pajziti, Mitaj, Simoni dhe shumë të tjerë. Si bëhet, sa bëhet, ku realizohet, nuk është puna ime si trajner. Unë gëzohem kur ata luajnë në ekipe të forta dhe kjo nuk më përket mua ta vendos. Më takon ana sportive dhe dua që lojtarët t'i kem në kushte shumë të mira.

Do jetë Broja gati për ndeshjet e nëntorit, si është gjendja e tij?

Ne kemi folur pak në këto momente, sepse sipas raportit të Everton ai ka nevojë edhe për pesë javë që të rikuperohet. Dëshira është që të jetë gati sa më shpejt, të luajë me klubin dhe aq më mirë është për ne. E kemi lojtar të rëndësishëm dhe duam ta mbrojmë, ashtu siç do edhe klubi.

Lista, janë në të njëjtën nivel mental ata që vijnë dhe stërviten me ata që marrin minuta...

Kemi një listë më të madhe. Nuk do të thotë që patjetër të vish për të luajtur në ekip, apo sa minuta kanë marrë. Jam i kënaqur me lojtarët që paçka se nuk kanë pasur minuta me klubet, kanë dhënë shpirtin në fushë. Për mua kjo ka rëndësi, shpirti dhe zemra në fushë.

Dëmtimi i Berat Gjimshitit...

Kemi folur me mjekun e Atalantës, është kapiteni i këtij ekipi, një përvojë e madhe dhe një njeri i madh. Kam folur dhe vetë me Beratin. Mungoi në 2016 në Francë dhe u kthye në Evropian me shiritin e kapitenit, diçka e madhe. Atalanta do luajë nesër në 18:00, ka një problem të vogël. Nëse është gati do e kemi, sigurisht. Nëse jo, do flasim me të tjerët.

Andi Hadroj dhe mundësia për të luajtur në vend të Mitaj...

Mos u shqetësoni, kemi edhe Hysajn dhe Balliun që luajnë në krahun e majtë gjithashtu. Hadroj me ne stërvitet si mbrojtës i majtë, ai e bën shumë mirë krahun e djathtë pasi është roli i tij. Është e vërtetë që kemi vetëm Mitaj në krahun e majtë, por kemi edhe këto alternativa", tha Sylvinho.

Lista:

Në portë janë Thomas Strakosha, Elhan Kastrati dhe Alen Sherri. Në mbrojtje Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla dhe Enea Mihaj.

Në mesfushë Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Adrion Pajaziti, Qazim Laçi, Nedim Bajrami dhe Ernest Muçi.

Në sulm Jasir Asani, Taulant Seferi, Arbër Hoxha, Myrto Uzuni dhe Mirlind Daku.

Grumbullimi i lojtarëve do të nisë që të diel në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre, ndërsa grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë të hënën më 7 tetor. Seancat stërvitore do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa të enjten kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Çekisë.

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshjet e radhës në UEFA Nations League, ndaj Çekisë (11 tetor, “Epet Arena”, 20:45) dhe Gjeorgjisë (14 tetor, “Mikheil Meskhi Stadium”, 20:45).

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Rrugorja intensifikon masat për parandalimin e aksidenteve, drejtori Qato apelon të respektohen rregullat gjatë fluksit të fundvitit

Rrugorja intensifikon masat për parandalimin e aksidenteve, drejtori Qato apelon të respektohen rregullat gjatë fluksit të fundvitit