'JEMI NJË!' Parada Kuqezi në Tiranë, 200 delegacione nga trojet shqiptare dhe arbëreshe në bulevard

Tirane - Kanë ardhur nga kudo! Nga Tuzi, Gostivari, Vlora, Shkodra, New York, Plavë Guci e Presheva, Gjakova, Peja, Ulqini, Mitrovica e Jugut...  Për të përcjellë mesazhin në kryeqytetin e Shqipërisë se ‘JEMI NJË!’

Në 111 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë 150 delegacione nga të gjitha trojet shqiptare, diaspora dhe 50 delegacione nga arbëreshët e Italisë ishin sot paradite (28 nentor 2023) në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Pavarësisht reshjeve të shiut, grupet kulturore, artistike e sportive etj nga Shqipëria, qytetet shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor, dhe shqiptarët e disaporës me kostume popullore tradicionale e valle, e flamurin shqiptarë në duar parakaluan në bulevard për ti treguar botës kulturën tonë dhe për ta kthyer Tiranën në zemrën e shqiptarisë. 

Të shumtë ishin dhe qytetarët të cilët nuk iu trembën shiut por dolën për të shijuar paradën që organizohet për herë të parë në Shqipëri dhe e para që hapi dyert për organizimin e saj ishte Tirana.

Parada Shqiptare është një aktivitet i përvitshëm i organizuar nga organizata “Rrënjët Shqiptare- Albanian Roots (New York)”, si një ndër organizatorët kryesorë dhe bartësit e saj në këto 15 vitet e fundit, ku një nga sheshet kryesore të New Yorkut vishet kuq e zi.

Si bashkëorganizator i aktivitetit të veçantë, kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, uroi 111-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, duke thwnw se shqiptarët janë duke jetuar ditët më të mira.

"Falenderoj nga zemra të gjithë ata që kanë ardhur nga çdo cep i trojeve tona. Kemi pak shi sot, por është bereqet, është begati. I uroj secilit gëzuar festën e flamurit, gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria! Është shumë e rëndësishme, që teksa kemi ambicie për të shkuar përpara, të kthejmë pak kokën pas, edhe të kuptojmë sa rrugë kemi bërë së bashku, sa vështirësi kemi kaluar së bashku. Të frymëzohemi nga një e kaluar që vërtet na ka rrëzuar shpesh, por jemi ngritur më të fortë, më të bashkuar, jemi bërë më të mirë, jemi lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë të pazgjidhshme", tha Veliaj.

Presidenti i "Albanian Roots" Marko Kepi, i cili është edhe organizator i përvitshëm i paradës së shqiptarëve në Nju Jork duke folur për Report Tv,tha se me këtë manifestim realizohet ëndrra e të parëve tanë, për të qenë të gjithë bashkë. 

Por paradës së shqiptarëve nuk i kanë munguar as personazhe të shumta të ardhur nga diaspora dhe trevat, që dhuruan emocione të veçanta në ditën e Pavarësisë.

Nga pjesëmarrësit e veçantë ishte edhe Shkëlzen Brahaj, i cili u paraqit në parade me kalë, i veshur si heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke e quajtur krenari që mbante përkrenaren e tij.  

Emocionet e tyre në Report Tv i shprehen edhe motoristët e ardhur nga Nju Jorku.

Ndërsa Ticiana Basta, pjesëtare e komunitetit arbëresh në Itali, thotë se rrënjët ë saj janë këtu nëe Tiranë dhe kjo festë ka shumë rëndësi

Në paradën e parë të shqiptarëve të mbajtur për herë të parë në Tiranë, parakaluan  në bulevardin “dëshmorët e kombit, mbi përfaqësues të 150 komunave dhe bashkive nga trevat shqiptare, të veshur me kostume popullore e ngjyrat kuqezi, nxënës të shkollave, përfaqësues të policisë së shtetit, asaj bashkiake.

Në trajtën e një spektakli ngjyrash të traditës dhe trashëgimisë sonë kulturore, ky event synon nxitjen dhe promovimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve kudo ku ndodhen, rrjetëzimin e qyteteve shqipfolëse në rajon dhe diasporës shqiptare, inkurajimin dhe promovimin e vlerave kulturore e historike, si dhe promovimin e potencialit turistik nëpërmjet trashëgimisë kulturore.

Parada u mbyll me parakalimin e kryetarëve të bashkive dhe përfaqësueve të delegacioneve pjesëmarrëse në paradë, më pas dhe ngritjen e flamurit në sheshin 'Skënderbej' në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:40
VIDEO/ Festa nuk mbaron, 500 artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi ngjiten në skenën e 'Folk Fest'

Me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë, në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, u mbajt mbrëmjen e sotme koncerti “Folk Fest 2023”.

Rreth 500 artistë nga të gjitha trevat e shqiptarisë, Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Arbëreshët u ngjitën në skenën e TOB për të festuar së bashku.

Kryeministri Edi Rama tha se ky koncert bashkon shqiptarët.

“500 artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Arbëreshët bashkë në skenën e shqiptarisë. Festojmë së bashku nën flamurin kuqezi”, u shpreh Rama.

 
Ora 13:59
FOTOT / Festohet 111-vjetori i Pavarësisë në Tiranë, ngrihet flamuri në Sheshin 'Skënderbej'

 

Në sheshin e tejmbushur nga qytetarët që kishin ardhur nga e gjithë bota, u zhvillua dhe ceremonia e ngritjes së flamurit. Nën tingujt e Bandës Frymore flamuri kuq e zi u ngrit në sheshin e shqiptarëve, ndërsa Vikena Kamenica këndoi edhe himnin kombëtar.

Në krah të kryebashkiakut Erion Veliaj, ishin dhe drejtues të bashkive dhe komunave shqiptare nga trojet shqiptare, ndërsa nuk mungonin dhe drejtues të organizave të ndryshme të shqiptarëve anekënd botës. 

Këtë 28 nëntor, Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon dhe Bashkia Tiranë, në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët shqiptare”, Kryeministrinë, Ministrinë e Kulturës dhe Arkivin e Shtetit sollën për herë të parë në Tiranë “Paradën e Shqiptarëve”, nën emrin “Rrënjët Kuq e Zi.

 

Ora 13:12
'Me zemër e gjak jam shqiptare' Ticiana Basta, arbëreshja që iu bashkua sot paradës: Fëmijët i mësojmë të mos harrojnë kurrë traditat

Ticiana Basta ka ardhur nga Italia për të marrë pjesë në paradën që organizohet sot në Tiranë për 111 vjetorin e Ditës së Pavarësisë.

“Ne kemi lindur në Itali por traditat tona janë të gjitha shqiptare dhe zemra jonë është shqiptare. Gjaku jonë është i shprishur” thotë Ticiana Basta në një prononcim për Report Tv.

Tregon se prej 200 vitesh e ruajnë veshjen si traditë  

“Veshja popullore 200 vjet që e mbajmë. Ruajmë ëmbëlsirat. Fëmijët i mësojmë të mos harrojnë kurrë traditat dhe ti ruajnë e të mos I harrojnë kurrë.

Ajo është zv/kryetare e bashkisë e komunës arbëreshe, San Nicola dell'Alto dhe tregon se një profesor po përpiqet të zbulojë rrënjët e saj.

“Unë e di që mbiemri Basta është nga Tirana. Një profesor po përpiqet të zbulojë rrënjët. Unë vij shpesh në Shqipëri. Erdha në qershor dhe do të vij dhe këtë vit. Për mua këtu është shtëpia ime” tregon Ticiana Basta për gazetaren e Report Tv, Ledina Jakini.

Ora 12:22
‘Skënderbeu’ udhëheq në Paradën e Shqiptarëve në Bulevard: Është krenari për mua! Duhet ta kujtojmë gjithmonë Heroin tonë Kombëtar

Shkëlzen Brahaj, ishte veshur sot si ‘Skënderbeu’ dhe udhëhoqi Paradën e Shqiptarëve në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë në Ditën e Pavarësisë. Në një intervistë për Report Tv, Brahaj tha se është krenar që po performon me përkrenaren e ‘Skënderbeut’.

'Është krenari që unë performoj me këtë përkrenare të Skënderbeut i cili ishte ndër të parë që ngriti flamurin,. Në ja kemi borxh jo vetëm kaq por shumë më shumë se sa kaq. Ndihem i lumtur dhe krenar. Ne jemi ftuar nga bashkia po si ide ka çdo vit që në një mënyrë apo në një tjetër organizoj gjëra të tilla. Dua që njerëzit ta kujtojnë gjithmonë këtyre figurë. Heroin tonë Gjergj Kastriot Skënderbeu duhet ta kujtojmë jo vetëm ditën e festave por çdo ditë të vitit. Është gjëja që na lidh me kalin por edhe me historinë. Është një eveniment që ndër vite kemi dashur ta kemi. Veshja është një përshtatje e imja.'- tha ai.

Ora 11:56
Motoristët nga Nju Jorku në Tiranë për ‘Paradën e shqiptarëve’: Zemra na çon te gjuha shqipe

 

Për herë të parë në Tiranë do të mbahet Parada e Shqiptarëve, së cilës i janë bashkuar edhe një grup motoristësh të cilët marrin pjesë çdo vit edhe në paradën në Nju Jork. Një prej tyre tha për Report Tv se kjo ditë është historike, ndërsa theksoi se e kanë ruajtur gjuhën shqipe pasi vetë zemra i çon tek ajo.

"Kjo është historike. Parada e parë këtu në Tiranë dhe ne jemi me shumë qejf të vijmë prej ne dhe ta bëjmë këtë festë të madhe këtu.  Kemi bërë prej 10 vitesh, kjo është shumë më shumë për ne. Jemi shumë të kënaqur, pa fjalë. Jam nga Maqedonia, jetoj prej 54 vitesh në Amerikë. E kemi ruajtur gjuhën shqipe, nëna e baba na thanë me fol shqip medoemos, zemra na çon tek ajo. Familjarët gjithë flasin shqip", tha ai.

Ora 11:45
‘Parada e shqiptarëve’ në Tiranë, Marko Kepi: Realizojmë ëndrrën e të parëve tanë! T’i bëjmë 'xhelozë' kryetarët e bashkive si Prishtina e Ulqini

Presidenti i “Albanian Roots”, Marko Kepi, i cili është edhe organizator i përvitshëm i paradës së shqiptarëve në Nju Jork ka folur për Report Tv, lidhur me këtë ngjarje që do të mbahet për herë të parë në Tiranë me rastin e 111 vjetorit të Pavarësisë. Kepi tha se janë mbledhur mijëra shqiptarë si nga Nju Jorku, por edhe nga trevat e tjera, ndërsa tha se organizmi i Paradës së shqiptarëve në Tiranë është një ëndërr që tashmë u realizua.

Marko Kepi u shpreh se synimi është që kjo paradë të zhvillohet edhe në bashki të tjera, ndërsa me shaka tha se shpreson që sot të bëhen xheloz kryebashkiakët e tjerë dhe të kërkojnë ta organizojnë si në Prishtinë, Shkup, Ulqin apo edhe në Luginën e Preshevës.

Për gazetaren e Report Tv, Ledina Jakimi, Kepi tha se ky është një event që i bashkon shqiptarët dhe se kështu po realizojnë ëndrrat e të parëve tanë.

"Jemi shumë të lumtur. Ëndrra jonë u realizua dhe ku ka më bukur se në Tiranë. Dëshira është ti bëjmë xheloz kryetarët e bashkive tjera që ta kërkojë vet. Shpresoj ta kemi edhe në Prishtinë, Shkup, Ulqin, lugina e Preshevës. Mendo si do ndiheshin shqiptarët në Luginën e Preshevës, do japim të gjithë bashkë një shpresë se nuk i kemi harru dhe nuk i lëmë vetëm. Është një event që i bashkon shqiptarët. Jam lumtur se këtu në Tiranë mes shiut kemi mijëra vetë popull që na presin.

Për ne tregon se jemi të lirë, u munduan të na pushtojnë, na përçanë disa shtete po nuk na përçanë zemrat, pavarësisht kësaj. Shqiptarët s’kanë qenë ma mirë se jemi sot kemi shanset të realizojmë ëndrrat e të parëve tonë. Kemi mijëra shqiptarë, arbëreshe, nga Nju Jorku", tha Kepi për Report Tv. 

Kryetari i shoqatës ‘Vatra’ në Stamboll, Bora Zukali tha për Report Tv se kjo është një ditë e veçantë për komunitetin shqiptar.

"Për komunitetin shqiptar që jetojmë në Turqi është ditë e veçantë, u urojmë festën e flamurit. Ndihemi krenar me vëllezërit nga Amerika, me Marko Kepin. Një paradë e veçantë sepse shumë njerëz kishin dëshirë që të merrnin pjesë në këtë mbledhje. Të gjithë familjarët flasin shqip, për pushime, samitin e diasporës vijmë këtu e marrim pjesë. Komuniteti shqiptar në Turqi ndihet 100% shqiptar, po vazhdojmë për të lartësuar emrin shqiptar në Turqi dhe jemi krenar", u shpreh Zukali. 

Prej 15 vitesh ky organizim i shoqatës ‘Rrënjët Shqiptare’ ka veshur Nju Jorkun me petkun e flamurit dhe ka shërbyer për të dhënë mesazhe bashkimi për shqiptarët, ndërsa për herë të parë mbahet edhe në vendin tonë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Parada Madhështore: 28/11/2023 18:16

    Pse o Sali Parada ishte skandal?

    Përgjigju
  • Parada: 28/11/2023 13:10

    Sa turp kjo parada sot, ishte skandal..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!