Dukej të ishte një seancë normale ajo e kësaj të enjeje, por përplasja e deputetit demokrat Luçiano Boçi me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro do të kthente sërish përplasjet në Kuvend në orët e mbrëmjes.

Pasi kryeparlamentari Niko Peleshi nuk i dha fjalën për të replikuar me Kumbaron, kur kjo e fundit i rikujtoi deklaratat e liderit demokrat Sali Berisha mbi fondin shqiptaro-amerikan të investimeve, Luçiano Boçi zaptoi foltoren.

Në ndihmë i erdhën edhe ata pak deputetë demokratë që kishin mbetur në seancë, teksa ora po arrinte 20:00 e mbrëmjes.

As ndërhyrja e Gardës nuk e qetësoi situatën dhe pas insistimit të Boçit për të qëndruar në foltore, Peleshi përjashtoi nga seanca deputetin demokrat.

“Luçiano Boçin përjashtojeni nga salla! 5 minuta pushim derisa Boçi të lirojë sallën!”, tha Peleshi.

Pushimi nuk solli reflektimin e demokratit dhe kolegëve të tij, që duke e parë përjashtimin e Luçiano Boçit si shkelje e të drejtave të opozitës, braktisën sallën.

“Po na shkelni të drejtën për replikë”, u shprehën ata.

Disa prej tyre, krejtësisht të pakënaqur. Revoltës iu bashkuan edhe deputetët e Partisë së Lirisë.

Socialistët vijuan të vetëm diskutimin për rendin e ditës.

Edhe votimi i projektligjeve u bë me sallën gjysmë-bosh duke sjellë miratimin e ndryshimeve për Gardën e Republikës, ku socialistët kërkojnë të risjellin formulën e vjetër të mënyrës së emërimit të drejtuesve që të kryhet drejtpërdrejt nga Kryeministri, me propozim të ministrit të Brendshëm. Sipas ndryshimeve, kandidati duhet të mos ketë pasur masa disiplinore në 3 vitet e fundit. U miratua gjithashtu edhe krijimi i Agjencisë së Arsimit.

Jo vetëm për votimin, por demokratët nuk u rikthyen në seancë as për të nderuar me 1 minutë heshtje akademikun Rexhep Qosja, të cilin e nderoi e vetme vetëm ana rozë e Kuvendit.

Më herët gjatë ditës u zhvilluan një sërë interpelancash me 4 ministra të thirrur nga opozita që nga marrëveshjet e prodhimeve ushtarake të KAYO-s, te mungesa e ilaçeve dhe situata te Onkologjiku, apo çështje që lidhen me arsimin. Por PD sërish kritikoi se mazhoranca po mban peng llogaridhënien për çështje në hetim. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:38
Porti i Komanit i mbuluar nga mbeturinat, Koçeku: Nuk është gati për sezonin turistik, kërkoj plan konkret për zgjerimin e tij

Porti i Komanit “nuk është gati” për sezonin turistik për shkak të ndotjes, tha deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, në Kuvend. Ajo kërkoi një plan konkret për zgjerimin e portit dhe rehabilitimin e tij për ta kthyer në një pikë dinjitoze për turistët.

"Si deputete e asaj zone, kërkoj një plan konkret për zgjerimin e portit të Komanit, ku të kemi një hapësirë pritjeje dinjitoze për të gjithë vizitorët, ndarjen e trafikut të mallrave dhe njerëzve, infrastrukturën sanitare bazike dhe një zonë të sigurt lundruese dhe me rregulla të qarta. Flitet për një zonë që realisht tërheq dhe vizitohet nga qindra turistë në vit. Na duhet t’ia ndryshojmë faqen atij vendi që të duket si një portë dinjitoze drejt Alpeve Shqiptare", tha Koçeku.

Ora 22:33
Kuvend/ Votohet me 77 vota projektligji për Gardën e Republikës! Si do të bëhet emërimi i drejtuesve të institucionit, ndryshon kriteri për masat disiplinore

Me 77 vota pro është miratuar në tërësi projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33, datë 31.03.2021, ‘Për Gardën e Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”.

Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, socialistët kërkojnë të risjellin formulën e vjetër të mënyrës së emërimit të drejtuesve të Gardës së Republikës.

Projektligji parashikon që të hiqet dorë nga procesi i konkurrimit, duke parashikuar sërish, emërimin e drejtpërdrejt nga Kryeministri të drejtuesve të Gardës, me propozim të ministrit të Brendshëm.

Në pranverën e vitit 2024 socialistët ndryshuan ligjin për Gardën, atëkohë me propozim të deputetit Nasip Naço, duke përcaktuar se drejtuesi zgjidhet përmes një konkursi të hapur, dhe jo si emërim nga kryeministri. Ky ndryshim u kundërshtua fort nga opozita, e cila pretendoi se ndërhyrja po bëhej për t’iu përshtatur një kandidati të paracaktuar, duke paralajmëruar dhe emrin e Ermal Onuzit, i cili faktikisht u emërua më pas në krye të Gardës në shtator të po atij viti.

Onuzi dha dorëheqjen 9 muaj më pas, dhe një garë e hapur për pasuesin e tij dështoi, pa u dhënë asnjë shpjegim për arsyet.

Ndryshimet ligjore u propozuan nga deputetja socialiste Antoneta Dhima dhe sipas PS, synojnë përmirësimin e harmonizimit të normave ligjore, rritjen e qartësisë dhe shmangien e keqinterpretimit.

Projektligji i ri parashikon që Drejtori i Përgjithshëm i Gardës të emërohet nga Kryeministri, pas propozimit të ministrit, dhe të marrë menjëherë gradën “Drejtues Madhor”. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se kandidati duhet të vijë nga radhët e vetë Gardës së Republikës.

Ndryshimet e reja heqin disa nga kriteret që u vendosën në vitin 2024. Konkretisht, largohet kërkesa për diplomë master dhe për të paktën 10 vite përvojë pune në fushën e sigurisë.

Gjithashtu, ndryshon edhe kriteri për masat disiplinore. Në projektligjin e ri kërkohet që kandidati të mos ketë pasur masa disiplinore në 3 vitet e fundit, ndërsa në versionin e vitit 2024 mjaftonte që të mos kishte masa në fuqi në momentin e përzgjedhjes.

Ora 22:17
Me 76 vota pro, miratohet projektligji për krijimin e Agjencisë së Arsimit

Me 76 vota pro dhe asnjë kundër në mungesë të opozitës, mazhoranca miratoi në Kuvend projektligjin për krijimin e Agjencisë së Arsimit.

Ora 22:10
Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja, Kuvendi mban 1 minutë heshtje! Opozita mungon

Kuvendi mbajti 1 minutë heshtje për akademikun Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta ditën e sotme.

“I paharruar qoftë kujtimi i tij”, tha kryeparlamentari Peleshi.

Opozita nuk ishte e pranishme gjatë këtij momenti pas bojkotit që erdhi prej përjashtimit të Luçiano Boçit nga seanca.

Ora 21:57
Pranohet propozimi i Ballës, ‘fshihet’ nga rendi i ditës projektligji për heqjen e taksës së qarkullimit për karburantet! Shtyhet për në seancën e radhës

Projektligji “për taksat kombëtare” u propozua nga Taulant Balla që të hiqet nga rendi i ditës duke qenë se opozita, e cila e ka propozuar, ka bojkotuar Kuvendin. Ky projektligj parashikon pezullimin e detyrimit të taksës së qarkullimit për lëndët djegëse deri në mars 2028.

Balla kërkoi që votimi për heqjen e saj nga rendi i ditës, ndërsa shtyrja për në seancën tjetër të votohet para se të nisë procesi i votimit.

“Kam depozituar një kërkesë që kjo pikë e rendit të ditës të hiqet nga rendi i ditës, duke qenë se propozuesit janë deputetë të opozitës dhe bëhet e pamundur prezantimi për shkak të bojkotit të radhës, kështu që në nevojën për të pasur propozuesit, kërkoj miratimin nga ana e seancës për heqjen e kësaj pike të rendit të ditës dhe votimi për këtë çështje të bëhet pas prezantimit të ligjit për Gardën e Republikës së Shqipërisë dhe përpara fillimit të votimit”, tha Balla.

Kërkesa e tij u pranua unanimisht dhe votimi përcaktoi shtyrjen e projektligjit në seancën pasardhëse.

Ora 21:08
‘Kamxhik ndaj opozitës’- Kapri ‘merr në mbrojtje’ Boçin pas përjashtimit, i përgjigjet Peleshi: Po ti nuk ishe këtu kur u mor masa, ku e pe që ishte e pabazuar në rregullore? (VIDEO)

Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë është përfshirë nga tensione të forta mes mazhorancës dhe opozitës, pas përjashtimit të deputetit demokrat Luçiano Boçi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e ka cilësuar vendimit si anti-kushtetues dhe sipas tij, ky vendim do të marrë një tjetër ‘shuplakë’ në gjykatë.

“Jeni shkelës flagrant të Kushtetutës. I mohoni deputetëve të opozitës të drejtën e fjalës. Kjo masë do të ankimohet dhe do të merrni një tjetër shuplakë. Ndaj kryetar, thirrini pak ndërgjegjes tuaj njerëzore. I vetmi kryetar Parlamenti që ka dy vendime, edhe në Kushtetuese, edhe në Administrative”, tha Blushi.

Por Peleshi tha se asnjë vendim i kryetarit të Kuvendit lidhur me masat ndaj deputetëve të opozitës, nuk është rrëzuar nga Gjykata.

“I referoheni një vendimi që s’ka lidhje me kryetarin e Kuvendit”, tha Peleshi.

Më tej fjalën e mori deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili tha se përjashtimet e deputetëve të opozitës janë si ‘kamxhik’ ndaj vetë opozitës.

“Përjashtimet si kamxhik ndaj opozitës, nuk janë normale në një Parlament. Situata që sapo ndodhi qëpar, ishte një kërkesë për të marrë fjalën në Parlament. Mund të kërkonit pak qetësi, por përjashtimin e deputetëve nuk mund ta bëni. Përjashtimi tregon dobësinë tuaj. E keni përdorur shpesh edhe ndaj forcës tonë politike, ku kryetarin e keni përjashtuar 20 ditë, ditën që u votëbesua qeveria”, tha mes të tjerash Kapri.

Por Peleshi iu përgjigj Kaprit duke i thënë se ai nuk ishte në sallën e Parlamentit kur u mor vendimit dhe sipas tij, nuk kishte nga ta dinte që përjashtimi i Boçit ishte i pabazuar në rregullore.

“Zoti Kapri, mundet të jetë marrë një masë e pabazuar në rregullore. Pyetja ime është, po ju ku e dini? Sepse ju nuk ishit këtu?”, iu përgjigj Peleshi.

Ora 20:57
‘Masa nuk u dha në gjaknxehtësi’, opozita nuk pranon sqarimin e Peleshit, ikën nga Kuvendi pas përjashtimit të Boçit

Përjashtimi i Luçiano Boçit nga seanca parlamentare u cilësua nga opozita si mohim i replikës nga ana e kryetarit Niko Peleshi. Ky i fundit tha se nuk ka asnjë arsye personale për përjashtimin e nënkryetarit të PD dhe shpjegoi sërish arsyen e përjashtimit.

“Boçi nuk e kërkoi fjalën për replikë, zuri foltoren dhe nuk tha se ishte për replikë, filloi me gjuhën e vet jo parlamentare dhe jo korrekte, prandaj u mor masa. Masa nuk u dha në gjaknxehtësi. Mos u solidarizoni me shkeljen e rregullores, por të vazhdojmë seancën. S’kam asnjë arsye personale për të përjashtuar Boçin, e kam mik prej 25 vitesh”, shpjegoi Peleshi.

Megjithatë, deputetët e PD dhe PL nuk u bindën as prej kësaj dhe u larguan nga salla.

Ora 20:35
Rifillon seanca parlamentare, Boçi ende në sallë pas përjashtimit (VIDEO)

Edhe pas përjashtimit të tij dhe rifillimit të seancës pas 5 minutave pushim, Luçiano Boçi ka refuzuar të largohet nga salla.

“Boçi, ju lutem, lironi sallën! Ju lutem, respektoni rregulloren! Na lejoni të vijojmë seancën!”, i tha Peleshi.

Ora 20:02
Boçi nuk heq dorë, mbetet ‘i gozhduar’ te foltorja! Peleshi e përjashton nga seanca (VIDEO)

Luçiano Boçi u rikthye për ta bllokuar foltoren pasi Ana Nako e Lindita Nikolla u larguan prej saj. Ngulmimi i tij çoi në marrjen e masave nga kryeparlamentari Peleshi, i cili përshkallëzoi deri në përjashtimin e tij nga seanca. Seanca rifillon pas 5 minutash.

Peleshi: Nuk thatë për replikë. Ju lutem, uluni! Uluni dhe mos ofendoni! Ju tërheq vëmendjen, jepet masa disiplinore tërheqje vëmendjeje!

Boçi: Pse paragjykoni?

Peleshi: Nuk paragjykoj, në këtë pikë të rendit të ditës fjala jepet një herë. Lironi foltoren! Po shkelni rregulloren! E morët fjalën 10 minuta dhe nuk ju është refuzuar! U ngritët herën e dytë dhe thjesht thatë dua të flas, pa e specifikuar. Merrni masën e dytë disiplinore, vërejtje! Sipas rregullores, nëse vazhdoni ta shkelni, merret masa e tretë, ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme! Mos vazhdoni të shkelni rregulloren!

-5 minuta pushim!

Peleshi: Luçiano Boçin përjashtojeni nga salla! 5 minuta pushim derisa Boçi të lirojë sallën!

Ora 19:52
Krijimi i Agjencisë Arsimore, Boçi bllokon foltoren pas fjalës së Kumbaros! Peleshi: S’di për çfarë e do fjalën dhe e kërkon nga unë?

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, paraqiti në Kuvend projektligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, një reformë që synon të transformojë rrënjësisht mënyrën se si ofrohen shërbimet për qytetarët në arsim. Ministrja theksoi se ndryshimi nuk është i papritur, por rezultat i një procesi të gjatë reflektimi.

“Do të kemi një partner shumë prestigjioz, siç është Qendra e Vlerësimeve e Universitetit të Kembrixhit – të cilët do të shoqërojnë ngritjen e Agjencisë së re në procesin e teknologjisë dhe të trajnimeve disavjeçare. Veprimtaria e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore do të mbikëqyret nga Ministria e Arsmimit, e cila do të ketë për detyrë të verifikojë zbatimin korrekt të politikave dhe strategjive kombëtare në fushën e arsimit. Në projektligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, parashikohet drejtimi nga një këshill drejtues i cili është një ndër instrumentet me të cilët administrohen agjencitë autonome. Ky këshill do të drejtohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe vendimet më të rëndësishme të Këshillit, që kanë të bëjnë me buxhetin, pagat, dhe tarifat për shërbimet publike, do të kalojnë dhe në një filtër tjetër dhe do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Kumbaro.

Menjëherë pasi ajo përfundoi prezantimin, Luçiano Boçi bllokoi për disa minuta foltoren, akt për të cilin u qortua prej kryetarit Niko Peleshi.

“Nuk merret fjala kështu, ju lutem. Fjala nuk merret me vullnetin tuaj, merret sipas rregullores. Keni kërkuar fjalën për çfarë? S’është seancë pyetje-përgjigje, për replikë s’ju ka përmendur, s’keni replikë. Ju nuk e dini për çfarë e doni fjalën dhe kërkoni nga unë fjalën? Si merret fjala në parlament kur të duash?”, i tha kryeparlamentari duke i kërkuar të largohej nga foltorja.

Ora 19:14
Balla kritikon deputetët demokratë: Dëgjova që kishte revoltë për minutën e heshtjes për Rexhep Qosjan, PD s’e meriton këtë turp (VIDEO)

Taulant Balla kritikoi deputetët e PD për nderimin me një minutë heshtje për Rexhep Qosjan që u nda nga jeta ditën e sotme. Kryetari i grupit parlamentar të PS tha se PD nuk e meriton turpin e mospjesëmarrjes në minutën e heshtjes.

“Dëgjova që kishte edhe një revoltë për të mos marrë pjesë në minutën e heshtjes për akademikun Rexhep Qosja. Mirë është të mos ia bëni këtë turp Partisë Demokratike nuk e meriton këtë turp PD-ja, nga kushdo që thotë të mos e bëni këtë akt moral të Kuvendit të Shqipërisë”, u tha Balla.

Ora 19:05
Vizita e Ramës në Barcelonë, Shehu replikon me Ballën: Ka frikë t’u përgjigjet pyetjeve në parlament! Ligji për shërbimet, kakofoni!

Në replikën kundrejt Taulant Ballës, deputeti demokrat Tritan Shehu tha se pyetja e tij për vizitën e Ramës në Barcelonë i referohej faktit nëse ishte në cilësinë e kryeministrit apo kryetarit të partisë.

“Si parti mund të bëjnë ç’të duan, shpjegimi që kërkova unë është ky: Rama shkoi si kryeministër apo si kryetar partie? Nëse ka shkuar si kryetar partie, është puna juaj! Nëse ka shkuar si kryeministër, ka shkelur pozicionet politike dhe strategjike të këtij shteti. Ka frikë të vijë në parlament se do t’u shmanget këtyre pyetjeve”, tha Shehu.

Ndërsa për ligjin e shërbimeve që Balla kërkoi përgjigje për të ditur nëse opozita do ta votojë, Shehu thotë se nuk mund të votohen dy projektligje të bashkuara në një relacion.

“Lidhur me ligjin, turp i botës ai ligj për ju! Ishim në komision, nuk e morëm vesh kush e ka prezantuar, qeveria apo Denaj. Dy materiale, një relacion. Një kakofoni e tërë që s’mund të ndodhë! Nëse ka dy projektligje s’kemi asnjë kundërshtim, i votojmë veç e veç”, tha Shehu.

Ora 18:53
‘Ça problemi keni me ligjin?’ Balla u kthen përgjigje kritikave të Shehut: 70 vjeç dhe bën këto gjëra, turp!  

“Do ta votoni këtë ligjin apo s’do ta votoni?”, ishte pyetja e drejtpërdrejtë e Taulant Ballës për deputetët demokratë lidhur me projektligjin "për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve.”

“Ca problemi keni me këtë ligjin apo kot? Të jemi korrektë. Keni thënë që kur bëhet fjalë, të paktën në Bruksel se këtu e dridhni, kur bëhet fjalë për ligjet e integrimit, jemi gati. Dy veta kanë thënë s’e votojmë. Të paktën të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin. Si detyrë të parë kemi ligjvënien.  Nëse përjashtoni veten nga ligjet e përafrimit të legjislacionit... në komision e keni votuar kundër, ky është fakt. Për ta konkluduar, mendoj që deri në momentin kur do të votojmë se dëgjova që kishte revoltë për të mos marrë pjesë në minutën e heshtjes për akademikun Rexhep Qosja, nuk e meriton këtë turp PD”, tha Balla.

Gjithashtu, kreu i grupit parlamentar të PS i ktheu përgjigje Tritan Shehut për kritikat ndaj vizitës së kryeministrit Rama në Barcelonë.

“O Tritan, ai ishte aty dhe po ta them që SPD-ja gjermane është ndër iniciuesit kryesorë të aleancës progresiste dhe tani ky mobilizim botëror në mbrojtje të vlerave të demokracisë. Edhe kryeministri spanjoll. Një vend mbështetës 100% i Shqipërisë. Po mirë, po me presidentin e Këshillit Europian c’pate Antonio Costa, edhe ky kështu ishte siç the, prandaj ju lutem shumë, unë e kuptoj që ju këtu rregullin brenda vetes, po të paktën për gjërat e rëndësishme të Shqipërisë, nuk mund të cohet një njeri që për fat të keq ke qenë ministër i jashtëm, edhe të thuash ato që the.  Të sulmosh zëvendëskancelarin gjerman, të sulmosh kancelarin, kryeministrin e Spanjës, të Danimarkës, kryetaren e opozitës italiane, miken time Eli Schlein, që edhe ti zotërote e njeh, Partia Demokratike italiane, o se edhe ke mik Kazinin se është aty te ne! 70-80 vjet sa ke dhe vjen e flet gjëra të papërgjegjshme! Kur shkoi kryeministri te Trumpi, bërtisnit pse shkoi te Trumpi, po atë ç’e kishit?”, tha Balla duke shtuar se Shqipëria gëzon respekt ndërkombëtar si kurrë më parë në historinë e saj.

Në fund, ai u risolli deputetëve demokratë samitin e NATO-s që do të mbahet vitin tjetër në Shqipëri.

“Ambientohuni me faktin që vitin e ardhshëm Shqipëria do të jetë jo kryeqyteti i Europës, por i botës! Vitin e ardhshëm mirëpresim Samitin më të madh të sigurisë në botë, samitin e NATO-s! Ngrije kokën Tritan se do të vijë Trumpi!”, shtoi Balla.

Ora 18:28
‘Po të hëngrën qentë s’ka tetanoz, tërbohesh!’ Korreshi: Në spitalin e Lushnjes s’ka medikamente (VIDEO)

Mungesa e ilaçeve në spitalin e Lushnjes ishte një prej problemeve që ngriti deputeti Saimir Korreshi në Kuvend.

“Në Lushnje thonë mungojnë 13 medikamente, por nuk është hedhur tenderi për vigonat. T’ju jap unë listën e medikamenteve, jo që mungon, por asgjë nuk ka! Të të hanë qentë, nuk ka tetanoz, tërbohesh!”, tha Korreshi.