Vdekja e mësuesit Alban Bejleri në Maliq, i cili bënte 16 kilometra në ditë për t’i dhënë mësim 2 nxënësve, ka shkaktuar debate edhe në komisionin për Edukimin Shkencën dhe Sportet të hënën.
Luçiano Boçi kërkoi përgjegjësi institucionale edhe për faktin që sipas tij mësuesi ishte i sëmurë me probleme kardiake dhe kishte kërkuar disa herë transferimin dhe përkundër kësaj ai vijonte të bënte disa orë rrugë në këmbë për të arritur tek shkolla.
“Është vrasje, sepse ai ishte i sëmurë dhe ju e linit në këmbë. Ju keni vrarë profesionin e mësuesit”, tha Luçiano Boçi.
Në kundërpërgjigje Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro kërkoi nga opozita që rasti fatkeq të mos përdorej për politike, ndërsa tha se institucionet se janë duke parë mundësitë për të ndihmuar edhe familjen e tij.
“Mos më bëni akuza këtu, ne po shikojmë të gjitha mundësitë për të ndihmuar familjen”, tha ministrja.
Pavarësisht debateve PS dhe PD u bënë bashkë për një minutë heshtje në nderim të mësuesit Alban Bejleri.
Debatet i paraprinë prezantohet nga ana e ministres Kumbaro të projektligjit për krijimin e Agjencisë Kombëtare për Shërbimet Arsimore që sipas saj do të lehtësojë të gjithë procesin e studentëve që kërkojnë shërbime.
“Reformimi i Qendrës së Shërbimeve Arsimore ka për qëllim ofrimin e shërbimeve dhe sigurimin e aksesit publik në fushën e arsimit të lartë dhe arsimit parauniversitar, si dhe çdo shërbim tjetër të caktuar sipas legjislacionit në fuqi, nëpërmjet përmirësimit të formës së saj të organizimit institucional, bazuar në rritjen e cilësisë së funksionimit. Po flasim për një institucion që ofron rreth 158 mijë shërbime në vit. Janë shërbime shumë sensitive, me afate kohore, ndonjëherë edhe jetike për qytetarët, siç mund të jetë njehsimi i diplomës ndërkombëtare, pasi ka efekt direkt në punësim, apo në vijimin e studimeve në Shqipëri. Dhe të gjitha këto kryhen në kushte jo optimale, për shkak të kapaciteteve të kufizuara teknologjike, logjistike dhe njerëzore”, sqaroi ministrja Kumbaro.
Opozita nga ana tjetër akuzoi se projektligji i sjellë është në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Evropian. Ai theksoi se projektligji cenon drejtpërdrejt parimin e pavarësisë institucionale, duke përqendruar të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes tek ministri.
“Projektligji parashikon që drejtuesit, bordi dhe vendimet kyçe të kontrollohen nga ministri. Kjo është e kundërta e standardit evropian,” theksoi deputeti Boçi.
Ai kritikoi gjithashtu përfshirjen e donatorëve në vendimmarrje, duke e cilësuar këtë si një devijim serioz nga praktikat e BE-së, si dhe konceptin e vetëfinancimit të institucionit, që sipas tij bie ndesh me parimin që këto agjenci nuk duhet të funksionojnë si struktura fitimprurëse.
Projektligji për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, që zëvendëson Qendrën e Shërbimeve Arsimore, u miratua në qeveri 19 marsin e kaluar.
Komente











