Lladrovci: Shpresë se Rama në Serbi
do diskutojë për shqiptarët në Luginë

Lladrovci: Shpresë se Rama në Serbi<br />do diskutojë për shqiptarët në Luginë
TIRANE - Vizita në Serbi e kryeministrit Edi Rama në Tetor, shihet nga Kosova si mundësi për të diskutuar mbi shqitparët e Luginës së Preshevës. Këto pritshmëri i ka shprehur i ngarkuari me punë prej dy muajsh në Ambasadën e Kosovës në vendin tonë, Ramiz Lladrovci, i cili në një intervistë për KosovaPress thotë se Rama mund të interferojë përmes kësaj vizite për Kosovën dhe vendet e tjera të Rajonit.

“Shteti shqiptar ka të drejtë me vendos se si do t’i ndërtojë marrëdhëniet me shtetet fqinje në këtë rast edhe me Serbinë........Besoj se Edi Rama do të diskutojë edhe për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sepse ai është bukur shumë i njoftuar me të drejtat e tyre, sepse ai, para disa vitesh e ka vizituar atë vend bashkë me Pandeli Majkon, ai do të interferojë edhe për probleme të tjera siç është edhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe të tjera”, thotë ai.

Lladrovci përfaqësoi Kosovën në pritjen e Papa Franceskut më 21 Shtator në Tiranë, dhe zhvilloi takime me ambasadorët e akredituar në vendin tonë. Në këtë intervistë ai thotë se ka marrë këshilla dhe rekomandime për shumë çështje, e mes të tjerash edhe për esktremizmin islam, i përhapur në masë në Prishtinën zyrtare, ku shumë xhihadistë i janë bashkuar luftërave në Siri dhe Irak.

“Jo vetëm me Ambasadorin Arvizu kemi biseduar për shqetësimin që shqiptarët po shkojnë në luftë në Siri dhe Irak, kemi biseduar edhe Ambasadorin britanez, austriak, gjermanë, francez e edhe me Ambasadorët e rajonit, andaj mund të themë se këtë shqetësim e kam ngrit edhe unë vet, sa kam qenë si deputetë i legjislaturës së kaluar, diku me 24 shkurt unë kam pas një artikull të gjatë ku i kam ngrit këto shqetësime dhe sot po rezultojnë si të vërteta...........sipas informacioneve më së shumti ka nga Maqedonia, pastaj nga Kosova dhe më pak nga Shqipëria, por sipas po këtyre informacioneve, ekstremistët më të mëdhenj në këtë luftë janë shqiptarët e Kosovës”, thotë Lladrovci.

Lladrovci thotë se institucionet e Shqipërisë respektojnë simbolet e Kosovës, dhe se në shumë takimi ku ai ka marr pjesë ka qenë edhe ambasadori i Serbisë në Shqipëri.

Ndërsa sa i përket Portit të Shëngjinit, Lladrovci, thotë se ende nuk e ka diskutuar këtë temë me zyrtarët shqiptarë ndërsa për disa prodhues që janë ankuar, ai shpjegon se  duhet të plotësojnë standardet, pavarësisht në cilin treg synon ta kenë produktin e tyre.

“Secili biznes, nëse ka marrëveshje nga shtetit, i lëshohet një certifikatë, ajo është valide, por në rast se shteti nxjerrë një ligj që kërkon një certifikatë shtesë biznesi duhet ta sigurojë atë sepse nuk mund të hyjë një mall pa certifikatën që lypet nga vendi ku shkon. Duhet me funskionu me Ligjet e vendit ku e qon produktin, jo me të vendit ku e prodhon”, thotë ai.

Si i ngarkuar me këtë detyrë Ramiz Lladrovci, kohë më parë ka dhënë dorëheqje nga politika por e le të hapur mundësinë që të kthehet prapë, pasi sipas tij, politikës asnjëherë nuk i duhet thënë jo.

Lladrovci, është i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, pasi ambasadori Sylejman Selimi është në proces gjyqësorë nën akuzë për dhunë fizike ndaj femrave dhe krime lufte.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Këmbimi i të burgosurve: Faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi

Këmbimi i të burgosurve: Faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi