Llalla delegon 2 prokurorë të tjerë
për të koordinuar hetimet në Lazarat

Llalla delegon 2 prokurorë të tjerë<br />për të koordinuar hetimet në Lazarat
TIRANE- Dy prokurorë të tjerë janë deleguar në Gjirokastër nga Prokurori i Përgjithshëm. Adnan Kosova dhe Alfred Progonati do të koordinojnë veprimtarinë hetimore për zonën e Lazaratit ndërmjet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër; Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
 
Dy prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, prej ditës së sotme kanë filluar punën për koordinimin e veprimeve të shumta hetimore që janë të nevojshme në zonën e Lazaratit. Ndërkohë, për Lazaratin, që prej disa ditësh, vetëm për veprimet hetimore dhe ndjekjen të çështjeve në gjykatë, janë caktuar 5 prokurorë, nga të cilët 3 nga prokuroria e Gjirokastrës dhe dy nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këta 5 prokurorë po drejtojnë hetimin për 15 grupe hetimore në terren (pra, 3 grupe policore drejtohen nga një prokuror).
 
Ndërkaq, Prokurori i Përgjithshëm ka komanduar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër edhe dy prokurorë të tjerë, konkretisht, Asllan Bajrami, i cili është prokuror në Përmet dhe Çlirim Sino, i cili është prokuror në Fier.
 
Deri më tani, në bazë të kërkesave nga ana e Prokurorisë së Gjirokastrës, gjykata ka dhënë rreth 20 masa “arrest me burg”, për shtetas nga Lazarati, të akuzuar për kultivim dhe mbajtje të lëndëve narkotike, si edhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, deri më tani janë dhënë 5 masa “arresti me burg” për shtetas nga Lazarati, të akuzuar për vrasje e mbetur në tentativë e punonjësit të policisë, armëmbajtje pa leje, prodhimi dhe shitje lëndësh narkotike dhe kultivim të lëndëve narkotike.
 
Ndërkaq, Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se “Bazuar në veprimet në terren, pritet të vijojë të rritet numri i personave nga zona e Lazaratit që janë kompetencë e Prokurorisë së Gjirokastrës, por edhe e Prokurorisë për Krime të Rënda. Në këtë mënyrë, Prokuroria do të vijojë të vlerësojë hap pas hapi nevojën që do të ketë për burime njerëzore shtesë për hetimet në zonën e Lazaratit”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohen dy makina në aksin Vorë-Rinas, ndërron jetë në spital një nga shoferët

Aksidentohen dy makina në aksin Vorë-Rinas, ndërron jetë në spital një nga shoferët