...
Shumë procedime penale janë pezulluar apo edhe nuk kanë nisur fare hetimet, për shkak të mangësive në materialet që policia i referon Prokurorisë, shumica e të cilave janë pa autorë. Këtë konstatim bëri kryeprokurori Adriatik Llalla gjatë analizës së punës së prokurorive që janë nën juridiksionin e Apelit të Shkodrës për vitin 2015.
"Të gjitha prokuroritë kanë të përbashkët numrin e lartë të procedimeve të pezulluara ose të mosfilluara. Është e qartë që rastet e pezullimit dhe mosfillimit, kanë të bëjnë me mungesën e zbulimit të autorëve nga agjencitë ligjzbatuese ose nga cilësia e referimeve të veprave penale. Por po e përsëris porosinë që kam përcjellë edhe në analizat e tjera. Na takon ne si prokurorë për të realizuar koordinimin ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, me qëllim që informacioni i tyre të përpunohet në mënyrë të tillë që të shërbejë për ngritje akuzash", u shpreh Llalla.
Pas Lazaratit, zona e Dukagjinit në Shkodër u shfaq më problematikja sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike. Por në krahasim me parcelat e shumta të asgjësuara, shqetësuese mbetet sipas Llallës, mos zbulimi i autorëve nga policia. Në këto kushte ai i bëri apel prokurorëve, që përmes hetimeve proaktive të evidentojnë jo vetëm kultivuesit por edhe zyrtarët që mund të fshihen pas tyre në trafikun e drogës.
"Nga informacioni që administrojmë, rezulton se në qarkun e Shkodrës, kryesisht në zonat malore, mbetet problematike evidentimi i kultivuesve të lëndës narkotike. Pavarësisht operacioneve periodike policore, nuk janë zbuluar personat përgjegjës për këto vepra penale. Do të kërkoj nga ju që të shqyrtoni çdo informacion dhe të zhvilloni hetime proaktive për këto raste, me qëllim zbulimin e autorëve, por edhe të personave zyrtarë që mund t’i mbështesin", tha kreu i Prokurorisë së Përgjithshme.
Adriatik Llalla vlerësoi punën e Prokurorisë në një nga ngjarjet që tronditi jo vetëm qarkun e Shkodrës por edhe mbarë opionin publik, vrasjen e dy turistëve çek në Dukagjin.
hetimet e shpejta - tha Llalla vunë para përgjegjësisë autorin Sokol Mjacaj, duke e vlerësuar këtë "një formë ndjese për atë krim që cenonte mikpritjen dhe humanizmin shkodran"
I pyetur nga gazetarët për dosjen e 21 Janarit, ku rekursi i Prokurorisë "fle" në Gjykatën e Lartë, Llalla tha se organi i akuzës e ka bërë punën e tij.
Fjala e plotë e Adriatik Llallës
Analizën vjetore këtu dëshiroj ta nis me vlerësimin për zgjidhjen e shpejtë ligjore të Prokurorisë së Shkodrës për një rast tragjik që ndodhi në vitin 2015, pikërisht vrasjen e dy turistëve çekë në zonën e Dukagjinit.
Hetimet e shpejta dhe vendosja para përgjegjësisë ligjore të autorit të asaj vepre penale që shkaktoi me të drejtë revoltë qytetare, ishte një detyrim i të gjithë shtetit, si edhe një formë ndjese për atë krim që cënonte mikpritjen dhe humanizmin shkodran, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Duke qëndruar tek treguesit vjetor të vitit 2015, për prokuroritë që janë nën juridiksionin e Apelit të Shkodrës, konstatohen një shpërndarje jo e njëjtë në volumin e punës. Prokuroria e Shkodrës dhe e Lezhës kanë pasur rritje të ndjeshme procedimesh, ndërkohë që prokuroritë e Kukësit, Tropojës dhe Pukës kanë pasur numër më të ulët referimesh dhe rastesh për trajtim.
Por, të gjitha prokuroritë kanë të përbashkët numrin e lartë të procedimeve të pezulluara ose të mosfilluara.
Është e qartë që rastet e pezullimit dhe mosfillimit, kanë të bëjnë me mungesën e zbulimit të autorëve nga agjencitë ligjzbatuese ose nga cilësia e referimeve të veprave penale. Por po e përsëris porosinë që kam përcjellë edhe në analizat e tjera.
Na takon ne si prokurorë për të realizuar koordinimin ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, me qëllim që informacioni i tyre të përpunohet në mënyrë të tillë që të shërbejë për ngritje akuzash.
Po ashtu, kërkohet nga të gjithë ju që të shtohen rastet e analizimit të çështjeve konkrete me institucionet e tjera.
Nga informacioni që administrojmë, rezulton se në qarkun e Shkodrës, kryesisht në zonat malore, mbetet problematike evidentimi i kultivuesve të lëndës narkotike. Pavarësisht operacioneve periodike policore, nuk janë zbuluar personat përgjegjës për këto vepra penale. Do të kërkoj nga ju që të shqyrtoni çdo informacion dhe të zhvilloni hetime proaktive për këto raste, me qëllim zbulimin e autorëve, por edhe të personave zyrtarë që mund t’i mbështesin.
Prokuroria e Lezhës duhet të vijojë të jetë më aktive, kryesisht në evidentimin e rasteve të fallsifikimit të pronave. Ju jeni në dijeni që Prokuroria ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa institucione të ekzekutivit, me qëllim evidentimin dhe kthimin e ligjshmërisë në çështjen e pronave.
Po ashtu, kryesisht Prokuroria e Pukës dhe e Lezhës, duhet të vijojë të jetë më aktive në hetimin e veprave penale të dëmtimit të pyjeve. Këto zona kanë hapësira të mëdha pyjore, e cila është një trashëgimi natyrore që duhet ruajtur.
Qeveria shqiptare ka marrë përsipër një Moratorium për ndalimin e prerjes së pyjeve dhe ju takon ju si prokurorë të orientoni oficerët e policisë gjyqësore të institucioneve të tjera, që të hartojnë në mënyrën e duhur ligjore referimet për rastet e shkeljeve të tilla ligjore.
Nga ana e Prokurorisë së Kukësit kërkohet rritja e numrit të hetimeve proaktive, kryesisht për veprat penale në fushën e kontrabandës dhe të krimeve të tjera financiare.
Të nderuar kolegë, në vijim të takimit të sotëm, do të pres prej Jush që të prezantoni në mënyrë të përmbledhur problematikat e vitit 2015, por sidomos alternativat për përmirësimin e mëtejshëm të aktivitetit institucional gjatë vitit 2016. Falenderojmë edhe median që ishte e pranishme në këtë pjesë të parë dhe takimin do e vijojmë me dyer të mbyllura.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)