TIRANË, 2 Shkurt /ATSH-Arbi Fortuzi/-. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, është i mendimit se Gjykata e Lartë duhet të shtojë aktivitetin e saj në nxjerrjen e vendimeve unifikuese, për të standartizuar praktikën e gjykatave më të ulta, "vendimet e të cilave, në shumë raste, karakterizohen nga subjektivizmi dhe pse jo, edhe nga abuzivizmi".
Llalla i bëri këto komente gjatë prezantimit të botimit "Standartet e gjykimit përmes vendimeve unifikuese", organizuar sot nga Gjykata e Lartë. Duke theksuar se aktualisht është koha që po diskutohet gjerësisht reforma në drejtësi, Llalla u shpreh se "shpresojmë dhe besojmë se ligjvënësi do të marrë parasysh kërkesën që Prokurorit të Përgjithshëm t'i njihet e drejta për të vënë në lëvizje Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë për të nxjerrë vendime unifikuese për çështje të ndryshme penale".
Duke i dhënë këtë të drejtë ligjërisht Prokurorit të Përgjithshëm, "institucioni i prokurorisë do të jetë më aktiv në standartizimin e praktikës gjyqësore, që ndihmojnë në respektimin e garantimin e të drejtave themelore të njeriut, si edhe në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri", u shpreh Llalla. /a.ke/