Ne s’mund ta pranojmë që Llotaria Kombëtare të kthehet në një bixhoz ku shqiptarët paguajnë ndërsa pushtetarët fitojnë. E kemi sqaruar mëse njëherë se si duam ta organizojmë Llotarinë Kombëtare dhe ta vendosim në funksion të interesit publik. Llotaria Kombëtare është një lojë që e organizon shteti, por jo për të fituar një fatlum e për të dalë i humbur tërë populli me qëllimin që miliona e miliona euro të kalojnë në xhepat e menaxherëve të lojës. Në asnjë mënyrë! Paratë e përfituara nga organizimi i lojës shteti duhet t’ua kthejë qytetarëve në formë shpenzimesh kapitale për politika të natyrës sociale. Ne vetë do t’i kalojmë për sportin dhe rininë. Ndërsa kompania që do ta menaxhojë Llotarinë Kombëtare, do të marrë fitimin që i takon po kurrën e kurrës fitimin që i takon popullit siç parasheh për fat të keq procedura mirëfilli klienteliste e qeverisë shqiptare ku lexohej qysh në nisje se kush do ishte fituesi në fund.
Kjo qeveri e nxorri Shqipërinë në një ankand ku me vendime e ligje të qepura enkas, pasuri të panumërta i kanë kaluar blerësit të paracaktuar më parë. Janë kaluar në pak duar dhe për hiçgjë pasuri nëntokësore e mbitokësore, duke e përjashtuar brutalisht publikun nga çdo përfitim prej tyre dhe duke e zhveshur shtetin nga të drejta themelore. Qeveria shqiptare ka dorëzuar për hiçgjë në duar familjarësh e klientësh të saj, të drejta që kudo në botë i mbeten publikut dhe administrohen nga shteti për llogari të publikut. S’ka asnjë ekzagjerim në shprehjen e bindjes se kusuret e kësaj qeverie në 7 vjet në raport me pasuritë e këtij vendi, nuk i kanë të gjitha qeveritë shqiptare të 100 viteve shtet të mbledhura së bashku. Janë kusuret e një grabitjeje të realizuar përmes vënies së qeverisë së republikës në shërbim të interesave të qeveritarëve dhe përmes rrënimit të institucioneve të shtetit.
Tanimë Sali Berisha synon përjetësimin e pushtetit të vet përmes marrjes së kontrollit të plotë mbi paranë e mbi çdo institucion të këtij vendi. “Korrupsioni shton pushtetin, korrupsioni absolut e bën absolut edhe pushtetin”, thuhet në politologji. Sot ky është udhëkryqi, ose një rrënim i mëtejshëm përmes korrupsionit absolut që do ta vendosë Shqipërinë nën një pushtet absolut, ose një Rilindje Shqiptare përmes një rruge të re që do ta fusë Shqipërinë në drejtimin e merituar. Pjesë e kësaj rruge të re është në këndvështrimin tonë edhe një proces i domosdoshëm transparence për shitjen e Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Kjo nuk nënkupton askurrëfarë gjuetie shtrigash ndaj biznesit, por mbylljen me kurajo e ligjshmëri të rrugës së korrupsionit absolut ku pasuritë e këtij vendi transferohen në pak duar të lidhura ngushtësisht me këtë qeveri, e cila synon të kthehet në një pushtet absolut.
Ja pse ne nuk kemi asnjë ndroje, përkundrazi e ndjejmë për detyrë organike të shpallim publikisht qëllimin për të rishikuar nën dritën e Kushtetutës, ligjit dhe interesit publik, çdo shitje apo transferim të dyshimtë të pasurisë së publikut në duart e të privilegjuarve të pushtetit të sotëm. Askush përveç shitësve të Shqipërisë nuk duhet t’i ndruhet kësaj transparence. Ky proces do të ketë një vlerë të paçmuar për të krijuar një mjedis demokratik për çdo sipërmarrës dhe për të vënë vlerat e lirisë e të konkurencës në themel të sipërmarrjes në këtë vend. Ne as kemi thënë dhe as kemi menduar ndonjëherë të zmbrapsim çdo vendim që është marrë apo të zhbëjmë çdo gjë që është bërë. Jo, ne duam dhe do të ndajmë qartë qëndrimin ndaj zhvillimeve të këtyre viteve në ekonomi, duke i’u kundërvënë hapur produkteve të korrupsionit absolut në ekonomi dhe duke vendosur në piedestal sipërmarrjen e zhvilluar falë talentit e mundit të kujtdoqoftë.
Asnjë kompani apo individ që ka nënshkruar një kontratë koncesionare me shtetin apo ka përfituar një pasuri publike përmes një procesi privatizimi nuk duhet t’i trembet transparencës nëse nuk e ka shkelur kontratën apo nuk ka përfituar nga shkelja e ligjit. Përkundrazi, duhet ta mirëpresë këtë proces. Ashtu sikundër edhe çdo investitor i huaj në Shqipëri nuk duhet t’i friket qëndrimit tonë të shpallur për të rishikuar një sërë produktesh të akteve të dyshimta të qeverisë në këtë fushë. Përkundrazi, duhet ta mbështesë këtë qëndrim që buron nga vetëdija jonë se niveli i investimeve të huaja në Shqipëri duhet rritur, por mund të rritet vetëm përmes çmontimit të sistemit të korrupsionit absolut. Po edhe asnjë shqiptar që do punë, mirëqenie e siguri në këtë vend, nuk duhet ta lexojë këtë qëndrim parimor e largpamës tonin përmes përkthimit të çartur të kryeministrit. Përkundrazi, duhet ta kuptojë se në sa më pak duar të jetë e përqëndruar pasuria përmes sistemit të korrupsionit absolut, aq më shumë krahë do të mbeten të papunë dhe aq më pak liri e të drejta do të ketë për çdo individ.
Unë e di fort mirë se mosbesimi është rritur bashkë me korrupsionin, papunësinë, varfërinë. E kam fare të qartë se shumë fjalë qëllimmira i merr era në kushtet kur realiteti i egër i sprovon njerëzit me vështirësira të përditshme. Nuk e dyshoj fare se edhe ndër lexuesit e këtyre rreshtave do të ketë sa të duash që do të rrudhin buzët apo nënshkruajnë komente të vrazhda. Mirëkuptim për të gjitha, përveçse për një gjë: E pamundur të pajtohem me ata që të keqen sunduese në pushtet e relativizojnë duke thënë se edhe opozita njësoj është dhe prandaj mirë jemi kështu si jemi! Këtë jo, me këtë as mund të bie dakord kurrë, as mund ta mbyll pa thënë se është shprehje e pangushëllueshme e shpirtit skllav. Vetëm shpirti skllav mund të gjejë justifikime për të mbajtur në këmbë në mes të Europës sot, një pushtet që synon të kthehet në absolut përmes korrupsionit absolut. E di që janë pakicë, por është një pakicë sidoqoftë shumë e trishtueshme për Europën e shekullit XXI.