Në kuadër të lobimit për hapjen e negociatave, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj po zhvillon një vizitë në Gjermani, ku u prit nga homologia e saj Katarina Barley. Lufta kundër korrupsionit veçanërisht në nivele të larta ishte një nga çështjet që u diskutua. Gjonaj u ndal në masat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të forcuar luftën kundër korrupsionit.

Reforma e thellë në sistemin e drejtësisë, si dhe masat e tjera ligjore të marra për të forcuar luftën kundër korrupsionit kanë sjellë rezultate konkrete në fillimin e ndjekjes penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë publik, pjesë e sistemit gjyqësor, të Ekzekutivit, të Pushtetit Vendor, si dhe atij ligjvënës.

Etilda Gjonaj

Ministrja i bëri me dije Barley që hapja e negociatave ndihmon në thellimin e reformave shtetformuese që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar, tërheqjen e investimeve të huaja dhe rrjedhimisht, rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë.

Ministrja Federale e Drejtësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorëve vlerësoi shumë reformat që ka ndërmarrë Shqipëria veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit, u shpreh ajo, është një betejë e përhershme dhe nuk është e fituar plotësisht as edhe në Gjermani, por e rëndësishme është që shtetet të dinë t’i përgjigjen me masa të përshtatshme.

Përpjekjet antikorrupsion që bën Shqipëria janë akoma më të vështira për shkak të praktikave të vendosur në vite. 

Ministrja e Drejtësisë Barley

Megjithatë, përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë në këto fusha, sipas saj, kanë pasur rezultate mbresëlënëse, veçanërisht e krahasuar edhe me vendet e tjera të Rajonit. Ministrja Barley e siguroi Ministren Gjonaj për mbështetjen e saj dhe të Ministrisë Federale të Drejtësisë lidhur me vazhdimin e reformave që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, pavarësinë e sistemit të drejtësisë si dhe luftën kundër korrupsionit.

Gjatë këtij takimi ishte i pranishëm edhe zëvëndësministri i Brendshëm Llamallari, i cili i prezantoi të pranishmëve bashkëpunimin e që autoritetet policore shqiptare kanë pasur me autoritetet gjermane, si dhe ndihmën teknike të ofruar veçanërisht në mbështetjen e Task Forcës kundër krimit të organizuar “Forca e Ligjit”, si dhe në përfundimin e disa operacioneve të suksesshme në luftën kundër grupeve kriminale të lëvizshme të specializuar në kryerjen e vjedhjeve në banesa në vendet e BE.

Në delegacionin shqiptar i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Xholi, i cili i njohu të pranishmit me rezultatet e deri tanishme në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, duke ilustruar me raste konkrete rritjen e efektivitetit të luftës kundër korrupsionit si dhe me numrin e përgjithshëm të rasteve të dënimeve të zyrtarëve të lartë si dhe zyrtarëve të tjerë publik.

Në përfundim të këtij takimit, dy ministret ranë dakord për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në reformat e ndërmarra, si ata të Reformës në Drejtësi, veçanërisht në fushën e reformës penitenciare. Për këtë qëllim, në parim u ra dakord që ndërmjet dy Ministrive do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në të cilin konkretizohen asistenca dhe mbështetja që Ministria Federale e Drejtësisë do t’i ofrojë Ministrisë së Drejtësisë në përmirësimin e sistemit penitenciar në Shqipëri.  Vendimi për negociatat do të merret në datë 28 qershor, ndërsa në ditët e mbetura tre janë vendet skeptike që duhet të binden; Holanda, Franca dhe Gjermania.