Për herë të parë, Shqipëria pritet të ketë një ligj të posaçëm për lobimin. Projektligji, i hedhur për konsultim publik, dhe i propozuar nga Këshilli i Ministrave, synon të vendosë rregulla të qarta për mënyrën si zhvillohet lobimi pranë institucioneve shtetërore, me qëllim rritjen e transparencës dhe parandalimin e ndikimit të fshehtë apo korruptiv në politikë.
Sipas projektligjit, lobimi mund të ushtrohet vetëm nga persona fizikë ose juridikë të regjistruar në një Regjistër të posaçëm të Lobimit, i cili do të administrohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ky institucion do të ketë kompetencën të monitorojë, verifikojë dhe publikojë të dhënat mbi lobistët dhe veprimtaritë e tyre.
Ligji parashikon edhe kufizime të forta etike dhe ligjore. Lobistët ndalohen të përdorin forma ndikimi të paligjshme ose korruptive. Personat e dënuar për korrupsion, pastrim parash, mashtrim apo vepra të tjera të rënda penale nuk mund të ushtrojnë lobim për një periudhë 5-vjeçare nga mbarimi i dënimi, kur konsiderohen të rehabilituar.
Ish-zyrtarët e lartë publikë, përfshirë ministra dhe deputetë, nuk mund të angazhohen në lobim për dy vjet pas përfundimit të mandatit të tyre
Në projektligj, parashikohet gjithashtu ndalim i lobimit për interesa të shteteve të huaja që bien ndesh me interesat kombëtare.
Çdo marrëdhënie lobimi do të duhet të formalizohet me kontratë të shkruar, e cila regjistrohet brenda 15 ditëve në sistemin elektronik të Regjistrit të Lobimit, por Komisionerit për të Drejtën e Informimit i ndalohet të publikojë kopjet e kontratave të lobimit, duke përfshirë periudhën dhe shpërblimin.
Projektligji gjithashtu synon të parandalojë konfliktet e interesit, duke ndaluar lobimin në raste kur lobisti ose të afërmit e tij kanë interesa të drejtpërdrejta në çështje të caktuara.
Të gjithë lobistët kanë detyrimin që ta bëjnë publik qëllimin e lobimit dhe subjektin për llogari të të cilit vepron në çdo kontakt me zyrtarët publikë; të mos përdorë forma ndikimi të paligjshme ose korruptive, përfshirë dhurata, favore, premtime apo shpërblime të ndaluara; të ruajë dhe të mbajë dokumentacionin për aktivitetet e lobimit për një periudhë jo më pak se pesë (5) vjet, të mos përdorë dhe të mos shpërndajë informacione të përfituara në mënyrë të paligjshme por mbi të gjitha të paraqesë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale një deklaratë periodike, çdo gjashtëmuaj, mbi burimet financiare dhe shumat e shpenzuara për çdo lobim.
Mosrespektimi i rregullave nga ana e lobistëve, duke filluar nga të dhënat e pasakta, mosdeklarimi i konktave lobuese apo i burimit të financimit, ndërshkohet me gjoba që arrijnë deri në 5000 euro, apo ndalimin e aktivitetit deri në tre vite.
Në thelb, kjo nismë ligjore synon të bëjë transparente ndërveprimet mes sektorit privat dhe institucioneve publike, duke vendosur për herë të parë në Shqipëri rregulla të qarta për lobimin, një praktikë e njohur në demokracitë perëndimore, por ende e parregulluar në vendin tonë.

Kliko këtu për të lexuar relacionin shpjegues

Kliko këtu për të lexuar projektiligjin per lobimin
Komente





Do behet edhe ketu nje rrumpalle si ne shba me lobistat dhe vendimarrjet do e bejne kush ka me shume leke, qeka me leverdi me qene deputet.
Përgjigju