“Loja” e Blerta Surroi-t me dheun, zjarrin dhe ngjyrat

Të paktën dymbëdhjetë punime në qeramikë të artistes shqiptare nga Kosova,  Blerta Surroi janë prezantuar në ESPACE, 26 place Denfert Rochereau në  Paris 14, vepra të përcaktuara si shprehje e vlera të reja që vijnë dhe prej dashurisë ndaj  objekteve qeramike me forma skulptorike, e gërvishtjeve dekorative të kulturave të hershme të   zbuluara në trevën Dardane  apo në vendbanimet ilire. Lajmi bëhet me dije  nga Zamir Mati, Piktor i merituar me banim në  Paris,  i cili në një korespondencë  për ATSH-në duke treguar për këtë ngjarje artistike, nënvizon faktin se krijimtaria e piktores dhe qeramistes Blerta Surroi është tashmë një emër që i shtohet artit tonë kombëtar. Hapja e ekspozitave të saj kolektive dhe ekspozitave personale  në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Kroaci, Japoni, Indi dëshmojnë për personalitetin dhe kontributin e saj të veçantë në përhapjen e njohjen e artit shqiptar dhe veçanërisht artin e Kosovës në botë.
Në çeljen e ekspozitës kanë marrë pjesë  miq dhe dashamirës të artit, shqiptarë më banim në Francë, sikundër ka nderuar me pjesmarrjen e tij  personaliteti i shquar i Francës, ish i dërguari i sekretarit të përgjithshëm të OKB në Kosovë në vitet 1999 - 2001,  Dr. Bernard Kuchner , Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola.
Dr. Bernard Kuchner  duke vlerësuar  veprat e artistes Blerta Surroi në këtë Espace e cila ndodhet në një nga sheshet kryesore të Parisit,  ku ngrihet monumenti simbol i mbrojtjes së Francës tha se , "ju në këtë ekspozitë dëshmoni art  me punimet tuaja duke na dhuruar  vlera të veçanta artistike".
E gjithë mbrëmja është shoqëruar nga muzika e zgjedhur e  Bach dhe Moxart, ndërsa autorja ekspozitës, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Veton Surroi, kanë  falenderuar për mbrëmjen e bukur dhe organizimin e ekspozitës,ndërsa  publicisti i  njohur  i ka dhuruar  bibliotekës së Espace, librat e tij të fundit,  "Këmbët e gjarprit" dhe "Miliarderi".
"Personalisht kam njohur talentin e Blerta Surroit në fushën e dramaturgjisë e filmit ku ajo si aktore e dalë nga atelieja e artistitit të njohur Profesorit të Akademisë së Aktrimit,  Enver Petrovci,  ka skalitur role në pjesë teatrale dhe në filma. Por talenti i saj zbuloi shprehje të reja duke i modeluar ato me materialin e baltës, dheun të forcuar prej zjarrit, dhe duke na dhënë  qeramikën  këtë magji që shoqëron njerëzimin qysh në agimin tij" shkruan Mati .
 Në korespondencën e tij për ATSH-në  Mati shton se  "artisten e  re e frymëzojnë në krijimet e saj gjetjet qeramike në qëndrat arkeologjike të Vushtrisë ( 6500-1000 vjet para erës së re ), Drenas ( 6500- 1000 vjet para erës së re ), Skënderaj ( 6500-1000 vjet para erës së re ), Istog ( 6500-1000 vjet para erës së re ), vazot antropomorfe ( 4000-3000 vjet para erës së re ), figurina antropomorfe e njohur si "Hyjnesha në fron" ( 4500 vjet para erës së re.
Sepse në fund të fundit nuk është e kollajtë të guxosh të merresh me modelimin e qeramikave, t'i vendosësh ato në një kompozim të ri dhe të zgjedhësh ngjyrat e ti zjarrmosh ato për të dhënë forma dekorative të cilat duhet të shënojnë origjinalitetin e veprave dhe personalitetin e artistit. Si piktore grafiste e  diplomuar ne Akademinë e Arteve të Prishtinës me pedagogë dhe  artistë të njohur kosovarë dhe të  artit mbarëkombëtar shqiptar si,  Rexhep Ferri e Hysni Krasniqi, Blerta kërkon gjuhë dhe shprehje të reja dhe gjen mundësi. Ajo u atashua për një kohë pranë ateliesë së artistit të njohur qeramist kroat Hannibal Salvaro,  ku mësoi mjeshtërinë e nevojshme të qeramistit dhe përkrah këtë teknikë tepër fisnike e të lashtë.
Por piktori Zamir Mati i referohet dhe artistëve të tjerë që kanë kërkuar ashtu si dhe Blerta shprehje dhe mundësi të reja gjatë krijimtarisë,pikërisht tek arti i modelimit qeramik. Ai kujton  piktorin e  popullit Sali Shijaku në vitet '80-të i cili krahas pikturës krijoi një koleksion të tërë me qeramika, figura të kreshnikëve të ekspozuara në qeramikë dhe fotografitë artistike në dimensione të mëdha të realizuara nga bashkëpunimi me fotografin Nikolin Baba.  "Të gjitha ishin një gjetje e re, vlera të reja, një imazh dhe mundësi tjetër që artisti me guxim thyente shabllonet e kohës", thotë Mati.
Po dhe vetë  Pikaso në vitet '50-'60 u morr me qeramikë dhe shprehja artistike e tij gjeti forma dhe vlera të reja të cilat i dhanë një shtytje arteve aplikative e në këtë rast qeramikës.
 
Deti i Blerta Surroi-it
Ndoshta nuk është vetëm talenti i artistëve, ndoshta është magjia e kësaj mjeshtërie të hershme të njerëzimit që me dheun, ujin, gatimin e baltës, diellin, zjarrin dhe ngjyrat përmban e krijon objekte dhe vepra arti të cilat na fusin në mendime. Por është e sigurtë që vepra të bukura sjellin ata artistë që dinë të dashurojnë këtë art që na vjen nga mugëtira e shekujve. Këtë art dhe dashuri që edhe Blerta Surroi me veprat e veta na i dëshmon. Duke biseduar me Blertën ndjen dëshirën e saj për një zhvillim më të madh dhe cilësor e me vlera të kësaj mjeshtërie e sidomos qeramikës artististike e cila kërkon edhe atelietë e saj pranë akademisë së arteve.  Akademiku Rexhep Ferri shkruan kështu për artisten në katalogun e saj: "Duke lexuar historinë e një ëndrre e zura veten të pushtuar nga e papritura e një takimi me qeramikat e Blertës, e cila na solli prurje artistike që na mungonte". Për të arti i qeramikës kishte ardhur nga dheu me mundësi të modelimit dhe me ngjyrat e pjekura në bukurinë e zjarrit. E "lojën" me dheun, zjarrin e ngjyrat,  Surroi e kishte nisur më 2004." Ajo me kujdes di të ndërtojë pjesë, pjesë kompozime me pllaka qeramike duke i vendosur pranë njëra tjetrës edhe pse janë jo të dimensioneve të njëllojta. Kështu me asimetrinë dhe dekorin e brëndëshëm të tyre ato formojnë mozaikë me tema, forma, gdhëndje e modelime shënjash e figurash konkrete. Blerta Surroi me kujdes vendos emërimin e punimeve dhe justifikon gjëndjen e tyre kompozicionale, ritmin, format, ngjyrat e vizatimin. Titujt e veprave si " Portat e qiellit" 50 x 70 cm, " Portat e Diellit" 50 x 70 cm, "Rruga e burimit" 50 x 70 cm, "Mëngjes në Dukagjin" 50 x 70 cm, "Diell mbi kullë" 50 x 70 cm të lejojnë të futesh më thellë e të shijosh detajet e gjetura dhe lidhjet e tyre me me idenë e veprës. Por njëkohësisht me frymëzimin e saj prej motiveve të vendlindjes,  Blerta Surroi me një fantazi krijuese paraqet edhe dashurinë për natyrën dhe bukuritë e saj. Në ciklin e frymëzuar prej detit,  duket e çuditshme me shikim të parë kjo temë, deti, për një artiste nga Kosova, aq më tepër kur gabimisht mendojmë se Kosova nuk ka dalje në det.  Por mund të kujtojmë  emrat e fëmijëve të familjeve kosovare, Vlora, Joni, Det, Shkodra, Vala, Valdeti, Himara, Saranda, etj. Kujtojmë familje të tëra kosovarësh të shpërngulur në brigjet e Shqipërisë. Kështu dhe Blerta Surroi me punimet e saj "Nxehtë" 36 x 36 cm,"Legjenda e detit" 50 x 70 cm, "Dy rrugë. Lundrim" 50 x 70 cm, " vallja e verës" 50 x 62 cm, "Dy të shoqëruar" 40 x50 cm,  shpreh  këtë dashuri dhe lidhje me detin por edhe me njerëzit e tij, ata që çajnë valët, hedhin rrjetat e punojnë për të patur më tepër bollëk në tryezat, peshkatarët. Blerta dekoron bukur një rozetë të mbushur me peshq që e titullon "Ora e peshkatarit" 29 x 29 cm. Rozetat përsëriten në dimensione të ndryshme dhe me rritëm kompozicional plot variacione. Ashtu siç kthen në rozeta të modeluara motivet të cilat i ka marrë nga kujtimet e fëmijërisë me objektet zbukuruese të gjyshes së sajë. Ky është një vlerësim dhe një respekt për traditën, për motivet e frymëzuara prej saj ashtu si kanë bërë dhe artistë të tjerë kosovarë e midis tyre Simon Shiroka me puninimet e tij të filigranit të cilat lidheshin me traditën e pasur të dekoreve e zbukurueset metalike të veshjeve shqiptare.
 
Zamir Mati : "Si e njoha Blerta Surroin"
Në nëntorin e vitit 2013 ishim të ftuar nga galeria "Qahili" për ekspozitën e organizuar prej saj titulluar  "Hijet e Bardha" , me 225 punime të 120 autorëve nga 22 vende të ndryshme. Unë udhëtova drejt Prishtinës me Kiço e Mira Blushin dhe me Astridën. Në vernisazhin e ekspozitës, një mbrëmje e bukur midis artistësh e miqsh të rinj e të vjetër u përshëndetëm dhe me gazetarin e njohur Veton Surroi i cili mbante Detin e vogël në krah. Pranë nesh u afrua Blerta dhe ashtu e përzemërt u përshëndetëm. Ajo si dhe unë ishte pjesmarrëse në ekspozitë " Hijet e Bardha" me kuratore artisten e re Nita e cila menjëherë na tregoi në atë mori punësh vend ekspozimin e punimeve. Unë kisha dy pejsazhe nga fshati në dimër i Korçës ndërsa Blerta një projekt me ngjyra i një qeramike të ardhshme. Kurioziteti për të njohur më tepër për projektet e Blertës bëri që Ajo tepër thjeshtë dhe me ndrojtje e dëshirë të na ftojë të nesërmen në mëngjes për një kafe në restorantin e quajtur "Dardha" e cila ndodhej në lagjen "Kodra e Diellit" në Prishtinë. Të nesërmen me Mirën, Astridën, Kiçon, Valdetin e Eshrefin u drejtuam rrugicës së ngushtë. Mëngjesi me diell i ditëve të nëntorit na zbulonte pjesë të qytetit që për ne ishin të pa njohura. U ndalëm përpara një verande të sistemuar mirë dhe ku pemët e drujtë e xhveshur prej dimri vetëm na lejonin të fantazonim gjelbërimin pranveror të lagjes së "Kodra e Diellit" të Prishtinës. Në krye të portës na priste Blerta. Ajo na ftoi të hynim brenda dhe ishte  një suprizë e bukur kur  na zbuloi  një koleksion të tërë veprash qeramike të krijuara prej saj dhe që dekoronin me shije hapsirën e restorantit "Dardha". Një artiste e vërtetë me vepra të bukura, kjo është njohja ime me Blerta Surroi mbas atij takimi rastësor në Quai Voltaire të Parisit kur i dhurova një punimin tim me këndin e njohur të" Urës Mbretërore" dhe ku Aleksandër Duma kishte ndeshur emrin e një musketjeri të cilin e bëri të famshëm me emrin Dartanjan. Janë këto njohje midis artistëve të cilat ndikojnë dhe në zbulimet artistike dhe arritjet e veçanta të prezantimeve të reja në artet pamore ashtu siç janë edhe pasqyrimet e veprave dhe aktiviteteve të tyre nga mediat e shkruara, televizive dhe faqet sociale e interneti./atsh/
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Mars, 08:44

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti